Miftari: Shkruam historinë në vatrën e serbëve

Drejtori gjeneral i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, për “Zërin”, ka zbuluar se rrugëtimi i tyre në ndeshjen e parë të Ligës Ballkanike në Kumanovë nuk ka qenë aspak i nivelit evropian ashtu siç synon BIBL të jetë.
Miftari ka treguar pritja e maqedonasve ka qenë e nivelit më të ulët ndërsa edhe sharjet e tifozëve vendas ishin nga më të ulëtat.
“Në dukje të parë shihej se nuk duan që basketbolli kosovar të avancojë në Evropë”, ka thënë Miftari.
“Kemi pasur probleme qysh prej se kemi arrit në Shkup. Akomodimi ka qenë i nivelit më të ulët. Sjellja e kryesisë së klubit nikoqirë nuk ka qenë aspak e mirë, e sa i përket tifozëve besoj që i kemi dëgjuar të gjithë ofendimet e tyre të cilat kanë qenë kryesisht në baza nacionale. Megjithatë, shpresojmë se zyrtarët e BIBL do të marrin masa ndaj këtyre veprimeve”, ka shtuar ai Miftari.
Mirëpo përkundër të gjitha këtyre peripecive, “Bardh e kaltrit” nuk u dorëzuan dhe në fund e lëshuan krye lartë palestrën katastrofale e cila gjatë gjithë kohës pikonte nga shiu.
“Ishte një ndeshje historike e cila theu barriera disa vjeçare. Fituam ndaj një ekipi që në përbërje kishte shumë lojtarë serbë të cilët dhanë çdo gjë nga vetja e tyre për të fituar. Por djelmoshat tanë treguan edhe një herë se pse janë krenaria jonë. Megjithatë kjo ishte vetëm ndeshja e parë dhe besoj se ky do te jete vetëm fillimi”, ka përfunduar Miftari.
Sigal Prishtina ndeshjen e dytë në Ligën Ballkanike do ta zhvilloj si vendas të mërkurën ndaj skuadrës Ballkan. /Zëri/Telegrafi/




















































