LAJMI I FUNDIT:

Merkel fiton edhe më 24 shtator

Merkel fiton edhe më 24 shtator
Ilustrim

Jorgji Kote

Tashmë, kur na ndan vetëm një muaj nga 24 shtatori, dita e zgjedhjeve të reja parlamentare në Gjermani, kushdo që ndjek politikën, shtypin dhe median gjermane vëren mungesën e dukshme të jehonës së tyre në median ndërkombëtare dhe qetësinë relative gjatë kësaj fushate, ndonëse ka dy javë që ajo ka hyrë në “fazën e nxehtë”.


Kjo nuk ndodh ngaqë gushti është muaj pushimesh, por sepse ndryshe nga rasti i Francës dhe Britanisë së Madhe, nga këto zgjedhje nuk priten surpriza; sepse në garë janë dy partitë tradicionale proevropiane, ajo Kristian-Demokrate (CDU) e kancelares Merkel me “simotrën” bavareze CSU dhe Partia Social-Demokrate (SPD), që të tria në bashkëqeverisje. Ndaj, cilido që të dalë fitues nuk do të shkaktojë ndryshime, aq më tepër të rëndësishme në të ardhmen e vendit më të madh të BE-së.

Ajo që bie shumë në sy është se, për herë të parë në historinë zgjedhore gjermane, asnjë temë nuk po arrin “të ndezë” situatën dhe se prej muajsh të gjitha gjasat kanë qenë dhe mbeten që Angela Merkel të fitojë pa vështirësi mandatin e saj të katërt radhazi si kancelare.

Gjatë 30 viteve të fundit e kam ndjekur nga afër dosjen gjermane edhe si diplomat në Bruksel dhe në Berlin për një kohë të gjatë. Por asnjëherë nuk ka pasur një diferencë aq të madhe në sondazhe si tani, kur CDU/CSU ka muaj që kryeson me rreth 40 për qind, ose gati 20 për qind më shumë ndaj rivales së saj social-demokrate.

Pa dyshim që rezultatin e këtyre zgjedhjeve do ta vendosë elektorati gjerman, ndaj të gjitha forcat politike janë angazhuar në takime dhe aktivitete të shumta. Gjithsesi, nisur nga arsyet e shumta që përmendin dhe analistë/ekspertë me zë gjermanë dhe të tjerë, fitorja e Merkel dhe aleatëve të saj të djathtë tashmë duket më tepër një formalitet elektoral.

Treguesi i parë madhor ishte fitorja e trefishtë e CDU-së në tre lande në prag të kësaj fushate e sidomos ajo në muajin maj, në “bastionin” historik të së majtës gjermane të Nord Rhein Westfalisë. Një disfatë “waterlojane” për SPD-në në landin më të madh me 18 milionë banorë, të cilin legjendari Willy Brandt e ka konsideruar “kryeqyteti i social-demokracisë gjermane”. Me këtë fitore në “fushën kundërshtare” Merkel e ngriti edhe më lart stekën e fitores, duke venitur seriozisht shpresat e sfidantit të saj, Martin Schulz. Sikur të mos mjaftonte kjo, tri javë më parë, kalimi i një deputeteje të Gjelbër te CDU-ja e Merkel prishi shumicën e koalicionit me SPD-në në Ladin e Niedersachsen, duke e çuar dhe atë land në zgjedhje të parakohshme me një rrezik të ri potencial për të majtën gjermane.

Natyrisht, në kushte normale kjo nuk do të ishte dhe aq përcaktuese në nivel federal, sepse Gjermania ka 16 lande. Mirëpo, ka dhe shumë aktorë dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm që tregojnë se pse Merkel qysh tani e “ka në xhep” mandatin e saj të katërt si Kancelare.

Duke filluar nga aleatët, Partia tradicionale “motër” e Merkel, CSU e Bavarisë, me 12 milionë banorë, është e sigurt në fitoren e saj, si padrone e vetme në atë land prej 70 vitesh.

Edhe liberalët e FDP-së kanë shënuar rritje të vazhdueshme, me shanse që të futen sërish në Bundestag si aleatja tjetër e mundshme e CDU-së. Mirëpo kjo do të thotë që CDU-ja mund të mos ketë më nevojë për SPD-në për krijimin e koalicionit të ri qeveritar, siç ka ndodhur dy herë këto 10 vitet e fundit. Kurse Aleanca për Gjermaninë (AFD), parti e ekstremit të djathtë që pas forcimit të populizmit dhe krizës së azilit shënoi një rritje spektakolare, ka rënë ndjeshëm; madje, nuk e ka të sigurt as hyrjen në Parlament, çka sërish shkon në favor të Merkel.

