LAJMI I FUNDIT:

“Mëhalla e grave”, një histori imagjinare e Shkupit

“Mëhalla e grave”, një histori imagjinare e Shkupit

“Mëhalla e grave” është romani më i ri nga shkrimtari Kim Mehmeti, botuar nga Shtëpia Botuese “Agora”. Një histori tërheqëse, një ‘mëhallë’ e madhe, e zhurmshme, me gra që thurin pikërisht historinë e një vendi, vjen e rrëfyer me mjeshtëri nga Mehmeti. Ai në këtë roman të ri ka ditur të shpalosë tri kohët: të djeshmen, të sotmen e të ardhmen brenda një lagjeje që ka ligjet dhe rregullat e veta, ka botën e vet… Gruaja është në qendër të një shkuare, por siç e thotë edhe vetë shkrimtari, “një e shkuar imagjinare” që vjen përmes betejash, sfidash, triumfesh dhe që të shtyn drejt thellësive të shpirtit njerëzor, të ekzistencës sonë në përgjithësi.

Nga: Luljeta Nelallari

“Mëhalla e grave” është libri juaj më i fundit, pse keni zgjedhur pikërisht gratë për t’i trajtuar në këtë roman?

Në këtë roman merrem me të shkuarën e Shkupit, por me të shkuarën që nuk mund ta gjesh në asnjë libër të historisë, me të kaluarën që më së miri është shkruar në mbëmendjen e grave. Pra, merrem me historinë imagjinare të Shkupit, pa të cilën është jo e plotë ajo e shkruara nëpër monografi e libra të historisë.

Libri është përfunduar në kohën e pandemisë, si ka ndikuar kjo periudhë në trajtimin e këtij libri?

Ka vite që këtë libër e shkruaj në kokën time. Në të vërtet ashtu i shkruaj librat e mi: në imagjinatën time, e që pastaj të rrjedhë në letër thuajse pa asnjë ndërhyrje. Andaj mund të them se periudha e pandemisë kur u finalizua ky roman nuk kishte ndonjë ndikim në përmbajtjen, sa në disponimin tim.

Në ç’vend zhvillohen ngjarjet?

E thashë edhe më lart: ky libër ka të bëjë me të shkuarën e Shkupit. Më saktë, me të vërtetë se edhe vendbanimet, njësoj si njerëzit, kanë fytyrën, karakterin, shpirtin dhe të shkuarën e vet. Fytyra e tyre janë ngrehinat mbi tokë dhe shpeshherë, njësoj si njerëzit, edhe vendbanimet e zbukurojnë apo e mbulojnë pamjen e jashtme, bëjnë çmos të mos shihen shëmtitë e tyre.

E ,“Mëhalla e grave”, për të cilën shkruaj në këtë roman, është një nga ato lagje që e shpalos fytyrën e vërtetë të së shkuarës së vendbanimit ku ndodhet. Por, siç e thashë më lart, bëhet fjalë për të shkuarën e “shkruar” në mbëmendjen e banoreve të saj, për kujtesën që me dekada e shekuj është përpunuar në “punëtorinë” e quajtur imagjinatë!

Çfarë përfaqëson një grua në shoqëri, si e ndryshon ajo botën?

Gruaja është ‘fole’ ku ngjizet jeta dhe ajo është kujtesa e lindjes. Me vetë atë ajo i jep kuptim jetës së një shoqërie.

A është ky roman një udhëtim në histori dhe si pasqyrohet rruga e grave në të ardhmen?

Ky roman është rrugëtim nëpër shtigjet e së shkuarës, por shtigje që të mundësojnë më qartë t’i shohësh udhët e të sotmes. Dhe këtij rrugëtimi i prijnë gratë. Pra, siç e hapin rrugën e jetës, ato e mirëmbajnë edhe udhën e mbëmendjes për të shkuarën tonë.

Si janë pritshmëritë tuaja për këtë roman?

Autori beson në atë që shkruan dhe boton. Por, ky besim nuk vlen gjë nëse atë nuk e mbështesin lexuesit. Shkurt e shqip: autori e lind veprën, por asaj i japin jetë lexuesit. /Gazeta “Si”/