LAJMI I FUNDIT:

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve: Zyra e Prokurorit të Specializuar po synon kontroll mbi dëshmitarët

Mbrojtja e Thaçit dhe të tjerëve: Zyra e Prokurorit të Specializuar po synon kontroll mbi dëshmitarët

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka propozuar një kornizë për trajtimin e informacionit konfidencial dhe kontaktet me dëshmitarët e cila është kundërshtuar nga avokatët e mbrojtjes të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Sipas mbrojtjes së Thaçit dhe të tjerëve, është e papranueshme kërkesa e ZPS-së që të jetë e pranishme kur mbrojtja të intervistojë dëshmitarët e prokurorisë dhe ajo për masa mbrojtëse për të gjithë dëshmitarët.


Avokatët kanë deklaruar që prokuroria po synon kontroll mbi dëshmitarët.

Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake të urdhërojë zbatimin e kornizës së prezantuar, për të cilën ka thënë se është e domosdoshme për të mundësuar që shumë prej dëshmitarëve të japin dëshmi, sipas tyre, pa frikë.

ZPS ka kërkuar që ekipet e mbrojtjes t’i raportojnë prokurorisë se me cilët dëshmitarë kanë kontaktuar, cilët i kanë intervistuar dhe të nxjerrët dokumentim apo incizim i këtyre intervistave.

“Sa i takon intervistave të përbashkëta, ZPS parashtron se ekipet e mbrojtjes nxiten që të zhvillojnë intervista të përbashkëta. Madje në rastin e dëshmitarëve që kanë statusin e viktimës duhet të jetë e detyruar që ta bëjë këtë gjë, me të gjithë dëshmitarët, sidomos për viktimat, intervistat në një numër të madh të rasteve janë ritraumatizuese”, ka thënë prokurori, i cili e ka paraqitur kornizën.

ZPS ka deklaruar që një protokoll i tillë është i nevojshëm, sipas tyre, për shkak të sigurisë së dëshmitarëve dhe frikës që mund të kenë për të dëshmuar.

“E shkuara ka treguar se proceset gjyqësore kundër personave të pandehur që akuzohen për krime të kryera ndërkohë që kanë qenë anëtarë të UÇK-së, qoftë edhe kur nuk kanë qenë nga nivelet e larta drejtuese janë karakterizuar nga një nivel i jashtëzakonshëm stresi dhe frike nga ana e dëshmitarëve dhe se shumë prej këtyre dëshmitarëve ose kanë refuzuar që të dëshmojnë ose kanë ndryshuar dëshminë e tyre kur kanë dalë në sallën e gjyqit… ZPS mendon se korniza duhet të miratohet dhe palët duhet të veprojnë brenda kësaj kornize, prandaj ne ju kërkojmë që të urdhëroni që të zbatohet korniza siç e kemi propozuar ne, të urdhëroni ekipet e mbrojtjes t’i raportojnë prokurorisë se me cilët dëshmitarë kanë kontaktuar, cilët kanë intervistuar përpara se të merrej vendimi për zbatimin e kësaj kornize dhe të nxjerrim çdo dokumentim apo incizim të këtyre kontakteve dhe intervistave”, ka thënë prokurori.

Ndërsa avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory W.Kehoe ka kundërshtuar prokurorinë në qëndrimin saj se ekziston një klimë frikësimi për dëshmitarët.

“Po i kërkojnë kësaj gjykate t’u jap atyre atë që kërkojnë, sepse thonë që ekziston një klimë frikësimi. Kush është frikësuar? 157 dëshmitarë të mbrojtur,  cili prej këtyre 157 dëshmitarëve të mbrojtur është frikësuar? A ka ndonjë provë, cilado provë të dëgjojmë atë, por të dëgjojmë këtë budallallëk të paraqitur para jush sikur po ju them që është një paradë e tmerrshme dhe ne duhet të paraqitemi para çdo interviste që bënë mbrojtja. Ne duhet të jemi përpara aty dhe dëshmitari nuk do të mund të heq dot dorë nga kjo. Është një diçka që paraqitet nën maskën e klimës së frikësimit. Ekspertë ndërkombëtarë që nuk ka mundur ZPS t’i marrë për të paraqitur dëshmi mos është kërcënuar vallë, mos e ka këshilluar njëri që të mos e bëjë këtë apo mos do të dëmtohej personalisht ai apo të dashurit e vet, sigurisht që jo. Problemi i gjykatës këtu është që ajo që ata po ju paraqesin është klima e frikës për qëllimet e tyre, për të keqen e klientit tim dhe të akuzuarve të tjerë, të cilët kanë të drejtë të flasin me këta dëshmitarë jashtë pranisë së ZPS-së, e cila do të sjellë frikësimin e tyre aty”, ka thënë mbrojtja e Thaçit, raporton KP.

Sipas Kehoe, ZPS po synon kontroll mbi dëshmitarët e mbrojtjes.