E kundërta po ndodh me kampin tjetër politik dhe atë opozitar. Vetë SPD-ja ka mbi dhjetë vjet që tronditet nga kriza e besimit, duke u mjaftuar vitet e fundit vetëm si partner qeverisës nën Merkelin, çka i ka dobësuar ndjeshëm forcën frymëzuese dhe tërheqëse. Ardhja e Martin Schulz në krye të saj disa muaj më parë pas ndryshimit të 4 liderëve vitet e fundit fillimisht i shtoi ndjeshëm shpresat, duke e renditur SPD-në në kuotat e saj më të larta dhe që u njoh si “Schulz efekt” Por, ajo ishte “flakë kashte” që u shua bashkë me tri humbjet e lartpërmendura dhe mangësitë e tjera.

Ndërkohë, humbjet dhe rënia e social-demokratëve në vende të tjera si në Francë, Britani, Spanjë, Greqi, Portugali, Itali, Belgjikë dhe gjetkë janë një faktor tjetër dekurajues për homologët e tyre gjermanë.

Ish-aleatët e saj, “Të Gjelbërit” janë gjithashtu në pozita të dobësuara ndjeshëm, në krizë identiteti dhe me përqindje të pamjaftueshme për një aleancë të mundshme qeveritare si 20 vjet më parë. Veç kësaj, duket se ata “po i bëjnë naze” apo dhe “bisht” një koalicioni të tillë, pasi nuhatin humbjen e SPD-së, siç ndodhi në landin e lartpërmendur.

Gjithashtu, mungesa e një pozicionimi të qartë politik lidhur me një aleancë të mundshme me komunistët e reformuar të cilët gjithashtu janë në rënie e dobësojnë edhe më tej pozitën e SPD-së.

Lind pyetja: Po programet konkrete të këtyre partive në këtë fushatë, nuk kanë ndonjë rol në ndryshimin e gjendjes në favor të SPD-së? Përvoja dhe ekspertët politikë janë pothuajse të një mendjeje, se partitë dhe programet e tyre aktualisht nuk kanë më peshën e mëparshme në fushatat zgjedhore. Dallimet në këto programe janë aq të vogla, sa mund të shihen vetëm me lupën e specialistit, por jo nga shumica e zgjedhësve të thjeshtë. Për pasojë, në këto zgjedhje ka dalë në plan të parë, duke qenë më përcaktuese se më parë roli i liderëve të forcave politike, emri, reputacioni, përvoja, statura e tyre, të lidhur ngushtë me perceptimin publik mbi gjendjen e përgjithshme në të cilën ndodhet vendi.

Lidhur me këtë të fundit, Gjermania pavarësisht nga problemet dallohet për nivelin e saj të lartë ekonomik dhe social; papunësia është më e ulëta gjatë 25 viteve të fundit me 5,6 për qind; për rrjedhojë, Gjermania është bërë sot megamagnet i vërtetë thithës për miliona azilkërkues dhe të tjerë nga e gjithë bota. Kësisoj, gjermanët në shumicë janë të kënaqur me vendin e tyre dhe duan që kjo e tashme të vazhdojë, pa ndonjë ndryshim drastik politik. Janë të vetëdijshëm për rreziqet që u kanosen, sidomos nga kriza e azilit dhe terrorizmi, por e dinë gjithashtu se ato do të jenë bashkudhëtare me këdo parti.

Këtë dukuri të re specifike gjermane e ka vënë në dukje edhe psikologu i njohur gjerman Stephan Grunewald, kur në një intervistë të paradokohshme në të përditshmen prestigjioze “Die Zeit” thekson se gjermanët në masë duan që kjo e tashme të vazhdojë, ata nuk janë të prirur për ndryshime, korrigjime, reparatura, reforma, e ca më pak eksperimente; madje druhen, pasi mendojnë se “në vend të vënë vetullat, mund të nxjerrin sytë”. Edhe vetë SPD-ja është e ndërgjegjshme për një realitet të tillë; ndaj dhe logoja e saj në këtë fushatë është reduktuar te “Gjermania mund të bëjë më shumë”, që gjithsesi “nuk ngjit” përballë asaj të CDU-së “Për një Gjermani ku jetohet mirë”. Edhe logoja tjetër social-demokrate “për drejtësi” është inferiore kundrejt asaj “për siguri” që kërkon CDU/CSU dhe vetë momenti në Gjermani.

