LAJMI I FUNDIT:

Ministri Lekaj përplaset fortë me deputetët e LDK-së për 63 milionë euro të autostradës

Ministri Lekaj përplaset fortë me deputetët e LDK-së për 63 milionë euro të autostradës

Ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj dhe deputetët e LDK-së, janë përplasur fort rreth kërkesës së kompanisë “Bechtel&Enka”, për dhënien e 63 milionë eurove për shkak të shtyrjes së kohës për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit.

Ministri Lekaj ka shpjeguar se kjo ka ardhur si pasojë e neglizhencës së qeverisë së kaluar.


“Sa i përket këtyre 63 milionëve nuk i kam prodhuar unë, nuk i kam imagjinuar unë, por është kërkesë e Bechtel&Enka që të paguhen 63 milionë për vonesat dhe shlyerjen e obligimeve buxhetore që kanë qenë të zotuara në kontratë. E kam sqaruar i nderuar deputet, nuk keni qenë këtu, në mënyrë detale, analitike se ku dhe në cilat pozicion është kërkuar dëmshpërblimi, sa është kërkuar, sa është bërë pagesa për vitet fiskale dhe për 121 muaj shtyrje të kontratës janë kërkuar 63 milionë saktë. Nuk kam thënë asnjëherë që unë jam pajtuar, dhe nuk do të pajtohem. Por pas 100 takimeve që kemi bërë asnjë vendim nuk e kemi marrë. Dhe qeveria e Kosovës jo vetëm për këtë rast, që mund t’i citojmë, e ke për pasaporta se sa duhet të paguaj për neglizhencën e juaj. Axos-in po ashtu, për mos marrje të vendimeve, dhe unë nuk i kam fajet bre, nuk kam fajet sepse nuk i kam prodhuar ato dokumente, i kam gjetur këtu”, th a Lekaj.

Por ka replikuar deputeti dhe ish-ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i cili kërkoi sqarim se pse Bechtel&Enka, ua ka kërkuar 63 milionë euro Qeverisw Hradidnaj, derisa Qeverisë së kaluar i kishte kërkuar vetëm 14.78 milionë euro.

“Atë që deklarova ekziston marrëveshja, Qeveria, komisioni ndërministror ka marrë vendim për shumën prej 14 milionë eurove. Unë po kërkoj nga ministri le të na sqaroj si është e mundur që me ne të merren vesh 14. 78, kurse këtyre ua kërkon 63 milionë, asgjë tjetër”, theksoi Zharku.

Përgjigja e ministri Lekaj ishte se nuk e di pse kaq shumë po iu djeg.
“E kam një shprehje që e them shpesh, me vije keq, seriozisht e di që thuhet me vije keq, por prapë po e citoj nuk e kam prodhuar unë kërkesën, është nga Bechtel&Enka që e kam prezantuar në Kuvend. Prandaj unë nuk e di pse kaq shumë po iu djeg, do të dalin edhe gjëra tjera sepse ende duhet t’i sqarojmë ato që i keni ndërmarrë”, u shpreh Lekaj.

Në debat u përfshi edhe shefi i deputetëve të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili theksoi se i vije keq që në krye të dikasterit është ministri i cili nuk i lexon kontratat.

“Çdo obligim që e ka Qeveria e Kosovës ndaj Bechtel&Enkas, ose cilitdo kontraktor buron nga kontrata, shkoni kontratat iu kisha lut, aty specifikohet për çdo vonesë, për çdo penallti, për çdo punë që duhet të kryhet, përmbushni kushtet kontraktuale, tjerat keni kujdes me deklarime sepse bashkë i keni partnerët që e kanë shkaktuar këtë problemin e Axosit para pesë-gjashtë viteve dhe keni me e pagu, edhe pasaportave që shpresoj ta keni paguar, edhe plotë të tjera që do t’iu vinë, jeni bashkë me ata partnerë në qeveri, prandaj keni kujdes, më vjen keq kur shpreheni kështu, më vjen keq për qytetarët e Kosovës qysh tash gardianët e taksave të tyre janë këta persona të papërgjegjshëm. Lexoni kontratat dhe mos dilni kaq jo serioz në foltore”, tha Hoti.

Edhe ndaj Hotit pati replikë ministri Pal Lekaj, i cili tha se për obligimet që nuk i ka shlyer Qeveria e kaluar ndaj kontraktuesit ka ardhur deri të ky dëmshpërblim dhe kërkesë e Bechtel&Enka.

“Mund të them para qytetarëve të Kosovës, për obligimet që nuk i keni shlyer ndaj kontraktuesit, që janë të saktësuara në kontratë ka ardhur deri tek ky dëmshpërblim apo kjo kërkesë nga Bechtel Enka, duke u bazuar në pasuset apo nenet e kontratës, dhe asgjë më shumë dhe asgjë më pak, prandaj e kam lexuar kontratën shumë mirë, e di shumë mirë, nuk është rasti i parë që unë e kam hasur në Ministri të Infrastrukturës por janë edhe raste të reja, por unë po e them për mosshlyerjen e obligimeve, duke u bazuar në nenet e kontratës me Bechtel&Enka, janë këto kërkesa të kompanisë në fjalë, jeni takuar përmbi 100 herë dhe nuk keni bërë zgjidhje, prandaj ka ardhur deri tek kjo kërkesë e tyre…dhe prapë po e them këtë se unë do ta negocioj këtë duke u bazuar në kontratë dhe në obligimet që i ka Qeveria e Kosovës”, theksoi Lekaj.

Nuk u ndal me kaq, pasi Hoti kritikojë ministrin Lekaj se nuk kupton, pasi kontrata nuk negociohet.

“Është një gjë që ministri Lekaj nuk kupton, nuk negociohet një kontratë që është arrit, prandaj ne nuk kemi mbërri asnjë marrëveshje me ta, kemi insistuar në zbatimin pikë për pikë të kontratës, por nuk është çështje e diskrecionit tonë se çfarë marrëveshje mund të arrish me ta, ti je i obliguar ta zbatosh kontratën, vetëm kaq, nuk mund të arrish marrëveshje me ta, s’mund ta akuzosh ministrat paraprak se nuk kanë arritur marrëveshje, ne jemi kujdesuar ta zbatojmë kontratën, të kisha lutur edhe ti të kesh kujdes ta zbatosh kontratën”, tha Hoti.

Ndërsa, ministri Lekaj tha se nuk negociohet kontrata, por kërkesa e kompanisë Bechtel&Enka.

“Po e them nuk negociohet kontrata, negociohet shuma e kërkuar nga Bechtel&Enka, duke u bazuar në obligimet që i ka në kontratë Qeveria e Kosovës … Mos u mundo tani që për gabimet e juaja, për mos vendimet, për neglizhencën tuaj ta hedhni fajin diku tjetër, unë ju kuptoj juve, jeni në pozita shumë të këqija, sepse duhet të kishit marr vendime duke u bazuar në kontratë dhe obligimet që i ka pas Qeveria e Kosovës”, u shpreh Lekaj. /Telegrafi/