Mexhiti: VLEN do të jetë parti e qendrës së djathtë

Njëri nga kryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti, në emisionin vlerësoi se bashkimi i kësaj koalicioni ka ardhur në momentin e duhur.
“Bashkimi i VLEN-it vjen në kohën e duhur. Nuk është as i sforcuar as i vonuar. Për shkak se nuk është e lehtë që të bashkohen subjekte që në të kaluarën ndoshta në drejtime të kundërta, ndoshta edhe kundërshtar politik. Mirëpo kemi dëshmuar që dijmë ta lexojmë votuesin shqiptar. Dijmë ta lexojmë votuesin shqiptar. Fillimisht duke u bashkuar si opozita shqiptarë dhe më pas mundësoj ndryshimin dhe thyerjen e monopolit”, deklaroi Mexhiti.
Mexhiti në “Debat në Shenja” deklaroi se modeli i udhëheqjes me dy kryetarë në kuadër të VLEN-it ka sjellë një frymë të re demokratike në vend.
“Edhe njëra edhe tjetra. Përveç thyerjes së monopolit, sjelljes së konkurrencës. Uroj që kjo konkurrencë të jetë përplasje idesh, programesh dhe platformash, e jo përplasje figurash apo çështjesh personale. Tjetra është se me këtë po sjellim një model të ri dhe një frymë të re demokratike. Nuk e kemi shpikur ne këtë model, ai ekziston te Lëvizja Guxo që funksionon prej disa vitesh”, deklaroi Mexhiti.
Ai vlerësoi si zhvillim të rëndësishëm pjesëmarrjen e Kryeministrit të vendit në një kongres të partive shqiptare.
Sipas tij, kjo është hera e parë që një kryeministër merr pjesë në një aktivitet të tillë politik të partive shqiptare.
“Është hera e parë që një kryeministër i vendit merr pjesë te partitë shqiptare. Edhe kur kanë qenë partnerë, nuk ka ndodhur. Madje, edhe z. Gruevski nuk ka marrë pjesë as në Marrëveshjen e Ohrit. Ky është një hap përpara, që z. Mickoski erdhi dhe e nderoi VLEN-in, i nderoi shqiptarët, duke qëndruar rreth dy orë”, deklaroi Mexhiti.
Mexhiti tha se VLEN do të jetë parti e qendrës së djathtë.
“Mendoj se në mes të mandatit nuk mund të ndryshojmë radikalisht. Ajo që ka ndryshuar mund të quhet orientimi. Është një parti e qendrës së djathtë, që në fillim nuk ka qenë e definuar qartë, pasi ka qenë e përbërë nga disa subjekte me dallime konceptuale. Së dyti, mendoj se VLEN me një zë do të jetë më shumë faktor në proceset brenda vendit dhe në rajon. Pres që të dinamizohet realizimi i programit dhe synimeve të VLEN-it”, deklaroi Mexhiti./Telegrafi/




















































