LAJMI I FUNDIT:

Mësyshi

Mësyshi
Ilustrim

Jarani pati diçka që iku aq herët, por nuk e kuptova. Rrinte sikur të ishte ulur mbi prush. Ndoshta po i vjen inati që po kërkoj nuse edhe një herë?! Ndoshta bash ky më ka ra mësysh kur u martova të parën herë?! Më kujtohet si e patëm ndalur me ndej për qejf edhe dy ditë pas dasmës?! More kurrë mendja nuk më ka shkuar se ai mendon diçka keq për mua, e lëre më të më ketë marr mësysh?!

E mbushur helm plot njëzet vjet pa guxuar ta qeli gojën, gruaja e parë e Lapit, Rrodhëza, kishte vendosur të shfryhet. Nga frika se mund t’i bërtiste i shoqi, ajo iu kishte afruar ngadalë të cungu.


Lapi tashmë ishte zbutur. Dikur kishte kërkuar nuse të re, të bukur e të vyme, ndërsa tash nuk po zgjidhte më. Çka të qon zoti, thoshte vet me veti! Ashtu qysh është shkruar. Iu kishte mbushur mendja të martohej për të tretën herë! Le të dali ku të dali!

– Hiq pa ardhur nuse në këtë shtëpi, e kam ditur që kanë më me marr mësysh në këtë katund me emër të zi, deshi të thoshte e shoqja e Lapit dhe për pak nuk e hapi gojën për ta dëgjuar i shoqi që ishte ulur mbi cungun e druve në oborr. S’di si ma mbushen mendjen me marr burrë ketë farë Lapi. Një bukuroshe si unë me u ba nuse në Zezë, vetëm një fatzeze i bën vaki. Sa budallaqe që isha?! Mund të ikja nga shtëpia për të shkuar në shkollë, po diqysh e kisha iri mësimin. Më pëlqente shumë kur i dëgjoja si flisnin për fejesën time. Nuk flija deri vonë duke menduar si do të duket ai djali me të cilin do të martohem?! Edhe burrë zeza mori mësysh kur e kanë pa çfarë nuseje të bukur mori!

Rrodhëzës iu dëftua para syve koha kur ishte çikë, derisa po priste se çka t’i thoshte të shoqit, të cilit iu kishte bërë mendja top për t’u martuar për të tretën herë.

Lapi krejt i humbur, me kokën varë, as e kishte parë akoma të shoqen që iu kishte afruar të cungu. Gjithçka iu kishte bërë tërkuzë rreth mësyshit që ka marr familja e tij, që kur u martua për herë të parë dhe kur i lindi fëmija i parë si është më së miri. Lapi po mendonte se ndoshta mori mësysh bash nga jarani. Nuk po gjente fjalë çka t’i thoshte gruas për mësysh, kur kishin kaluar gati njëzet vjet nga martesa e parë. Vendosi ta hap punën e mësyshit edhe me gruan. Ktheu kokën ngadalë andej ku po qëndronte e shoqja.

– Mu ka mbushë mendja se kemi marrë mësysh nga dita kur u martuam, oj grua, foli Lapi.

– E pamë çikën tonë, që ti e linde e rrite si më mirë deri atë ditë që e përcollëm me krushqi. E ke parë çfarë problemi na doli?!

Atë ditë, i pata porositur disa burra të zgjedhur nga ana jonë, që të shikojnë mirë secilin krushk kur pinë kafen dhe të mos ndodhë që dikush prej tyre, për inati, për ta prishur dasmën mund ta vjedh ndonjë filxhan. Ata krushqit e kishin pas shfrytëzua pakujdesinë e këtyre djemve tonë në ndonjë çast dhe e kishin vjedhë një filxhan të kafes. Pasi ishin ngritur krushqit, Kafexhiu ynë, kishte numëruar shpejt filxhanët dhe kishte parë që po mungonte një. Derisa pjatalarësi numëronte lekët që kanë lënë krushqit, aty pranë qëndronte i zoti i shtëpisë, apo dikush nga burrat e besueshëm, për të mos shpëtuar ndonjë lekë pa numëruar, apo të shoh mos mungon ndonjë filxhan i kafes.

