LAJMI I FUNDIT:

Miliarderët për të cilët dihet shumë pak dhe nuk nxjerrin në pah pasurinë e tyre

Miliarderët për të cilët dihet shumë pak dhe nuk nxjerrin në pah pasurinë e tyre

Të rralla janë ditët që kalojnë pa ndonjë lajm për Elon Musk, Mark Zuckerberg, Jeff Bezos dhe pasuritë e reja që ata kanë bërë ose kanë humbur pa e ndjerë ndoshta.

Megjithatë, ka një seri të tërë njerëzish të pasur që e vlerësojnë shumë privatësinë e tyre dhe emrat e të cilëve publiku nuk i ka dëgjuar ndonjëherë, transmeton Telegrafi.


Për ta nuk do të dëgjoni që planifikojnë një përleshje fizike me njëri-tjetrin, si Musk dhe Zuckerberg, apo të debatojnë me të fejuarën e tyre në një jaht prej 500 milionë dollarësh.

Ata e kanë ndërtuar pasurinë e tyre prej vitesh, por të izoluar dhe larg syrit të publikut, madje edhe vetë Business Insider pranon se ka nga ata që askush nuk i di, sepse kanë arritur të ruajnë emrin e tyre edhe deri në Forbes, Bloomberg e të tjera të ngjashme, shkruan Business Insider.

Vlera neto e deklaruar e këtyre miliarderëve është në përputhje me të dhënat e 15 gushtit.

Philip Anschutz

Çdo dashamirës i muzikës ka dëgjuar pashmangshmërisht për Coachella, por njeriu pas një prej festivaleve më të vizituara është shumë më pak i njohur.

Philip Anschutz u quajt “miliarderi më i tërhequr në Amerikë”. Sipas Forbes, pasuria e tij neto është 10.7 miliardë dollarë.

83-vjeçari është pronar i Anschutz Entertainment Group (AEG), kompania mëmë e festivalit Coachella.

Frederick Barclay

Binjakët identikë Sir David dhe Sir Frederick Barclay zakonisht quheshin vëllezërit Barclay. Davidi vdiq në vitin 2021, kurse Fredericku sot është 88 vjeç.

Në vitin 2020, para vdekjes së Davidit, Forbes vlerësoi se vëllezërit kishin rreth katër miliardë dollarë.

Me kalimin e viteve, perandoria Barclays ka shtrirë industri të shumta, duke përfshirë shitjen online Very, i njohur më parë si Shop Direct, gazeta The Daily Telegraph dhe hoteli Ritz në Londër.

Familja Cargill-McMillan

Shumica e gjërave që hanë amerikanët gjatë ditës ndoshta kanë kaluar nëpër një aspekt të biznesit të familjes Cargill-McMillan, të ardhurat e së cilës vitin e kaluar, me çmimet e ushqimeve në rritje, arritën në një rekord prej 165 miliardë dollarësh.

Me një perandori bujqësore që është drejtuar nga shtatë breza, klanin Kargil-McMillan e drejton Kargil (Cargil), një nga kompanitë më të mëdha private të Amerikës.

Ishte familja e tetë më e pasur në botë në listën e Bloomberg në tetor 2022 dhe përbëhet nga 12 miliarderë, raporton Forbes.

Jack Ma

Dikur personi më i pasur në Kinë – pasuria e tij neto është 24.4 miliardë dollarë, sipas Forbes – Jack Ma e bëri pasurinë e tij si themelues i kompanisë kineze të tregtisë elektronike Alibaba dhe kompanisë së teknologjisë financiare Ant Group, e cila operon platformën popullore të pagesave Alipay.

Ndërsa Ma ka qenë në qendër të vëmendjes në të kaluarën – kur ai shënoi pensionimin e tij me një festë prej 60,000 personash në stadiumin Olimpik – është zhdukja e tij nga syri i publikut ajo që ka bërë bujë në vitet e fundit.

Në janar 2021, mediat raportuan se ai nuk ishte parë në publik për dy muaj, duke nxitur spekulime se ai mund të ishte zhdukur.

