LAJMI I FUNDIT:

Ministri Selimi: Bashkëpunimi me EUROJUST, hap historik

Ministri Selimi: Bashkëpunimi me EUROJUST, hap historik

Ministri i Drejtësisë Selim Selimi, sot ka marrë pjesë në takimin e parë virtual mes Republikës së Kosovës dhe EUROJUST.

Në këtë takim virtual, i cili kryesohej nga presidenti i EUROJUST, Ladislav Hamran, ministri Selimi tregoi se sa e rëndësishme është vendosja e bashkëpunimit mes EUROJUST dhe Republikës së Kosovës.


Në njoftim thuhet se të dy bashkëfolësit e konsideruan këtë si një hap historik për fillimin e bashkëpunimit me qëllim të vendosjes së marrëveshjes bilaterale mes Kosovës dhe EUROJUST.

“Natyrshëm rrjedh se ekziston një nevojë e domosdoshme, për EUROJUST dhe Republikën e Kosovës për të vendosur bashkëpunim si partnerë strategjikë, në mënyrë që të forcojmë rrjetin tonë në luftën kundër krimeve të rënda ndërkufitare. Autoritetet gjyqësore kosovare shpresojnë të përfitojnë nga mjetet praktike të bashkëpunimit të ofruara përmes EUROJUST, nga lehtësimi i ndihmës së ndërsjellë juridike, përdorimi i instrumenteve të njohjes reciproke dhe koordinimi i çështjeve penale”, tha ai.

Selimi ka shprehur vullnetin e plotë të institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit mes shtetit të Kosovës dhe EUROJUST.

“I nderuar President Hamran, kujtoj që EUROJUST tashmë ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me të katër vendet fqinje të Kosovës. Bashkëpunimi mes institucioneve të drejtësisë shkon përtej politikës. Kosova me hapjen e këtij bashkëpunimi do të jetë pjesë e EUROJUST dhe një hap para integrimit euroatlantik. Vendosja e bashkëpunimit me Kosovën gjithashtu, do të prodhonte rezultate më efektive dhe të qëndrueshme në luftimin e krimit të organizuar ndërkufitar në rajon. Prandaj, unë shfrytëzoj këtë mundësi për të shprehur interesimin tonë për të ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme për të përfunduar një marrëveshje bashkëpunimi midis EUROJUST dhe Kosovës, e cila do të vendoste bazat për arritjen e qëllimit tonë të përbashkët për drejtësi dhe siguri”, tha ai.

Në njoftim thuhet se për herë të parë Republika e Kosovës është ftuar që të marrë pjesë në takimin  virtual të EUROJUST. /Telegrafi/