Edhe po t’i thyente dikush krejt filxhanët, sa ishin miqtë së bashku, as që bënte kush llaf këtë punë, por po ta vidhte dikush nga krushqit një filxhan, atëherë shpërthente belaja. Kafexhiu i kishte numëruar dy herë filxhanët, dhe kishte parë që mungonte një. Kishte alarmuar të zotin e shtëpisë, dhe të dy së bashku kishin numëruar edhe një herë filxhanët, dhe kishin parë që mungonte një. As që bëhej fjalë që filxhani të jetë thyer gjatë punës, apo ta ketë marr dikush nga mikpritësit. Duka kafexhiu, menjëherë vrapoi për të ndaluar flamurtarin. Gjithçka u prapsua. Babai i vajzës thirri të atin e dhëndrit dhe i tha shkurt, se nusen nuk mund ta qojnë më tutje, pa e gjetur filxhanin. U bë rrëmujë, por askush nga krushqit nuk pranoi që ka vjedhë filxhanin. Pas shumë fjalësh, gati sa nuk u bë belaja. Me ndërmjetësimin e burrave, babai i dhëndrit pagoi një shumë lekësh, aq sa i kishte kushtuar krejt harxhi i dasmës. Kështu mori fund maskarallëku i panevojshëm.

Sapo paguan dënimin, Duka liroi bajraktarin e krushqve dhe kolona nisi të zhdërvillet sikur gjarpri. Pa bërë shumë hapa krushqit, ai që kishte vjedhur filxhanin, e vendosi atë në tytën e armës dhe ai krisi. Krushku që kishte vjedhë filxhanin shtiu me armë edhe tri herë. Pas krismave mbretëroi heshtje varri në të dy taborët. Krushqit shkuan, por çikën që morën nuse, burri e lëshoi brenda javës.

Atë ditë më ka pas shkua mendja se krejt kjo ndodhi nga mësyshi, ia priti e shoqja, pa mbaruar mirë fjalën Lapi.

– Ha, ha, ha, qeshi me zë Lapi. Ku e paska lexuar mendimin tim edhe gruaja.

Eu bre!

Çka do t’i thotë tash gruaja e parë, kur ta sjelli gruan e tretë në shtëpi më kërraba? Tri gra, tri ortake, ruana zot, foli vet me veti Lapi, duke ia kthyer shpinën të shoqes. Zoti na ruajt çfarë dreqi janë gratë?! Sa shumë ka duruar e bija thiut, e nuk ka fol deri tash për mësysh!

Gruaja e tij vetëm kishte pritur që burri i saj ta hapte punën e mësyshit. Asaj moti iu kishte mbushur mendja sa kanë marr mësysh, por nuk kishte pas guxim t’i thoshte burrit.

– Po, o ti njeri, edhe ky hoxha i katundit, prej kur jemi martuar, na ka ba sehire.

– Ndali ato fjalë! – i bërtiti gruas, Lapi.

– Hoxha jonë është ma i mirë se ai i Mirushës njëqind herë. Bile ka ardhur të na, thirr e pa thirr, sa herë që kemi pasur nevojë. Gati jam prishë edhe me jaranin nga Mirusha bash për punën e hoxhës. Ai një natë sa ishte për darkë e lëvdoi hoxhën e tyre deri në sabah. Bile ai kishte thënë se burrat e mirë kur vdesin, në atë dynja shkojnë në xhenet, dhe atje i presin nga shtatëdhjetë hyria?!

Hahu! – nxori njëfarë gjëme e shoqja e Lapit.

– A të pëlqyen ty ato hyria të xhenetit a? Mos t’u paska mbushë mendja me marr edhe një grua?

Lapit iu zu fryma. I duk sikur e shoqja ia kishte lexuar mendjen moti dhe vetëm kishte pritur këtë çast.