E pra, këtë siguri stabiliteti ua jep më së miri Merkeli për shumë arsye bindëse. Sepse ka 12 vjet Kancelare, në situata nga më sfidueset për Gjermaninë, Evropën dhe botën; veç disa sfidantëve të fuqishëm brenda partisë së vet, gjatë kësaj periudhe Merkel ka mposhtur emra të mëdhenj të social-demokracisë gjermane – Schroeder, Steinmeier dhe Steinbruck. Siç u pa qartë edhe ditët e fundit në bashkëbisedimin televiziv “Në një tryezë me Angela Merkel”, ajo nuk është polemiste, por tip i qetë, e matur, jo fjalëshumë apo zhurmëmadhe; nuk merret asnjëherë me sulme ndaj kundërshtarëve dhe jetën e tyre private, por shpjegon në detaje dallimet me idetë dhe temat në diskutim; gjithnjë pragmatiste dhe me pozitivitet shmang gjithnjë tensionet në jetën politike. Kjo i pëlqen shumicës dërmuese të gjermanëve, edhe pse jo të gjithë e duan dhe e besojnë. Falë qëndrimeve të saj afirmuese në vend të frymës së zakonshme denoncuese dhe mohuese, Merkel ka ditur të përballojë relativisht më lehtë dhe pa pasoja krizat e ndryshme madhore të cilat nuk e kanë prekur Gjermaninë, që vazhdon të jetë “lokomotivë” e ekonomisë botërore.

Kështu ndodhi edhe me krizën e azilit dy vjet më parë kur besueshmëria e Merkel ra në kuotat më të ulëta pas deklarimit lidhur me përballimin e krizës së emigrantëve “Wir schaffen das”. Por Merkel e kuptoi mesazhin e zgjedhësve duke marrë masa efektive lidhur me qëndrimin dhe kthimin e azilkërkuesve në masë, çka i ka kthyer dukshëm këtë besim.

Gjithashtu, Merkel shihet dhe nga vetë kundërshtarët e saj si garante në marrëdhëniet e sotme të tendosura ndërkombëtare, me rreziqe dhe kërcënime të shtuara. Ajo konsiderohet, falë përvojës së gjatë si Kancelare, si e vetmja që mund të përballojë me kompetencë Trump, Putin dhe Erdogan.

E kundërta ndodh me perceptimin elektoral për kandidatin social-demokrat Martin Schulz. Pothuajse i panjohur në skenën politike gjermane, krejt ndryshe nga paraardhësit e tij të mëdhenj Brandt, Schmit dhe Schroeder dhe fakti që vjen nga “burokracia e Brukselit”, pasi ka qenë deri në shkurt të këtij viti President i Parlamentit Evropian. Mbi të gjitha, i mungon përvoja e duhur – aq e nevojshme në kohët tona – si qeveritar i lartë gjerman. Ka qenë vetëm kryetar i një bashkie të vogël që pakkush ia di dhe emrin.

Në fakt, Schulz po punon shumë, del çdo ditë me teza dhe ide të reja të brendshme dhe të situatës ndërkombëtare. Sipas ekspertëve, idetë dhe sugjerimet e tij për jetën e përditshme janë të drejta, shqetësuese për Gjermaninë; por, siç u përmend më lart, shumica e elektoratit gjerman nuk do t’ia dijë për to, pasi nuk është i papredispozuar për korrigjime, ndryshime dhe lëvizje, sepse krijojnë pasiguri lidhur me vazhdimin e prirjes së tanishme. Kushdo që e ndjek fushatën aktive të Schulz, mund të vërejë se ai vepron si një shkollar i zellshëm, që i di përmendsh pjesët, vetëm se i mungon spontaniteti i Merkel apo dhe paraardhësit të tij Schroeder. Gati 20 vjet më parë, ky i fundit fitoi ndaj Kohlit të madh me sloganin “Ne nuk premtojmë gjë tjetër, por vetëm se do t’i bëjmë më mirë gjërat”, dhe kjo i eci, sepse gjermanët e donin një alternativë tjetër, kurse sot jo.

Schulz u detyrua ta hiqte nga pikërëndesa e programit elektoral edhe tematikën e BE-së, e konsideruar si “arma” e tij më e fortë në këto zgjedhje, meqenëse është evropianist “i thekur”, që ka kaluar 25 vjet në Bruksel. Por, ndryshe nga Franca, Britania etj., kjo tezë në Gjermani nuk ecën, sepse aty është vetë Merkel lidere e BE-së, por janë të tillë dhe të Gjelbrit, Liberalët e të tjerë. Veç kësaj, ndryshe nga Makron, që krijoi lëvizje të re, SPD-ja 155-vjeçare që udhëheq prej pak muajsh Schulz ka disa vite në koalicion me Merkel, çka të paktën e zbeh jo pak fuqinë dhe besueshmërinë e saj dhe të vetë Schulz. Sepse pas çdo kritike apo propozimi prej tyre, Merkel me shumë lehtësi argumenton bindshëm se SPD-ja ka qenë bashkë me të në pushtet, pra “ku keni qenë deri tani”?

Në këto kushte, kur vështirë të ketë një mrekulli zgjedhore që do ta shpëtonte SPD-në dhe Schulz, objektivi i tyre deri më 24 shtator dhe sidomos në debatin televiziv Schulz-Merkel të datës 3 shtator është maksimizimi i votave për të minimizuar sa të jetë e mundur humbjen dhe, mbi të gjitha, shmangien e ndonjë disfate të turpshme më 24 shtator.