LAJMI I FUNDIT:

Miku i mirë… me kushërinj shumë!

Miku i mirë… me kushërinj shumë!

“Çfarë kishte sot në plazhin e Durrësit? Gjatallarë dhe kosovarë”! Kjo është barsoleta që viteve të fundit përdoret në Durrës. Gjatallarët janë banorë të këtij qyteti; ata me mbiemrin Gjata që në numër assesi nuk mund të jenë sa turistët nga Kosova, por që afërsia i bënë të veçohen për të mirë dhe të duken… “më të fortë e më të shumtë”!

Alban Gjata është një nga “Gjatallarët”. Vitin e kaluar për herë të parë vizitoi Prishtinën. Në kryeqytetin e Kosovës qëndroi dy ditë, gjatë të cilave takoi 35 kushërinj – shumicën e të cilëve për herë të parë. Por, të gjithë ata njihnin të parët e përbashkët. Të gjithë i gëzoheshin këtij takimi. Kjo bëri që një mik i tij ta krijojë një tjetër barsoletë: “Në tokat shqiptare jetojnë kushërinjtë e Alban Gjatës dhe ca të tjerë”!


“Janë gjaku im. Dua t’i njoh. Edhe ata duan të njëjtën, ndaj shpejt e gjejmë njëri-tjetrin”, thotë Albani – pasqyra më e mirë e vlerave që përfaqëson familja e tij: afërsinë, respektin dhe dashurinë për tjetrin.

Albani u lind në Durrës, ku jetoi për më shumë se 20 vite e ku për pak kohë ishte edhe mësues në Shkollën Fillore “Jusuf Puka”. Sot jeton në Bergamo të Italisë. Aktualisht punon në institutin më të madh shkencor të këtij shteti – STMicroelectronics, ndërkaq është një nga qytetarët më të respektuar në rrethin ku vepron.

“Në Bergamo tash për tash nuk dominojmë ne ‘Gjatallarët’”, thotë ai me shaka. “Ndaj, e vizitoj shpesh Shqipërinë”!

Zyhra Gjata, gjyshja e ndjerë e Alban Gjatës

21 marsi shënon fillimin e pranverës. Fillimin e pranverës e shënon edhe Dita e Sulltan Nevruzit. Kjo ditë, për dallim nga shumë shtete të botës, në Shqipëri festohet më 22 mars. Albani pjesën e parë të jetës e kaloi në Shqipërinë ateiste e të izoluar, e pjesën tjetër në një shoqëri tolerante dhe të hapur. Ai nuk ka njohuri të mëdha për fetë, por ndërmerr një rrugëtim për ta kujtuar gjyshen e tij Zyhra që ishte besimtare e devotshme bektashiane. Kështu, më 22 mars shkoi në Krujën e të parëve të tij.

“Moma (gjyshja) ime gjithmonë ishte e qeshur. Kishte një sens të veçantë për batuta. Kurrë nuk ankohej, ndonëse nuk e kishte jetën të lehtë. Më donte dhe e doja shumë”, thotë Albani. “Nuk e harroj kurrë”.

Pamje nga “Sari Salltëku” në Krujë

Qëllimi i tij ishte të bënte rrugën e gjatë e jo të lehtë drejtë Sari Salltëkut, siç quhet shpella më e njohur e këtij qyteti. Në fakt, pas Kalasë së qytetit me të cilën identifikohet Heroi Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Sari Salltëku është rruga tjetër më e njohur e Krujës. Dhe, këto “rrugë” ndërthuren edhe nga legjendat: thuhet se para se Skënderbeu të rimerrte Krujën e tij, më 1443, Shqipërinë e kishte vizituar si misionar bektashian!?

