LAJMI I FUNDIT:

Mbrojtja dhe përkrahja më e madhe e produkteve vendore ishte kërkesa e bizneseve të Gjakovës

Mbrojtja dhe përkrahja më e madhe e produkteve vendore ishte kërkesa e bizneseve të Gjakovës

“Kafja e mëngjesit” një event i cili po pëlqehet nga bizneset për arsye të komunikimit të drejtëpërdrejtë me përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës dhe ngrijten e shqetësimeve të tyre, kësaj radhe u mbajt me bizneset e komunës së Gjakovës.

Bizneset e Gjakovës e mirëpritën këtë takim duke u shfaqur me interesim për diskutimin e çështjeve të ndryshme që po i interferojnë ata gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre.

“Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, paraqiti para pjesëmarrësve propozimet e bëra nga OAK për qeverinë e ardhshme e të cilat janë përcjellur tek partitë politike para fillimit të fushatës në mënyrë që të inkorporohen në programet e tyre politike. Kundërshtimet e udhëzimeve administrative me ligjet bazë, ligji për pushimin e lehonisë, ligji i punës, mungesa e ligjit për tregti të brendshme ishin disa nga çështjet që i ngriti Krasniqi gjatë prezentimit. Gjithashtu, ai theksoi që Kosova ka nevojë për promovim të produkte vendore dhe krijimin e produkteve strategjike në mënyrë që ato të jenë sa më konkurrente në tregun vendor dhe ndërkombëtar”, thuhet në njoftimin për media.

Përfaqësuesi i biznesit Rroni Fer, Besfort Kameri theksoi problemet që po has biznesi me terminalet doganore, ku edhe pse vazhdon me procedura të thjeshtëzuara ato po ndeshen me procedura edhe më të komplikuara. Çështje tjetër ishte kosto e terminalit doganor, e cila po dëmton bizneset dhe në këtë rast duhet të merr shteti përsipër këtë pjesë e jo të jenë private siç ndodh aktualisht.

Ndërsa, përfaqësuesi i biznesit Albi-MC Reshat Cana paraqiti problemet që jo vetëm biznesi i tij po shumë biznese prodhuese po përballen, me mos konsumimin ose blerjen e produkteve vendore dhe gjithëmonë ka kërkesa nga konsumatorët për produkte jashtë Kosovës. Ai theksoi që duhet të investohet në promovimin e tyre dhe kualitetin, në mënyrë që të ndryshojë vetëdija e konsumatorëve që të përkrahet prodhimi vendor.

Shqetësim i biznesit Mebelstil është marrëveshja tashmë e nënshkruar më shtetitn e Turqisë për tregti të lirë, gjë e cila do i dëmtojë bizneset prodhuese të Kosovës të cilat ende nuk mund të jenë të konkurrueshme me ato turke.

Një shqetësim tjetër gjatë këtij organizimi u theksua edhe fakti që ka të bëjë me ikjen e punëtorëve për në vendet e jashtme, ku përfaqësuesi i biznesit S-Imeri propozoi që në profesionet që kanë mungesë të kuadrove, në të njejtën mënyrë siç bëjnë shtetet e jashtme për ofrime të vendeve të punës ta praktikon dhe Kosova.

Propozim i pronarit të biznesit La Villa, Astrit Rexha ishte që seminaret dhe trajnimet që organizohen nga shteti të mbahet në hoteleritë e Kosovës dhe jo jashtë vendit dhe që ulja e taksës për turizëm është mëse e nevojshme, që të aplikohet ashtu siç e kanë edhe vendet e rajonit në 5%.

Nënkryetari i bordit Arsim Selmonmusaj, shtoi që Kosova duhet të dalë nga CEFTA si UNMIK dhe të aplikojë si Republikë duke e rinegociuar marrëveshjen dhe mbrojtur produktet më me potencial që ka vendi ynë, në mënyrë që si çdo shtet tjetër që i mbron produktet e tij nëpërmjet politikave fiskale apo politikave të brendshme të veprojë edhe Kosova.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga Kryetari i bordit Skënder Krasniqi, Nënkryetari i bordit Arsim Selmonmusaj, Koordinatorja Qëndresa Ibrahimi, Zyrtaret Rreze Cana dhe Zgjim Prebreza. Ndërsa nga bizneset të e pranishëm ishin: Baton Kusari dhe Djellza Nushi nga Leis Hygienic, Fisnik Kuqi nga Rrënjët tona, Erblin Tabaku Mebelstil, Manuel Domgjoni Art Konstruksion, Nikolë Karaqi nga Euro Term, Ardian Canhasi Center Mall, Fatlind Bokshi Wear&Go, Reshat Cana Albi-Mc, Brahim Golaj nga Qumeshtorja Golaj, Besfort Kameri nga Rroni Fer, Astrit Musa nga ACA, Sahit Imeri nga S-imeri dhe Arsim Rexha nga biznesi Hotel La Villa. /Telegrafi/