Zhdukja e tij erdhi pasi rregullatorët kinezë nisën një hetim antitrust ndaj Alibaba dhe vendosën rregullore që bllokuan IPO-në e Ant Group.

Hetiumet pasuan pas vërejtjeve kritike që Ma bëri për sistemin rregullator financiar të Kinës. Megjithatë Ma u kthye në sy të publikut në vitin 2023 kur u pa në Tajlandë, disa orë përpara se Ant Group të njoftonte se kishte hequr dorë nga kontrolli i kompanisë.

Familja Mars

Familja Mars është ndoshta më e njohur për perandorinë e saj të ëmbëlsirave, me marka të tilla si M&M, Snickers, Twix dhe Dove.

Ata zotërojnë gjithashtu marka ushqimore si Ben’s Original, si dhe markat e kujdesit për kafshët shtëpiake Pedigree, Iams dhe Cesar.

Ata konsiderohen si familja e dytë më e pasur në botë, me një vlerë neto prej 160 miliardë dollarësh, sipas renditjes së Bloomberg në tetor 2022.

Familja Mars vlerëson privatësinë dhe kurrë nuk ka kërkuar publicitet personal, tha zëdhënësja Amy Weiss kur u pyet nga Business Insider për koment.

Ike Perlmutter

Isaac Perlmutter, i njohur më mirë si Ike, e bëri pasurinë e tij duke prodhuar figura heroike, të cilat përfundimisht çuan në themelimin e Marvel Comics.

80-vjeçari u bë drejtor i kompanisë në 2005 dhe ishte përgjegjës për shitjen e saj në Disney në 2009 për katër miliardë dollarë.

Sipas Forbes, pasuria e tij neto është 3.9 miliardë dollarë. Perlmutter shihet rrallë në publik. Thuhet se ai kishte mbajtur syze dhe mustaqe false në premierën e “Iron Man” në vitin 2008, raportoi Forbes.

“Ai kënaqet me reputacionin e tij si i fshehtë dhe i kursyer,” shkroi The Hollywood Reporter në 2014, duke cituar një drejtues të lartë që ka punuar me të.

Familja Reimann

Një nga familjet më të pasura të Gjermanisë, Reimanns janë pas konglomeratit JAB Holding Company, i cili tani zotëron marka të tilla si Krispy Kreme, Panera dhe Peet’s Coffee.

Anëtarët e familjes përfshijnë vëllezërit e motrat Wolfgang Reimann, Matthias Reimann-Andersen, Renate Reimann-Haas dhe Stefan Reimann-Andersen, të cilët secili kanë një pasuri neto prej 5.4 miliardë dollarë, sipas Forbes.

Historia familjare e biznesit daton në vitin 1800, kur kimisti Ludwig Reimann iu bashkua Johan A. Benkiser në Benkiser, një kompani gjermane e prodhimit kimik dhe industrial.

Reimann u martua me vajzën e Benkinserit dhe me kalimin e viteve, familja e zgjeroi biznesin – në JAB Holding Company, të quajtur sipas inicialeve të Benkinser.

Vëllezërit Wertheimer

Alain dhe Gerard Wertheimer, të dy në të 70-at e tyre, janë brezi i tretë i pronarëve të Chanel.

Gjyshi i tyre, Pierre Wertheimer, bëri një marrëveshje me Gabrielle “Coco” Chanel në 1924 në lidhje me parfumet e saj tani ikonë, dhe kështu lindi një ent i ri korporativ – Parfums Chanel.

Wertheimer do të bënte aromën e famshme numër 5 në fabrikën e tij, në këmbim të një përqindjeje të kompanisë. Në vitin 1954, mori kontrollin e plotë të kompanisë.

Alan dhe Gerard trashëguan kompaninë kur babai i tyre, Jacques Wertheimer, vdiq në vitin 1996. Alan është presidenti i kompanisë Chanel, ndërsa Gerard drejton divizionin e orëve.

Sipas Forbes, secili nga vëllezërit ka një vlerë prej 32.6 miliardë dollarë. New York Times i quajti vëllezërit “miliarderët më të qetë të modës”. /Telegrafi/