LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Bujqësisë me njoftim për fermerët e komunave të Veriut

Ministria e Bujqësisë me njoftim për fermerët e komunave të Veriut

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) përmes një komunikate ka njoftuar fermerët e komunave në veri të Kosovës, se dosjet për aplikim në Programin për Pagesa Direkte – Subvencione 2020, mund t’i dorëzojnë në Zyrën Regjionale në Mitrovicën e Jugut.

Në komunikatë thuhet po ashtu se ministria ka vendosur të zgjatet deri më 28 gusht 2020, e cila është bërë me kërkesë të fermerëve.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) njofton të gjithë fermerët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut se dosjet e tyre për aplikim në Programin për Pagesa Direkte – Subvencione 2020, mund t’i dorëzojnë në Zyrën Regjionale në Mitrovicën e Jugut, rruga “Mbretëresha Teutë””, thuhet në komunikatë.

MBPZhP po ashtu thotë se kushtet e aplikimit dhe procedura mbetet e njëjtë.

“Ndryshe, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka vendosur që afati për aplikim për pagesa direkte të zgjatet deri më 28 gusht 2020. Kjo zgjatje është bërë pas kërkesave të fermerëve, Drejtorive Komunale për Bujqësi dhe Zhvillim Rural dhe Asociacionit të komunave të Kosovës, duke iu mundësuar në këtë mënyrë aplikimin të gjithë fermerëve dhe ekonomive bujqësore. Procedurat e aplikimit dhe dokumentacioni mbetet i njëjtë”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/