“Ende e ndjej aromën e hashureve që përgatiste gjyshja. Mbaj mend se për t’i bërë si duhet, duheshin 72 përbërës. E, ku t’i merrte ajo ato? Ndaj, si e zgjuar që gjithmonë gjente zgjidhje, vinte mjaltë. ‘Bleta ka shkuar te të gjithë përbërësit tjerë që na duhen’, thoshte ajo”, kujton Albani.

Alban Gjata, Hysen Goci dhe Azgan Goci

Bektashizmi është feja e katërt zyrtare në Shqipëri. Ky besim që pikënisjen e kishte nga islami, u krijua nga Haxhi Bektash Veliu (1209-1271). Ai sot do të quhej njeri kozmopolit, meqë kishte udhëtuar shumë dhe nga këto udhëtime adapton një besim që është ndërthurje mes islamit, judaizmit, budizmit dhe hinduizmit. Njëri nga misionarët më të shquar të këtij besimi në Ballkan, ishte dervishi turk Sari Salltiku (sipas disave mendohet të jetë tatar nga Krimea e sotme), që vdiq rreth vitit 1297-98. Thuhet se ishte një nga ndjekësit më të devotshëm të Bektashit, që ka vizituar edhe Shqipërinë. E, vendi shqiptar që ndërlidhet më shumë me këtë emër është Kruja. Në maje të qytetit ndodhet teqja me emrin e tij, e në fillim të qytetit është tyrbja ku thuhet se është gjurma që ka lënë.

Kushëriri i Alban Gjatës, Hysen Goci, thotë se Sari Salltiku në Krujë “ka vrarë kuçedrën”. Sipas tij, të vrasësh kuçedrën do të thotë të eliminosh një të keqe. Ndaj, beson se ai ka mbrojtur krutanët e dikurshëm nga kolera. Për këtë ai citon një poezi të Dede Ahmetit, kryegjyshit botëror të bektashizmit: “Shpëtimtar i Krujës/ o yll i çlirimit/ i ardhur nga Rumi/ drita e njerëzimit/ I preve kuçedrat/ i hape teqetë/ me shpatën e shenjtë/ si hinqari vetë…”!

Pamje nga Kruja, që nuk ka ndryshuar në vitet e fundit

Hysen Goci është 94 vjeç. I pari i fisit. I fortë e i kthjellët. Ai e njeh mirë historinë e bektashizmit, sidomos në Krujë. Njeh edhe gojëdhënat që ndërlidhen me këtë besim dhe me ndjekësit e tij, të cilat i ka publikuar në veprën “Përmbledhje rreth shenjtorëve të Gjyshatës së Fushë-Krujës”. Këtë libër ai e fal, nuk e shet.

“Besimi nuk shitet”, thotë ai teksa shton se s’ka dallim mes feve, përderisa beson në Zot. “Si myslimani e si i krishteri janë vëllezërit e mi”.

Albani e takoi për herë të parë Hysenin. Me Hysenin ishte edhe Azgani të cilin Albani kishte 35 vite që nuk e ka parë. Këta janë pjesëtarë të familjes Goci, shumë të respektuar në Krujë. Nga kjo familje rridhte edhe Zyhraja.

“Qetësinë dhe durimin e gjyshes e ka Albani”, thotë Azgani, një burrë pranë pensionit, që nuk e fsheh gëzimin që takoi pas shumë vitesh nipin e tij. “Është ndër më të mirët që kemi. E sheh, na ka kërkuar. S’na ka harruar”!

“Nuk jam më i miri. Por, nëse unë shpreh ndonjë mirësi kjo ndodhë sepse dua gjithmonë ta pasqyroj dashurinë që familjarët e mi – qoftë nga ana e babait a po e nënës time – kishin gjithmonë për mua. Jam i lumtur që jo vetëm unë, por të gjithë ne kushërinjtë jemi edukuar të njohim dhe nderojmë njëri-tjetrin, e që respektin dhe mirëkuptimin ta reflektojmë tek secili – kushdo që të jetë ai, shqiptar apo i huaj”, ia kthen Albani.