– Po valla mori grua, dje me tregoi jarani se e kishte gjetur një grua të lëshueme, por ishte puna goxha e pështjelltë. Akoma po frikohej t’i tregonte fije për pe gruas punën e gruas së tretë që tash e kishte vu në thumb dhe vetëm po priste haberin. Kishte menduar gjithçka për ta provuar fatin edhe një herë, por iu kishte mbushur mendja se familja e tij ka marr mësysh moti.

Lapi qe martuar dy herë. Me gruan e parë i lindi një vajzë. Priti edhe pesë vjet por gruaja nuk po lindte më. Mori të dytën grua, por ajo, as pas dhjetë vjetësh, nuk lindi fëmijë. Lapit i iku edhe gjumi. Zgjeroi rrethin e jaranëve e kumbarëve për të kërkuar edhe një nuse. Iknin vitet e Lapit kishte filluar t’i hynte frika se po plakej para kohe, pa e provuar fatin edhe një herë.

Thonë, e treta e vërteta!

Nuk kishte ditë që jaranët e kumbarët të mos kthenin të ai për konak. Shtronte dreka e darka të majme. Nuk shtrohej edhe një darkë pa qengj të pjekur për jaranët. Kthimi i jaranëve me lajme të reja vazhdonte. Një ditë ishte kthyer edhe Qyp jarani. Lapi e kishte pritur me njëfarë buzëqeshje të thartë. Qypi e pa mirë Lapin që ka ndryshuar shumë. Kësaj radhe, duket ja lexoi qehren jaranit të moçëm.

Pasi hëngrën për darkë një gjel të përgatitur me oriz, lanë duart dhe u ulen, përballë njeri tjetrit.
– Hë jaran! A ka ndonjë havadyz (lajm)?- e pyeti Lapi Qypin.

– Besa po, por tash ka mbetur puna të ti, Lap. Ti duhet të vendosësh qysh sot! Pranon apo jo një grua të vejë që e ka lëshua burri!

– Hë, hairi e ndaftë!

– Gruaja e atij Dredhës, kishte pasur një fatkeqësi. E kishte humbur një këmbë. Mjekët, pasi e kishin bërë operacion në spital, dhe pasi ishte shëruar e kishin liruar. Burri i saj nuk kishte pritur as shërimin e gruas dhe e kishte lëshuar, pas tre fëmijëve. Gruaja tash ishte shërua, por po ecte me kërraba. Thash, ndoshta mos i bën behane, por ajo mund të lindë fëmijë. Vendosa të kthehem të ti për të dëgjuar mendimin tënd.

Lapi u përbi nja tri herë, pastaj heshti, thuajse e lëshoi zemra.

Jarani po e shikonte Lapin drejt në sy, dhe pas pak e pyeti.

– Mos u preke fort nga ky lajm?! Nëse ta merr mendja, nesër mund ta bi fjalën?!

Lapi prapë heshti. I dukej sikur nuk i kishte mbetur shteg tjetër. Mendoi vet me veti se ndoshta ashtu qenka shkruar. Ndoshta bash kjo grua qenka fati im i tretë.

– A di çka bre jaran? Shko e merre fjalën, por mos i trego askujt. Së pari nuk durohen këta fqinjët e mi që i kam në derë. Ata krejt kohën kanë mendua me ma hëngër hisen. Bile mendoj ta mbaj atë grua fshehtë sa më shumë kohë që mundem. Nëse nuk lind për një vit, e kthej të baba i saj. Nëse lind fëmijë, ua mbylli gojën të gjithëve!

Qypi iku para sabahit. Shkoi të babai i vejushës. Ai nuk i bëri shumë fjalë dhe ia bëri për hair.

Ashtu siç ishin marr vesh Lapi dhe Qypi, mesiti shkoi për t’ia sjellë fjalën të nesërmen nëpër terr. I tregoi edhe ditën kur mund e merrte gruan. Atë ditë që do ta sillte gruan e tretë, mendoi të mos dilte nga shtëpia deri në terr. Shumë vonë pas darke ngjiti kuajt dhe u nis vetëm. Nuk i besonte askujt. Kishte për të udhëtuar më shumë se dy orë larg. Llogariti mirë për sa kohë do të kthehej në shtëpi ashtu që të gjithë të jenë në gjumë. Ashtu bëri Lapi. Solli gruan e tretë pas gjysmës së natës në shtëpi.

