LAJMI I FUNDIT:

Merkel kërkon miratimin e shpejtë të Fondit të Rimëkëmbjes prej 750 miliardë euro

Merkel kërkon miratimin e shpejtë të Fondit të Rimëkëmbjes prej 750 miliardë euro

Në një fjalim para eurodeputetëve për fillimin e presidencës gjermane të Bashkimit Evropian, kancelarja Angela Merkel kërkoi solidaritet për miratimin këtë verë të Planit masiv të Rimëkëmbjes, i destinuar për të dalë nga kriza e pandemisë COVID-19.

“Ne kemi nevojë për një solidaritet të jashtëzakonshëm, të gjithë janë të gatshëm, Gjermania në mënyrë të veçantë, për të kapërcyer pandeminë, për të marrë përsipër pasojat”, deklaroi Merkel.


Pas një takimi me krerët e institucioneve evropiane, Charles Michel, Ursula von der Leyen dhe David Sassoli, kancelarja uroi për një ratifikim sa më të shpejtë nga shtetet anëtare të planit të rimëkëmbjes, aktualisht në negocim.

“Pjesëmarrësit ranë dakord që arritja sa më shpejt e një marrëveshjeje për Planin ambicioz evropian të Rimëkëmbjes do të jetë prioriteti kryesor i Bashkimit Evropian në javët e ardhshme”, thuhet në komunikatën e katër drejtuesve.

Ata e gjykuan thelbësore që krerët e 27 vendeve të BE-së të pajtohen gjatë samitit të ardhshëm që mbahet më 17 dhe 18 korrik, i cili do të jetë i pari që do të mbledhë fizikisht drejtuesit që prej fillimit të pandemisë, përcjell ATSH.

Ata do të duhet të shprehen me unaimitet për planin evropian të rimëkëmbjes prej 750 miliardë eurosh, i propozuar nga Komisioni Evropian.

Sipas Angela Merkel, “koha kalon” për një marrëveshje.

“Më të varfrit i kanë xhepat bosh. Është e rëndësishme që rajonet që janë prekur më shumë nga kriza dhe personat që jetojnë në këto rajone të përfitojnë solidaritetin tonë. Është në interesin e të gjithëve. Por, përpjekjet që janë të nevojshme sot nuk duhet të bëhen thjesht nga vendet më të forta ekonomikisht”, shtoi ajo duke iu drejtuar vendeve të ashtuquajtura “të kursyera” si Holanda, Austria, Suedia , Danimarka, shumë të rezervuara mbi këtë plan nga i cili do të përfitojnë mbi të gjitha vendet e Jugut, më të prekurit nga pandemia. /Telegrafi/