LAJMI I FUNDIT:

Mesazhi nga takimi i G20-së: Duhet të jemi gati, ekonomia botërore po kërcënohet seriozisht nga Coronavirusi

Mesazhi nga takimi i G20-së: Duhet të jemi gati, ekonomia botërore po kërcënohet seriozisht nga Coronavirusi

Shefat e financave dhe bankierët qendrorë nga ekonomitë më të mëdha në botë mendojnë se rritja botërore kërcënohet seriozisht me Coronavirusin që po shton pasigurinë dhe po godet fuqishëm zinxhirët e furnizimit.

Deri sa pjesëmarrësit në takimin e 20 ekonomive më të mëdha të botës kaluan pjesën më të madhe të kohës duke folur për një përgjigje ndaj shpërthimit të virusit me origjinën në Kinë, në mesazhin e tyre thanë se do të përpiqen të përmirësojnë monitorimin e rrezikut, përcjell Telegrafi.


Coronavirusi deri tani ka vrarë më shumë se 2,700 dhe ka infektuar rreth 80 mijë persona. Vende të tilla si Japonia dhe institucionet si Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik, po iu bëjnë presion shteteve të tjera, për të shpenzuar më shumë e për të ndihmuar në shmangien e një rënieje më të thellë ekonomike. Vendet e G20-së janë pajtuar të qëndrojnë në gatishmëri për të ndërhyrë në politikat e nevojshme.

Ministri i Financave i Arabisë Saudite, Mohammed Al-Jadaan pas përfundimit të takimit u shpreh se, “rritja e ekonomisë botërore po vazhdon, megjithatë ajo mbetet e ngadaltë dhe rreziqet, përfshirë ato që rrjedhin nga tensionet gjeopolitike, tregtare, si dhe nga pasiguria politike, duket se ndikojnë shumë negativisht tek ecuria”.

Shefja ekzekutive e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva ka njoftuar se shpërthimi i virusit ka bërë që huadhënësi të shkurtojë parashikimin e tij për rritjen kineze në 5.6 për qind nga 6 për qind dhe të shkurtojë me 0.1 pikë përqindje edhe parashikimin e tij për rritje globale, por ky është vetëm fillimi, pasi në vijim shihen skenarë edhe më të tmerrshme.

Edhe ministri francez i Financave, Bruno Le Maire duke folur rreth situatës ka thënë se, “ne nuk e dimë se cilat do të jenë hapat e ardhshëm, nëse epidemia do të kthehet në pandemi botërore, por duhet të jemi të përgatitur dhe kjo është pikërisht ajo që vendosëm sot me anëtarët e G20-së”.

Përfaqësuesit e Kinës munguan në mbledhjen e G20-së, pasi autoritetet atje po përqendrohen në luftën ndaj virusit. Ekonomia e dytë më e madhe në botë tashmë po shfaq shenja të qarta dobësimi, por ka të ngjarë të rritet shpejt pasi Coronavirusi të vendoset nën kontroll. /Telegrafi/