Dy grave të tjera ua mblodhi betë që të mos falsin kurrë për gruan e tretë.

Ashtu vazhdoi më shumë se një vit. Askush pos Qypit dhe Lapit me dy gratë e tij, nuk dinte për gruan e tretë. Për një vit Lapi nuk bëri gjumin gjumë. Edhe me miq ishte marr vesh që mos ta marrin asnjëherë në gjini për një vit rresht bijën e tyre. Për gëzimin e Lapit, gruaja e tretë, pa kaluar një vit, lindi djalë.

Sa mendime të zeza që kishin kaluar nëpër kokën e Lapit dhe ja tash lindi djali. Po si të njoftonte miqtë e jaranët me këtë lajm, kjo punë ju bë sëmundje.

Ishte bindur se dikush i kishte bërë magji për dështimin e dy grave të para. Si do t’i pengonte tash ata që bëjnë magji dhe kush mund të jenë ata. Kishte shumë jaranë e kumbarë. I shkoi mendja për secilin, por e kishte vështirë ta dallonte njërin prej tyre.

Me siguri ai jarani i moçëm më ka bërë serhire sepse i pari ka pas hy në shtëpi kur u martova. E mbaj mend mirë si pat ardhur në dasmë me kerr e me kali. Si pat ndenjur edhe dy ditë pas dasmës. Ku me ditë kur i ka lëshua sehiret?! Pastaj iu kujtua që kishte një dukë tallë ngarkuar në qerre dhe atë ia qiti kalit për ta ngrënë në oborr. Nuk e di pse nuk e pat zgjidhur kalin fare por e la ashtu ngjitur në qerre terë natën. Ndoshta krejt me qellim e la ashtu për ndonjë sherr. Bile edhe vet kur pat hy në odë, më sa mbaj mend, e qiti së pari këmbën e majtë. Edhe kur e patëm shtrua darken bani shumë leçe kishe ka hëngër vonë dhe nuk është unët. Vetëm një ditë e kisha që isha martuar, e ai ndenji edhe dy ditë pas dasmës. Ku me ditë ku e kishte qëllimin?! Mendja nuk me ka shkuar kurrë se ai kishte ardhur me sherr dhe sa duket bash atëherë i la sehiret në odë.

Lapi në këtë gjendje po përpiqej të imagjinonte se kush do të vinte për ta uruar për lindjen e djalit që akoma nuk i kishte hapur sytë.

Për kolonë as që i kishte vajtur mendja. Nuk ia preu mendja fare që fëmijën i pari do ta gjente bash kumbara Radovan.

Para sabahut, Lapi mori djepin me fëmijë dhe e vendosi në udhëkryqin e Shurrëpelës. Vet u fsheh në shkurre, jo larg udhëkryqit, për të parë kush po vjen dhe kush do jetë ai nafakëbardhë.

Krejt i përgjumur nga kujdestaria në kooperativë, po kthehej në shtëpi, Radovani i shkujdesur pasi kishte mbaruar kohën e ndërrimit të natës. Lapi, më nuk kishte kohë të mendonte diçka tjetër. Kështu qenka shkruar, tha duke iu lutur zotit. Ndoshta bash ky kumbara sjell fat. Nuk lëvizi nga shkurret sikur i vdekur për të mos e hetuar kumbara që po vinte, pasi do të ishte sihariq i keq po ta diktonte së në shkurre është babai i foshnjës. Vendosi të mos bënte as gek as mek, derisa kumbara ta prekte djepin.

Radovani akoma pa arritur të djepi, bëri tri herë kryq dhe u ndal. Mendoi i shkreti edhe për ndonjë provokim të fqinjëve. Ku me ditë kush çka mendon këtu në Zezë. Me kanë i mirë ky fshat do të kishte emrin Bardh, mendoi vet me veti Radovani.

