Pesë ditë më parë Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Slavko Nikiq pjesëtar i lartë i MUP-it serb e kanë akuzuar njëri-tjetrin për krime lufte ndaj popullatës shqiptare, ndërsa për këtë nuk kanë pasur reagime nga institucionet në Kosovë.

Kështu ka reaguar përmes një statusi në rrjetin social në Facebook, Ehat Miftaraj, drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi.


Miftaraj po ashtu u shpreh se nëse kjo aferë do të ndodhte me liderë të Kosovës, Serbia do të informonte Këshillin e Sigurimit dhe siç tha ai do të ishte në të gjitha lajmet e botës e sponsorizuar nga politikanët serb.

“Reagimi i institucioneve në Kosovë i barabartë me ZERO! S’po e kuptoj a kanë frikë ndaj Aleksandër Vuçiq, apo është heshtje e blerë apo shantazhuar.  Nëse aferë e tillë do të ndodhte me liderë të Kosovës, do të informohej Këshilli i Sigurimit, do të ishte në të gjitha lajmet e botës e sponsorizuar nga politikanët serb”, ka shkruar ai.

Ai theksoi se në Kosovë maksimumi që politikanët bëjnë  për poena partiakë janë fotot me familjarë të viktimave të luftës.

“Në Kosovë politika vazhdon me amnistinë nga Vuçiqit dhe krimeve që kanë ndodh në Kosovë.  Në Kosovë maksimumi që politikanët bëjnë  për poena partiakë janë fotot me familjarë të viktimave të luftës. Në ndërkohë, liderët institucional në Kosovë në dy javët e fundit kanë qenë të zënë duke sharë dhe mallkuar Shqipërinë dhe njëri - tjetrin. Politikë anemike, politikë klienteliste, politikë kundër viktimave të krimeve të luftës, politike për interesa personale”, ka shkruar ndër të tjera, Miftaraj. /Telegrafi/