Mijëra njerëz u mblodhën në Beograd për funeralin e Ratko Mladiqit, ish-komandantit të forcave serbe të Bosnjës, i dënuar nga një gjykatë e OKB-së për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Funerali u zhvillua pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura nga Bashkimi Evropian kundër glorifikimit të kriminelëve të luftës. Në mesin e pjesëmarrësve kishte ish-ushtarë të Mladiqit, të rinj me flamuj serbë dhe të Republika Srpska, si dhe qindra tifozë futbolli.


Arkivoli i tij u shoqërua me duartrokitje, përshëndetje ushtarake dhe muzikë orkestrale, ndërsa në të ishin vendosur kapela ushtarake, shpata dhe medalje, transmeton Telegrafi.

Në ceremoninë fetare mori pjesë edhe patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, i cili tha se emri i Mladiqit do të mbetet i gdhendur në kujtesën dhe lutjet e besimtarëve serbë, duke shprehur mirënjohje ndaj tij.

Edhe pse qeveria serbe kishte deklaruar më herët se Mladiq nuk do të varrosej me nderime ushtarake apo shtetërore, në ceremoni morën pjesë ministrat serbë të Drejtësisë, Kulturës, Mbrojtjes dhe Investimeve Publike. I pranishëm ishte edhe ambasadori rus në Serbi, Alexander Botsan-Kharchenko, si dhe Danilo Vuçiq, djali i presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Trupi i Mladiqit ishte sjellë në Beograd me një avion të dërguar nga qeveria serbe, ndërsa ministri i Drejtësisë, Nenad Vujiq, e kishte shoqëruar atë gjatë kthimit nga Haga.

Sipas Marko Milosavleviq nga Iniciativa Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi, përfshirja e institucioneve shtetërore dhe atmosfera ceremoniale përreth funeralit de facto përbëjnë nderime shtetërore, edhe pse autoritetet pretendojnë të kundërtën.

“Pasi u shpall fajtor, ai humbi gradën në ushtri dhe bashkë me të edhe të drejtën për nderime shtetërore apo ushtarake”, tha Milosavleviq.

Përplasje me Bashkimin Evropian

Brukseli ka reaguar ashpër ndaj mënyrës se si po nderohet Mladiqi në Serbi.

Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, anuloi një vizitë të planifikuar në Serbi, duke argumentuar se glorifikimi rreth vdekjes së Mladiqit është i papajtueshëm me vlerat mbi të cilat bazohet rruga evropiane e vendit.

Komisioni Evropian paralajmëroi se glorifikimi i kriminelëve të luftës, mohimi i gjenocidit dhe revizionizmi nuk kanë vend në Bashkimin Evropian apo në vendet kandidate.

Serbia, e cila synon anëtarësimin në BE, vazhdon të refuzojë ta njohë gjenocidin e Srebrenicës si të tillë, duke e cilësuar atë si një “krim të tmerrshëm”.

Presidenti Aleksandar Vuçiq, i cili nuk mori pjesë në funeral, e përshkroi tubimin si një “shpërthim emocional”, duke thënë se ai nuk kishte të bënte me atë nëse qeveria e kishte lejuar apo jo.

Por kritikët thonë se glorifikimi i Mladiqit nuk është thjesht një reagim emocional, por rezultat i një narrative të ndërtuar ndër vite, në të cilën ai paraqitet si simbol i rezistencës ndaj Perëndimit, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.

Ratko Mladiq u dënua për rolin e tij në gjenocidin e Srebrenicës, ku në korrik 1995 u vranë më shumë se 8,000 burra dhe djem boshnjakë.

Ai u shpall gjithashtu përgjegjës për fushatën e gjatë të rrethimit të Sarajevës, ku forcat nën komandën e tij bombarduan dhe qëlluan mbi civilët e kryeqytetit boshnjak.

Lufta në Bosnje dhe Hercegovinë zgjati nga viti 1992 deri në 1995 dhe shkaktoi më shumë se 100 mijë viktima dhe rreth dy milionë persona të zhvendosur.

Që nga njoftimi për vdekjen e Mladiqit në Hagë, më 27 gusht, admiruesit e tij kanë organizuar homazhe, kanë pikturuar murale të reja me portretin e tij dhe kanë ndezur flakadanë në nderim të tij.

Në një ndeshje futbolli në Beograd, tifozët e Crvena Zvezdës shfaqën një imazh të madh të Mladiqit dhe brohoritën emrin e tij, ndërsa referenca ndaj ekzekutimeve në Srebrenicë u shfaqën edhe në tribunat e stadiumit.

Ky zhvillim ka rritur edhe më tej shqetësimin në Evropë se glorifikimi i personave të dënuar për krime të rënda lufte po përdoret si instrument politik dhe nacionalist në Serbi, në një kohë kur vendi pretendon të ecë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. /Telegrafi/