Ai mendonte se do të ishte ligësi të mos prekte djepin me fëmijën, e ta anashkalonte. Shikoi në të katër anët mos po lëvizë dikush, por kot. Asgjë nuk pipëtinte. U afrua, u përul, e shikoi foshnjën lidhur me shokëz në djep. Bëri kryq edhe tri herë dhe e preku serish djepin. Nga t’ia mbante? Ta merrte foshnjën akoma nuk kishte asnjë ide. Do pres pak i tha veti. Ndoshta vet Jezusi ka dashur të më sprovojë se çka mund të bëjë kur e gjej një foshnje të braktisur. Mendoj për gruan dhe djalin e vetëm që kishte në shtëpi? Çka do të thotë gruaja! Po djali im? – tha vet me veti Radovani. Çka do t’iu them në shtëpi për fëmijën që gjeta në rrugë?
Lapi po përgatitej duke u dridhur që të dilte nga shkurret dhe t’i tregonte krejt punën kumbarës. Në çastin kur Radovani ishte kërrusur mbi foshnje për ta marr ngryk më gjithë djep, u dëgjua zëri i Lapit nga shkurret.

– Tungjatjeta Radovan! Prit aty!

Radovani nuk bëri më asnjë lëvizje. Lapi doli nga shkurret. U afrua të djepi dhe foli me kumbarën. I tregoi fije për pe çka është puna. Kumbara i uroi Lapit lindjen e djalit dhe të dy u nisen drejt shtëpisë me djepin në krah. Në odën e Lapit, përgatiten një kafe për kumbarën. Lapi thirri dy gratë tjera dhe iu tha që ta marrin defin e të dalin në oborr për të alarmuar fqinjët se diçka ka ndodhë në familjen e tij. Radovani dëgjoi mirë defat dhe tash ishte i bindur se asgjë nuk kishte ndodhur rastësisht. Erdhi në odë edhe gruaja e tretë e Lapit me kërraba. Foli me kumbarën. Edhe Kumbara e uroi për lindjen. Radovani as që kishte dëgjuar një fjalë se Lapi ishte martuar për të tretën herë.

– Fëmija duhet të ketë emrin tim, tha ai. Ashtu kemi menduar edhe na, folën njëzëri Lapi me të shoqen. Po si mund ta pagëzojmë me emrin tënd, kur ti ke tjetër fe foli me gjysmë zëri Lapi.

– E halli?- pyeti kumbara?!

Ndoshta mundemi ta pagëzojmë me ndonjë emër tjetër mysliman, të ngjashëm me emrin e kumbarës. Mos me ia lanë emrin e kumbarës që e gjeti i pari foshnjën në udhëkryq, puna mbetet ters. Atë fat e ka pasur djali, mendoi Lapi. Kushdo që e gjen në udhëkryq, ia len emrin e vet.

– A ban more kumbarë me e përkthye emrin tënd në gjuhen tonë?

Radovanit nuk i erdhi mirë ky propozim. Feja jonë thotë që emri im nuk ndryshon sepse jam pagëzuar në kishë. Prandaj, edhe emri im i përket djalit tuaj, foli Radovani?!

Puna akoma dukej keq dhe kjo po merrej si njëfarë e keqeje që mund ta ndjek djalin. Gruaja nuk fliste. Lapi edhe një herë i tha kumbarës se ishte fat që bash ai e gjeti i pari foshnjën. Nuk dihet kurrë ku është fati dhe kush sjell fat?!

Po feja more kumbarë nuk e lejon me ja ngjitë emrin sikur që e ke ti, se për mua nuk është problem. Emri Radovan i bie si të themi i gëzuar- Gëzim.

Eu, ashtu qoftë, tha Radovani, që kishte mbetur peng i emrit. Tamam Gëzim ta ketë emrin dhe e bajt me shëndet, foli kumbara dhe bëri edhe tri herë kryq afër djepit.

I sollën edhe një palë gërshërë kumbarës, që t’ia pres një ble flokësh djalit të sapolindur. Kështu Radovani u bë kumbarë i familjes së Lapit, por jo krejt sipas të gjitha adeteve. Puna e emrit dhe e fesë, dolën serish në udhëkryq.

Zot bane hair, fliste vet me veti Lapi, i bindur se familja e tij vërtetë ka marrë mësysh..