LAJMI I FUNDIT:

Ministrat e rinj betohen para Presidentit Meta

Ministrat e rinj betohen para Presidentit Meta

Një ditë pasi morën votën në Parlamentin e Shqipërisë, ministrat e rinj të Qeverisë “Rama”, si dhe zëvendëskryeministri Erion Braçe u betuan para Presidentit të Republikës Ilir Meta.


Ceremonia nisi me Himnin e Flamurit, ndërsa i pari që bëri betimin me dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë ishte Erion Braçe.

Pas tij, me radhë bënë betimin ministrja e Financave, Anila Denaj; ministrja e Transportit dhe Energjisë, Belinda Balluku; ministrja e Arsimit, Besa Shahini; ministri i Bujqësisë, Bledi Çuçi; ministrja e Kulturës, Elva Margariti; ministri i Shtetit për Sipërmarrjen, Eduard Shalsi; si dhe ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali.

Në ceremoninë e zhvilluar në selinë e Presidencës ishin të pranishëm nënkryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi, si dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Anëtarët e rinj të kabinetit.

 1-Erion Braçe, Zëvendëskryeministër

2- Besa Shahini, Ministre e Arsimit

3-Anila Denaj, Ministrja e Financave

4- Belinda Balluku, Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë

5-Elva Margariti, Ministre e Kulturës

6- Elisa Spiropali, Ministre e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin

7- Eduard Shalsi, Ministër i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes

8-Blendi Çuçi, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural. /Telegrafi/