Mickoski: Është arritur një marrëveshje me kultivuesit e specave

Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se situata me prodhuesit e specave është zgjidhur dhe se procesi i blerjes po zhvillohet prej disa ditësh sipas parashikimeve.
Mickoski tha se, sipas informacioneve të marra nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, mes palëve janë zhvilluar bisedime për zgjidhjen e problemit.
Ai theksoi se Qeveria mbështet kërkesat e fermerëve për çmime më të larta të blerjes së produkteve bujqësore, duke nënvizuar se puna e tyre, sipas tij, është nënvlerësuar nga grumbulluesit.
“Ne i mbështesim fermerët për çmime më të larta. Kur u thamë: ‘Hajde të protestojmë së bashku te grumbulluesit’, ata thanë jo. Na thanë se kjo nuk u përshtatet. Atëherë u thamë: nëse kjo nuk ju përshtatet juve, Qeveria nuk është grumbulluese”, deklaroi Mickoski.
Kryeministri shtoi se fermerëve u ishte propozuar që së bashku me përfaqësues të Qeverisë dhe pushtetit lokal të protestonin para grumbulluesve më të mëdhenj, por kjo iniciativë nuk ishte pranuar nga prodhuesit.
Sipas Mickoskit, aktualisht procesi i blerjes së specave po vazhdon, ndërsa Qeveria mbetet e angazhuar për mbështetjen e fermerëve dhe për përmirësimin e kushteve të tyre.









































