Ministri izraelit kërcënon në burg një palestinez - shfaqen pamjet e rralla që kanë shkaktuar reagime të ashpra

Ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, ka publikuar një video në të cilën shihet duke u tallur me të burgosurin palestinez Marwan Barghouti.
Në një video të turpshme të publikuar të enjten në rrjetet sociale, shihet Ben-Gvir duke hyrë në qelinë ku ndodhet Barghouti.
“Nuk do të fitoni. Kushdo që ngatërrohet me popullin e Izraelit, kushdo që vret fëmijët dhe gratë tona – ne do ta shkatërrojmë. Duhet ta dini këtë, kjo ka ndodhur gjithmonë në histori”, pohoi ai.
Kjo ishte hera e parë pas më shumë se 10 vitesh që shfaqet një video e Barghoutit nga burgu, dhe në video ai duket dukshëm i dobësuar dhe i rraskapitur.
Familja e tij thotë se ai është vendosur në izolim që nga 7 tetori 2023 dhe se është rrahur brutalisht disa herë nga rojat e burgut.
Pranë Ben-Gvirit gjatë vizitës ndodhej edhe drejtori i Shërbimit të Burgjeve të Izraelit, Kobi Yaakobi, një aleat i afërt i ministrit, i cili është akuzuar se ka informuar në mënyrë të paligjshme një zyrtar tjetër të lartë se ishte nën hetim për fshehjen e dhunës së kolonëve në Bregun Perëndimor.
Barghouti ndodhet në burg që nga viti 2002 dhe është dënuar me pesë burgime të përjetshme plus 40 vite të tjera, për rolin e tij në planifikimin e sulmeve që çuan në vdekjen e pesë civilëve gjatë Intifadës së Dytë. /Telegrafi/



















































