LAJMI I FUNDIT:

Mendimtarët më të vrullshëm prodhuan budallallëqet më të mëdha

Mendimtarët më të vrullshëm prodhuan budallallëqet më të mëdha

Nga: Witold Gombrowicz (pjesë nga Ditari)
Përktheu: Edlira Lloha

Historia e kulturës na rrëfen se budallallëku është vëllai binjak i arsyes, ai lulëzon më fort jo në tokën e paplehëruar të injorancës, por në arën e ujitur nga shtatë palë djersë doktorësh dhe profesorësh.


Absurditetet më të mëdha nuk i shpikin ata që e kanë mendjen të zënë me punët e përditshme. Nuk ka asgjë për të çuditur, pra, që mendimtarët më të vrullshëm kanë prodhuar edhe budallallëqet më të mëdha – arsyeja është makinë që vetëpastrohet dialektikisht, çka do të thotë se fëlliqësia bën pjesë në natyrën e saj. Shpëtimi ynë nga kjo papërsosmëri e ndotur e arsyes gjendet në faktin se kurrë nuk i është kushtuar ndonjë rëndësi aq e madhe arsyes, madje as nga vetë filozofët.

Sa më takon mua, nuk arrij ta besoj se Sokrati, Spinoza apo Kanti kanë qenë njerëz vërtet dhe katërcipërisht seriozë. Sipas meje, serioziteti i tepruar baraspeshohet nga një joseriozitet i tepruar. Por, nga kanë lindur ato koncepte madhështore? Nga kërshëria? Rastësia? Ambicia? Për përfitim? Për kënaqësi, ndoshta?

Nuk do ta njohim kurrë deri në fund ndyrësinë e kësaj zanafille, papjekurinë e saj të fshehtë dhe intime, fëmijërinë e saj, turpin e saj, sepse diçka e tillë nuk i lejohet askujt, as vetë krijuesit … Nuk do t’i shqyrtojmë kurrë rrugët përmes të cilave Kanti-fëmijë, Kanti-djalosh, u shndërrua në Kantin-filozof … por, do të ishte mirë të mos harronim se kultura, dija, janë gjëra shumë herë më mendjelehta nga sa duken. Më mendjelehta dhe më ambige.

Prapëseprapë, imperializmi i arsyes është i tmerrshëm. Sapo arsyeja shquan se një pjesë e realitetit është jashtë kontrollit të saj, menjëherë i sulet për ta shqyer. Nga Aristoteli te Dekarti, arsyeja është sjellë përgjithësisht urtë e butë, duke pandehur se gjithçka mund të kuptohej. Por, “Kritika e arsyes së kulluar”, mandej Shopenhauer-i, Niçja, Kirkegori dhe të tjerët nisën të vënë caqet e territoreve ku mendimi nuk depërtonte dot, duke zbuluar kësisoj se jeta tallej me arsyen. Këtë arsyeja nuk e duronte dot, ndaj dhe, ç’prej atëherë, ka nisur tortura e saj, e cila, me ekzistencializmin, ka arritur pikën kulminante të tragjikomedisë.

Këtu, tashmë, arsyeja shihet sy më sy me tallësin më të madh dhe më të pakapshëm – jetën. Vetë e zbuloi dhe e konkretizoi këtë armik: mund të thuhet se e pleqëruan aq gjatë sa, më në fund, menduan diçka për të cilën nuk mendonin dot.

Në trend Kultura

Më shumë
VETMI

VETMI

Fjala+
DIKUSH E DOGJI AMERIKËN

DIKUSH E DOGJI AMERIKËN

Poezi
VITET E ARTA

VITET E ARTA

Poezi
FËMIJA

FËMIJA

Poezi
“PLURALIZËM”

“PLURALIZËM”

Kulture
SHTËPIA E RE

SHTËPIA E RE

Poezi
Kalo në kategori