LAJMI I FUNDIT:

Ministri Hasani premton 3.5 milionë euro investime në Malishevë

Ministri Hasani premton 3.5 milionë euro investime në Malishevë

Ministri i Ministrisë për Tregti dhe Industri, Bajram Hasani, me bashkëpunëtorë kanë qëndruar sot në Malishevë, ku janë takuar me kryetarin e Komunës së Malishevës, Ragip Begaj. Vizita kishte karakter pune, ndërsa ministri Hasani, me këtë rast, premtoi se MTI-ja, bazuar në kërkesën e Komunës së Malishevë, do të mbështetë ndërtimin e një zone ekonomike dhe një inkubatori të biznesit në Malishevë, të cilat do të kushtojnë rreth 3.5 milionë.

“Ne si komunë, kemi nevojë për ndërtimin e një zone ekonomike dhe një inkubatori për biznese, dhe kjo ka qenë kërkesë e jona tani e disa vite, por vetëm këtë vit ka arritur të gjejë përkrahjen e ministrisë, dhe me këtë rast, e falënderoj ministrin Hasani për përkrahjen e dhënë për ndërtimin e kësaj zone ekonomike, si dhe zotohem që komuna do ti kryej të gjitha procedurat e nevojshme, për fillimin e realizimit të këtij projekti me rëndësi për Komunën e Malishevës”, tha kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj.


Kurse ministri Bajram Hasani tha se do të investohet në Malishevë.

“Malisheva nga sot mund të llogaritë në dy projekte të mëdha kapitale, qo do të mbështetën nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, ku njëra është zona ekonomike, e cila do të kushtoj mbi tre milion euro dhe tjetra është inkubatori i bizneseve, që do të kushtoj rreth 500 mijë euro. Pra Malisheva mund të llogaritë në 3.5 milionë euro investime nga MTI. Ne si ministri i kemi dhënë prioritet ndërtimit të zonave ekonomike, pasi përmes kësaj do të ofrohen edhe investitorët e jashtëm dhe të brendshëm”, theksoi Bajram Hasani.

Po ashtu ministri i ka vizituar disa biznese në Malishevë. /Telegrafi /