LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Jashtme fshin postimin pasi u kritikua për përmbajtjen dhe anglishten e dobët

Ministria e Jashtme fshin postimin pasi u kritikua për përmbajtjen dhe anglishten e dobët

Pas kritikave të shumta për mënyrën e të shkruarit në gjuhen angleze, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pas pothuajse tri orëve e ka larguar postimin nga faqja.

Në Twitter, MPJD ka kërkuar nga NATO, SHBA dhe BE që të ndërmarrin veprime pas arrestimit të gazetarit Roman Protasevich nga autoritetet bjelloruse.


Në postim thuhej se kreu i shtetit rus, Vladimir Putin po bëhet çdoherë e më shumë agresiv ndaj vendeve perëndimore.

“Putini po bëhet më agresiv, duke shfrytëzuar dobësimin e Perëndimit. Pa aprovimin e Putinit, nuk do të kishte sulme të Bjellorusisë ndaj aeroplanit. (Pa Putinin), s’do të kishte kërcënime nga Vuçiq e as 30 tanke të reja për Serbinë. NATO, SHBA dhe BE duhet të ndërmarrin veprime që të mbrojnë miqtë e tyre. Kosova është gati”, thuhej në postimin e MPJ-së.

Reagimi i MPJD-së ndaj Rusisë vlerësohet joserioz dhe me anglishte të dobët
Lexo po ashtu Reagimi i MPJD-së ndaj Rusisë vlerësohet joserioz dhe me anglishte të dobët

Ish-zëvendësministrja e Jashtme e Kosovës Teuta Sahatqija ka thënë se postimi është me plotë gabime në gjuhën angleze dhe se me këtë është bërë horë shteti i Kosovës.

“Si ta komentoj këtë tweet të ‘sertë’!!! Më shumë kisha pasur dëshirë të mendoj se Twitteri i MPJ-së është hakuar se sa të lexoj si Kosova ia tregon vendin Putinit, Vuçiqit e besa e udhëzon Evropën se çfarë duhet të bëjë. Kosova në zgjidhje të problemeve globale me një anglishte të nivelit fillestar. Merrni more dikë që di anglisht së paku se horë po e bëni shtetin”, ka shkruar ajo në Facebook.

Po ashtu edhe analistët kanë kritikuar këtë postim.

“Politika e jashtme me Google translate”, deklaronte gazetari Imer Mushkolaj.

Njohësi i çështjeve politike Agon Maliqi thotë se postimet duhet të jenë më serioze, teksa thotë se institucionet nuk mund të jenë në një nivel të postimeve sikur analistët e Facebook-ut.

“Lutje për Ministrinë e Jashtme: postimet zyrtare në twitter të jenë më serioze dhe koherente në stil, gjuhë dhe përmbajte. Nuk mundet shteti me postu statusa freestyle si ato të opinionistëve të Facebook-ut, bëhesh horrë si shtet saora”, deklaroi ai.

Ndaj MPJD ka reaguar edhe gazetari Enver Robelli.

“Postimi i sotëm i MPJ-së së Kosovës në Tëitter lidhur me zhvillimet e fundit në Bjellorusi dhe rolin e Rusisë në Ballkan është joprofesional, jodiplomatik dhe joserioz. Postimi i para disa ditëve i MPJ-së në Twitter lidhur me konfliktin në Lindjen e Afërt ishte, po ashtu, joprofesional, i pa balancuar dhe e thjeshtësonte në mënyrë absurde një konflikt ku gjërat s’mund të shihen bardh e zi. MPJ urgjentisht duhet të arrijë nivel profesional të komunikimit me opinionin publik”, tha ai.

​“Kosova është gati”, MPJ kërkon veprime nga SHBA dhe BE kundër Rusisë
Lexo po ashtu ​“Kosova është gati”, MPJ kërkon veprime nga SHBA dhe BE kundër Rusisë

Kritika ka pasur edhe në rrjetet sociale nga qytetarët.

“Zonja ministre, me gjithë respektin, shkruani më mirë në gjuhën gjermane, se sa në atë angleze me Google-Translate”.

“Fshijeni këtë postim më shpejtë se e pasket bo hajgare! Me anglisht nuk jeni kërkah”.

“Demantojeni, shkruajeni na e kanë vjedhur paswordin më mirë”, janë disa nga komentet në këtë post./Telegrafi.