LAJMI I FUNDIT:

In Memoriam: Adem Gashi, poeti që i këndoi lirisë

In Memoriam: Adem Gashi, poeti që i këndoi lirisë
Adem Gashi

Nga: Berat Dakaj

Me Adem Gashin (1953-2024) rrinim dhe pinim kafe pothuajse çdo ditë në “Edi 2”. Kur ndonjë ditë mungoja ose mungonte, e pyesnim njëri-tjetrin në telefon: “Kah i ke çadrat sot?”


Kurrë nuk më ankohej për shëndet të lig. Çdoherë i ankohesha për dhembje fyti, dhembje të nyjave, për ndonjë dhembje tjetër fizike. “O si topi je, hiqi këto vese! A ma ke dëgjuar mua ndonjëherë ndonjë ankesë?” “Jo valla kurrë”. “E pra, mos u bëj vend sëmundjeve të paqena”.

Nja dy ditë mungoi radhazi në “Edi 2”. “Me grip jam”, tha. Të shtunën kishte pasur ankesë të dhimbjes në shputën e këmbës së majtë. U paraqit në spital, e shtrinë në Kirurgjinë Vaskulare. Të dielën donte të udhëtonte për Shtime, në një garë poetike, por e kishte të pamundur. Për jurinë dhe për pjesëmarrësit donte ta lexonte poezinë në një linjë telefonike me Emin Z. Eminin. S’e bëri, se kishte vështirësi në të folur.

Dje, bashkë me Emin Z. Eminin, shkuam e vizituam në spital. Frymëmarrjen e kishte të vështirësuar. Parametrat e tensionit, të oksigjenit, të pulsit, normale. Fliste me ton të trashë, të ngadalësuar dhe nuk mund të përqendrohej. Shoqja e tij, Drita, na njoftoi se i kanë bërë një intervenim në këmbën që i ishte nxirë. Folëm edhe pak me të. Kur erdhën miq të tjerë të tij, u përshëndetëm me të. “Do të vij të të vizitoj në banesë” – i thashë. Emini ma priti: “Jo në banesë, por në ‘Edi 2’ në javën tjetër do të pimë kafe bashkë”. Gjatë daljes nga dhoma na përcolli Drita. E pyetëm çfarë po thonë doktorët? “Po na thonë se ka një infeksion. Asgjë tjetër”. U lutëm për shërim të shpejtë dhe me Eminin dolëm nga spitali. Pimë kafe në një restorant në kompleksin e QKUK-së dhe biseduam për gjendjen e Ademit. “Emin, Ademi m’u duk në gjendje të rëndë. Inshallah i ndihmon Zoti!”. “E kalon, Berat, e kalon. Është i fortë. S’ka pasur kurrë ankesë. Historinë e shëndetit e ka të pastër”.

Mbrëmë, për shkak se kisha një ndjesi të keqe për të, i shkrova Dritës në “Facebook”, se ajo e mbante celularin e tij. E pyeta për Ademin. Deri në orët e hershme të mëngjesit nuk e lexoi mesazhin tim. Pastaj, nga djali i tij, Dardani, mora kumtin e mortit: “Të Allahut jemi dhe tek Ai do te kthehemi. Sot në mëngjes, baba ynë Adem Gashi ndërroi jetë. Varrimi i Ademit bëhet sot (e martë) në ora 15:00 në fshatin Nekoc/Drenas”.

Me Adem Gashin kemi bashkëpunuar gjatë edhe për librat e tij, edhe për të miqve dhe të mikeshave të tij. Bisedat më të shumta i kishim për letërsinë. Për librat. Për poezitë. Për tekstet e këngëve që i shkruante e që m’i jepte t’i lexoja. Ai i ka kënduar lirisë si asnjë poet tjetër. Ai u ka thurur vargje heronjve si asnjë poet tjetër. Qoftë i përjetshëm kujtimi për të! Dhe do të jetë!

Në trend Kultura

Më shumë
Kush i nëmi “Bjeshkët e Nemuna”?

Kush i nëmi “Bjeshkët e Nemuna”?

Kulture
NË MUNDSH

NË MUNDSH

Poezi
Vepra dhe veprimtaria Kombëtare e Pashko Vasës

Vepra dhe veprimtaria Kombëtare e Pashko Vasës

Kulture
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Bardi i Bruklinit

Bardi i Bruklinit

Kulture
“Shiu pushonte dhe dilte dielli, kur në tribunë shfaqej udhëheqësi ynë Enver Hoxha”

“Shiu pushonte dhe dilte dielli, kur në tribunë shfaqej udhëheqësi ynë Enver Hoxha”

Kulture
Kalo në kategori