LAJMI I FUNDIT:

Ministria e Bujqësisë ndryshon formën e subvencionimit të mjedrës

Ministria e Bujqësisë ndryshon formën e subvencionimit të mjedrës

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka ndryshuar formën e subvencionimit të mjedrës. Tash e tutje kultivuesit e saj nuk do të subvencionohen për sipërfaqet e mbjella, por për sasinë e mjedrave të prodhuara dhe atë me 8 centë për kilogram. Në Shoqatën e Kultivueseve të Mjedrës thonë se kjo formë subvencionimi është më e mirë, ndonëse çmimi do të duhej të ishte më i lartë.

Ministria e Bujqësisë edhe këtë vit do të subvencionojë kultivuesit e mjedrës, por, ndryshe nga viti i kaluar, kur për një hektar merrnin 400 euro, këtë vit, subvencionimi do të bëhet për sasinë e prodhuar.


Sipas Isuf Cikaqit, drejtor i Departamentit të Politikave Bujqësore në Ministrinë e Bujqësisë, kultivuesit e mjedrës do të mbështetën me nga 8 centë për çdo kilogram mjedër.

“Këtë vit, ne e kemi ndryshuar mënyrën e subvencionimit të mjedrës. Do të japim subvencione për kulturën e mjedrës për sasinë e prodhuar të frutave, e jo për sipërfaqe. Fermerët do të marrin 8 centë për kilogram të dorëzuar. Kjo do të ndikojë te bujqit që ata të rrisin rendimentet, pasi që sa më shumë të kenë rendimente, do të marrin mjete më shumë”, tha Cikaqi për RTK-në.

Kjo formë e subvencionimit nuk po pëlqehet nga fermerët që kanë sipërfaqe të vogla me mjedër. Por Sami Uka, kryetar i Shoqatës së Kultivueseve të Mjedrës, i tha Radio Kosovës se subvencionimi për sasinë e prodhuar është gjë e mirë dhe ishte kërkesë e fermerëve.

“Ky është një hap shumë i mirë, i kërkuar vazhdimisht nga shoqata dhe fermerët. Kjo formë stimulon drejtpërdrejt fermerët punëtorë, ata që punojnë me zell e kanë rendimente të larta”, tha Uka.

Ministria e Bujqësisë hap periudhën për aplikim për grante në bujqësi
Lexo po ashtu Ministria e Bujqësisë hap periudhën për aplikim për grante në bujqësi

Ai pohon se bujqit kanë besuar se vlera e subvencionit do të jetë më e lartë, marrë parasysh rënien e çmimit dhe dëmet e mëdha që pësuan kultivuesit e mjedrës viteve të fundit.

“Duke i pasur parasysh pasojat e dy viteve të fundit dhe krizën e madhe të sektorit, ne kemi konsideruar që qeveria është dashtë me qenë shumë më fleksibile, në kuptimin që t’i ndihmojë fermerët me një subvencion më të lartë, në mënyrë që të riparohen dëmet”, shtoi ai.

Në Shoqatën e Kultivueseve të Mjedrës thonë se rendimenti mesatar për një hektar mjedër, po bie nga viti në vit. Nga 6 tonë sa ishte në vitin 2017, ky ka rënë në 4.5 tonë vitin e kaluar. E kultivuesit e mjedrës për të marrë subvencionin prej 400 euro për hektar që ishte vitin e kaluar, këtë verë duhet të vjelin pesë mijë kilogramë mjedër në një hektar.

Kultivuesit e mjedrës, për subvencione mund të aplikojnë deri më 30 qershor. Mbjellja e kësaj kulture pemëtarie mori hov vite më parë, pasi që subvencionohej dhe sillte mjaft përfitime, por ulja e çmimit ka bërë që shumë bujq të shkatërrojnë pemishtet e tyre të mbjella me mjedër. /Telegrafi/