LAJMI I FUNDIT:

Ministri Hasani ankohet se Dogana nuk po i zbaton vendimet për mbrojtjen e produkteve vendore

Ministri Hasani ankohet se Dogana nuk po i zbaton vendimet për mbrojtjen e produkteve vendore

Qeveria e Kosovës ne mbledhjen e sotme ka diskutuar lidhur me propozimin e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendimin për masat mbrojtëse nga Dogana e Kosovës.

Bajram Hasani, ministër i MTI-së, tha se kjo Ministri ka marr disa vendime për masa mbrojtëse ndaj importit.


“Duke e ditë se Ministria e Tregtisë deh Industrisë është pjesë përbërëse e qeverisë kërkojmë nga qeveria që vendimi për importin e qumështit dhe vendimi për importin e pemëve dhe perimeve dhe gjitha vendimet tjera që merren nga MTI kërkohet të zbatohen nga Dogana e Kosovës”, ka thënë ministri Hasani.

Zëvendëskryeministri, Enver Hoxhaj tha se është praktikë që për vendime të tilla të informohen shtetet përkatëse.

“Ky vendim ka të bëjë me çështje të brendshme dhe të jashtme. Si praktike e komunikimit ndërkombëtarë informohen shtetet para se të përballen me doganën”, tha Hoxhaj.

Ndërsa ministri i Financave Bedri Hamza, tha se Doganat i zbatojnë ligjet dhe vendimet e qeverisë.

“Dogana nuk ka të drejtë me pengu asnjë vendim por dogana i zbaton ligjet dhe vendimet e qeverisë të cilat nënshkruhen nga kryeministri. Secili vendim individual duhet me ardh përmes qeverisë. Kështu është e përcaktuar me ligj kështu ministria e financave vepron”, tha Hamza.

Kurse ministri Hasani tha se Dogana ka tre muaj se nuk i zbaton vendimet për masat mbrojtëse për qumështin dhe produktet e tij.

“Vendimi i qumështit qe 3 muaj nuk zbatohet. Unë po kërkoj nga qeveria që çdo vendim i nxjerrë në kompetencë të ministrit ta zbatoj dogana”, tha Hasani.

Kryeministri Ramush Haradinaj, tha se duhet të kihet kujdes sepse nuk duhet të lejohen gabime nga asnjë institucion.

“Me respekt për vendimin e juaj ne s’guxojmë me bo gabimin me kriju kategori”, tha kryeministri Haradinaj.

Dhurata Hoxha ministre e Integrimeve tha se duhet të jenë të saktë me obligimin për marrëveshjen për stabilizim asociim.

“Ne jemi për mbrojtje të prodhimeve vendore duhet të jemi të kujdesshëm që marrëveshja për stabilizim asociim mos të shkelet, mos t`i shkelim parimet se është marrëveshje ndërkombëtare që e rrezikon procesin e integrimit. Kërkoj që kjo pikë të shtyhet”, tha ajo.

Kurse ministri i MTI-së, Bajram Hasani tha se vendimin për masat mbrojtëse e kanë të bazuar në ligjin anti-dumping dhe atë për masat mbrojtëse.

“Ligji anti-dumping dhe ligji për masa mbrojtëse na lejon këtë veprim. Është bërë analizë e detajuar, për secilin produkt jemi të gatshëm të japim sqarim. Kërkojmë nga dogana ta zbatoj vendimin për importin e qumështit dhe vendimin për masën që është vendos për importin e pemëve dhe perimeve”, tha ministri Hasani.

Pas diskutimeve, Qeveria e aprovoi piken 2 të propozuar nga ministri Bajram Hasani për zbatimin e dy vendimeve. /Kallxo.com/Telegrafi/