LAJMI I FUNDIT:

Mbi 200 kompani vendore e të huaja pjesë në Panairin e Turizmit, Osmani: Pozita gjeografike e Kosovës krijon mundësi të jashtëzakonshme për vizitorët

Mbi 200 kompani vendore e të huaja pjesë në Panairin e Turizmit, Osmani: Pozita gjeografike e Kosovës krijon mundësi të jashtëzakonshme për vizitorët

Mbi 200 kompani nga 10 vende janë pjesëmarrëse në Panairin e Turizmit që do të mbahet për tri ditë më radhë në Prishtinë.

Në hapje të këtij panairi, presidentja Vjosa Osmani tha se pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të jashtëzakonshme për turistët.

“Pozita gjeografike e Kosovës krijon një mundësi të jashtëzakonshme për turistët të cilët do të mund të vizitojnë vendet me lehtësi dhe me një kohë të shkurtër”, tha Osmani, shkruan Telegrafi.

“Kosova ka potencial të jashtëzakonshmë turistik, sikurse janë Brezovica, Gërmia, Prevalla, Malet e Sharrit, Bjeshkët e Nemuna, Bjeshkët e Rugovës, Shala, Bajgora, Ujvara e Mirushës, burimi i Drinit, Batllava, Bifurkacioni dhe shumë të tjera. Pra, oferta turistike e Kosovës është më e gjerë se kaq”, shtoi ajo.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të Turizmit | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Sipas saj, turizmi kontribuon ndjeshëm në ngritjen ekonomike të vendit.

“Turizmi kontribuon ndjeshëm në ngritjen ekonomike të vendit. Sot turizmi si industri botërore, krijon vende të shumta të punës dhe të ardhura për qytetarët tonë. Njerëzit udhëtojnë që të njihen me kulturat e reja, për të shijuar edhe ushqimet e ndryshëm e për të mësuar për historinë e vendeve”, theksoi presidentja Osmani.

Kryetari i Unionit të Turizmit të Kosovës, Baki Hoti është shprehur se qëllimi i këtij panairi është promovimi i vlerave, kulturës dhe traditës së vendit tonë.

“Qëllimi i këtij panairi është promovimi i vlerave, kulturës dhe traditës tonë. Mendoj që kemi bërë një përparim të theksuar me qëllim që të kemi një rritje të të numrit të vizitorëve që ta vizitojnë Kosovën e kjo është arritur fal bashkëpunimit që ne duhet ta kemi, jo vetëm si komunitet por së bashku me institucionet dhe partnerët ndërkombëtar”, është shprehur Hoti.

Kryetari i UTK-së, Baki Hoti gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të Turizmit | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama theksoi se ky panair e vë kryeqytetin në pozitë të rëndësishme rajonale e botërore.

“Ky panair e vë Prishtinën në pozicionin ku ne të gjithë synojmë ta kemi, pra duke u kthyer në një kryeqytet të rëndësishëm, të komunikimit jo vetëm rajonal por edhe botëror. Shpresojmë që ky panair të jetë si mundësi që të eksplorohet më e mira që ofrohet nga vendi ynë”, theksoi Rama.

Pamje gjatë ceremonisë së hapjes së Panairit të Turizmit | Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi

“Me pjesëmarrjen e mbi 200 kompanive turistike nga 10 vende, jemi të bindur që kjo ngjarje e madhe do të shfaq më të mirën e asaj që Kosova dhe vendet tona fqinje kanë për të ofruar në aspektin e kulturës, historisë dhe bukurive të tona që i kemi”, përfundoi ai. /Telegrafi/