Alban Gjata i vogël me babanë e tij, Halimin

Teksa i thotë këto fjalë, Azgani përmend një kuriozitet që ndërlidhet me babanë e Albanit, Halimin, që ishte autor i librave të parë të Vizatimit Teknik në Shqipëri.

“Ishte njeri i zgjuar. Kishte një fletore ku shkruante të dhënat për çdo kushëri. Dikur burrat e mençur mendonin për gjërat që sot pakkush u kushton rëndësi. Të afërmit duhet të njihnin njëri-tjetrin, se kështu e shmangnin edhe të keqen e edhe turpin”, thotë ai.

Halimi vdes i ri, më 1983, në moshën 48-vjeçare. Por, si shembull i mirë dhe model që ishte për të gjithë Gjatajt, punën e tij e përfundoi si duhet shkencëtari i njohur e i respektuar i agronomisë në Shqipëri – vëllai i tij, Fadil Gjata.

Profesori Fadil ka përmbledhur në mënyrë të detajuar të dhënat për të gjithë trashëgimtarët e çiftit Hasan Bejtë Gjata (1850-1920) dhe Sulltane Bektash Kaloshi (Kanona) (1855-1955) – gjyshit dhe gjyshes së tij. Ky çift kishte shtatë fëmijë. Njëri nga ta ishte Emrulla Gjata (1886-1971). Emrullau ishte babai i Fadilit – gjyshi i Albanit, tregtar i njohur dikur. Ai martohet me Zyhra Ymer Gocin (1893-1984) në ditën e pavarësisë së Shqipërisë, më 28 nëntor 1912. Bashkë do të kenë 10 fëmijë.

Shtëpia e familjes Gjata në Durrës, që gjatë komunizmit shndërrohet në Maternitetin e qytetit

Sipas përmbledhjes që ka mbi 40 faqe, dhe që vazhdimisht plotësohet, familja Gjata ka qenë e vendosur në fshatin Herr midis Tiranës dhe Krujës. Për shkaqe të pasqaruara mirë, mbase për gjakmarrje siç ndodhte rëndom dikur, shumë pjesëtarë të familjes u vranë dhe kullat e tyre u shkatërruan. Në këto kushte, katragjyshja e Albanit, Bejte Gjata, bashkë me të birin e vetëm, Hasanin disavjeçar, u shpërngul në Krujë në familjen Emiri ku ishte martuar halla e Hasanit, Zoje Gjata. Hasani fillimisht ishte berber, por më vonë nisi të merrej me tregti në Durrës dhe Fier. Traditën e tregtisë e vazhdojnë edhe trashëgimtarët e tij, sidomos Emrullau i cili më 1918 vendoset të jetojë në Durrës.

Riccardo Doneda (miku nga Italia, që njohu për herë të parë Shqipërinë dhe “fenomenin e gjatallarëve”), Dhimitraq Papai, Fadil Gjata dhe Alban Gjata

“Si traditë, në kohën e Turqisë dhe ditëve të para të pavarësisë, mosha e meshkujve regjistrohej më e vogël për të shmangur shërbimin ushtarak. Kurse, grave mosha u shkruhej më e madhe për të lejuar martesën. Prandaj, ditëlindjet e trashëgimtarëve të parë të Hasanit nuk dihen saktë”, thotë Fadiili, i cili përmend edhe një fakt interesant për familjen e tij. “Në kohën kur Shqipëria ishte nën pushtimin otoman, djemtë donin për nuse vajzat jetime, sepse sipas ligjeve në fuqi, kështu përjashtoheshin nga shërbimi ushtarak. Këtë praktikë ndoqën Hasani dhe djemtë e tij të mëdhenj”.

Veç nga Hasani dhe Sulltanja, sot janë 500 trashëgimtarë.