“I gjithë argumenti që ekziston këtu që ka një spektër dëmtimi të dëshmitarëve nuk ka pikë vlere, nuk është e mbështetur fare në fakte. Çdo pretendim që kemi ngritur kundër ZPS-së të gjitha pretendimet tona janë të vërteta, megjithatë t’i lëmë me një anë këto. Më lejoni të them që nuk ka pasur asnjë provë materiale, ose të asnjë lloj të tyre që na është sjellë ne në vëmendjen tonë ose ju është dërguar juve zotëri gjykatës që të ju tregojnë që dëshmitarët, që prej momentin të aktakuzës në 2020, pra nuk kemi asnjë provë të vetme që tregon që një person që është pjesë e bankës së dëshmitarëve që është cenuar, por kjo është një mënyrë për të treguar ata duan që të kenë kontroll të dëshmitarëve tanë dhe duan që gjërat t’i bëjnë siç duan ata vet. Pra, duan të kenë kontroll mbi dëshmitarët e tyre dhe mbi dëshmitarët tanë, ndërkohë që duan të jenë të pranishëm kur ne do të flasim me dëshmitarët e ZPS-së”, ka thënë Kehoe.

E avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson ka thënë se një propozim i tillë i ZPS-së nuk duhet të zbatohet dhe sipas tij nga masat mbrojtëse duhet të përjashtohen çdo dëshmitar që nuk pretendohet se është viktimë.

“Nëse prokuroria thotë se nuk mund të ia kesh besën mbrojtjes kjo është për të qeshur. Kam frikë se i gjithë sistemi në këtë rast do të rrëzohej sepse gjithçka besohet në besimin midis palëve. Nuk e di nëse ka nevojë që t’u drejtohem në hollësi për propozimin qesharak të prokurorisë dhe për çështje që ka ngritur në gjykatë hapur dhe për sjelljen e prokurorisë në këto procedura të cilat në vetvete janë kërcënim për bashkëpunimin e dëshmitarëve… Nëse miratohet ky protokoll ashtu siç propozohet do të ishte e pamundur që çështja gjyqësore të ishte e gatshme për gjykim brenda afateve praktike, sa më shumë të zgjasë procedura paraprake aq më shumë do të qëndrojnë në paraburgim se duhet ta supozojmë që do të qëndrojnë në paraburgim të akuzuarit”, ka thënë Emmereson.

Ai ka kritikuar sjelljen e ZPS gjatë gjithë kësaj kohe.

“Prokuroria e ka keqorientuar gjykatën në shumë mënyra dhe prokuroria ka adresuar takimin e ambasadorëve evropianë lidhur me të akuzuarit. Pra, kemi pasur zhvillime të tmerrshme lidhur me sjelljen e prokurorisë, mbase toni që kam përdorur unë mund të ketë reflektuar ato që unë kam ndjerë, që është një shok, një tronditje e vërtetë për mënyrën se si prokuroria është sjellë gjithë kësaj kohe dhe si është lejuar të sillet. Por të thuash se unë jam një person që do të kryeja krim në përgatitjen e çështjes së mbrojtjes do të ishte e turpshme dhe një shembull i mirë sesi prokuroria ka humbur çdo arsye, çdo logjikë dhe është e dëshpëruar”, ka shtuar avokati i Veselit.

Gjithashtu mbrojtja e Rexhep Selimit e ka kundërshtuar kornizën e propozuar nga ZPS çka sipas tyre prokuroria po synon t’i ketë në zotërim të gjithë dëshmitarët.

Sipas tyre, nuk duhet të jetë detyrim që intervistat të bëhen në mënyrë të përbashkët meqë një gjë e tillë do të mund të pengonte mbledhjen dhe paraqitjen e provave nga an e mbrojtjes.

E mbrojtja e Jakup Kransiqit ka deklaruar që problemi kryesor i protokollit të propozuar është që shmang vlerësimin e dëshmitarëve specifikë nëse ata kanë nevojë për masa mbrojtëse derisa kërkon vendosjen e masave për të gjithë dëshmitarët pavarësisht nga nevoja.

Konferenca e radhës mbi ecurinë e çështjes ndaj Thaçit dhe të tjerëve do të mbahet më 25 mars.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, lidhur me pretendimin për krime lufte, është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.

Thaçi dhe të tjerët po mbahen në qendrën e paraburgimit në Hagë nga nëntori i vitit 2020.

Në trend Lajme

Më shumë
Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Qeveria vendosi: 24 prilli dhe 8 maji ditë jo pune për të gjithë qytetarët

Lajme
Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Komandanti suprem i NATO-s, Cavoli: Po i shtojmë forcat në Kosovë dhe Bosnje, po sjellim artileri të rëndë

Lajme
Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Arrestohet një i dyshuar lidhur me rastin e ukrainases që u gjet e vdekur në autostradën Ferizaj-Prishtinë

Drejtësi
Përfaqësuesi i Shqipërisë në KiE: Kosova ka plan të jashtëzakonshëm për të siguruar anëtarësimin në  Këshillin e Evropës

Përfaqësuesi i Shqipërisë në KiE: Kosova ka plan të jashtëzakonshëm për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Lajme
”Të lutem avokate le të del nga burgu, po du me u pajtu”, avokatja tregon se shumë gra tërhiqen nga denoncimi i dhunës

”Të lutem avokate le të del nga burgu, po du me u pajtu”, avokatja tregon se shumë gra tërhiqen nga denoncimi i dhunës

Sociale
Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Pronari i “Zhitia Turist” tregon se çfarë u është thënë udhëtarëve të ndaluar nga Serbia në kufi

Lajme
Kalo në kategori