“Por, ne kemi kontakt dhe kemi raporte të mira edhe me miqtë – familjarët nga ana e gruas”, shton Fadili, që mik shumë të mirë ka Dhimitraq Papain, që është burri i tezës së Albanit. Ai është mik i mirë edhe me dajën e Albanit, Sezai Turkeshin – të cilin secili që e njeh e do – i cili po ashtu rrjedh nga një familje e pasur dhe e njohur tregtarësh!

Dajë e nip: Sezai Turkeshi dhe Alban Gjata

“Gjatajt kanë qenë të kujdesshëm kur kanë lidhur miqësi. Sepse, familja për ne është e shenjtë e duam të mbijetojë. Kështu, nga 500 trashëgimtarët, në afro 170 vite që nga lindja e Hasanit, të martuar me të huaj janë vetëm tetë Gjataj”, thekson Fadili, në studimin e të cilit është edhe Peter Erdet Gjata, i biri i Albanit, i lindur në SHBA më 2002. Por, aty është edhe Leonidi që jeton në Shën Petersburg.

“Paqen SHBA-Rusi do ta bëjnë Gjatajt”, qeshet Albani.

Emrulla Gjata, gjyshi i Albanit, ishte një nga tregtarët më të mëdhenj jo vetëm në Durrës, veprimtaria e të cilit shtrihej kudo në Ballkan. Dëshmi e pasurisë së tij është edhe shtëpia ku ka lindur Fadili, në qendër të Durrësit, të cilën më vonë e konfiskojnë komunistët për ta shndërruar në Maternitetin e qytetit. Për Emrullaun familja kishte vlerë, ndaj e dorëzoi pasurinë vetëm e vetëm që trashëgimtarët e tij të shpëtonin.

“Por, në sytë e komunistëve nuk e kishim të lehtë jetën. Ne shiheshim si familje borgjeze”, thotë Fadili.

Pamje nga studimi i Fadilit, për trungun e familjes Gjata

Se sa të afërt dhe respekt kanë Gjatajt për njëri tjetrin, tregon edhe fakti se pas përmbysjes së rendit komunist, pasi ktheheshin pronat e uzurpuara, nuk kishte asnjë mosmarrëveshje mes trashëgimtarëve.

“Kemi kaluar në momente të rënda, por nuk kemi lakmuar kurrë atë që nuk na takon. Kështu, pa problem, në fillim të viteve 1990 janë mbledhur 32 nënshkrime ujdie”, thotë Albani. “Më beso, sot pa problem mblidhen shumë shpejtë 55 nënshkrime. Po shtohemi, por me të njëjtin respekt për njëri-tjetrin”, vazhdon Fadili

Afro 200 trashëgimtarë të Hasanit dhe Sulltanes sot jetojnë jashtë Shqipërisë. Nga trashëgimtarët e Halimit, në Itali jeton Albani me familjen e tij, nëna e Albanit, Sevim, motra e tij Yllka me familje…

“Në Itali jemi 122 kushërinj. Kjo afërsia jonë me njëri-tjetrin u lë përshtypje të madhe italianëve. Është një vlerë që po mungon shumë në Perëndim, e fatkeqësisht së voni edhe te ne shqiptarët”, thotë Albani dhe vazhdon duke qeshur. “Prandaj, ne ‘gjatallarët’ biem në sy! Sepse, ’gjatallarizmi’ është vlerë, apo jo”?!

“Po, është gjë e rrallë kjo lidhje e fortë”, thotë kolegu i punës së Albanit, Riccardo Doneda, që vizitoi për herë të parë Shqipërinë e që vet vjen nga një familje a madhe: ai ka pesë motra dhe tre vëllezër. “Definitivisht po. Ne përherë mblidhemi për festa (jo nëpër shtëpitë tona, sepse nuk na zënë meqë familja e prindërve është zgjeruar në mbi 60 anëtarë). Vlerat e dikurshme familjare kurrë nuk duhet t’i harrojmë”. /Telegrafi/