Mbappe thyen heshtjen dhe tregon nëse ai ndikoi në largimin e Xabi Alonsos

Kylian Mbappe ka reaguar publikisht ndaj thashethemeve që qarkullonin për një marrëdhënie të tensionuar mes lojtarëve të Real Madridit dhe ish-trajnerit Xabi Alonso, duke i mohuar kategorikisht këto pretendime.
“Nga e morët idenë se kishte një problem midis lojtarëve dhe trajnerit?”, u shpreh Mbappe, duke hedhur poshtë zërat për përçarje në dhomën e zhveshjes.
Sulmuesi francez theksoi se largimi i Alonsos nuk mund të konsiderohet si dështim.
“Të thuash që Xabi nuk pati sukses nuk është e vërtetë. Ai u largua para se të fitoheshin titujt. Ne humbëm vetëm Superkupën me të. Sipas mendimit tim, Xabi do të jetë një trajner fantastik. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me të. Ai ka një obsesion për detajet dhe për lojën”, deklaroi Mbappe.

Ylli i Real Madridit pranoi se vendimi për ndryshimin në stol ishte i klubit dhe se lojtarët duhet ta respektojnë atë.
“Çfarë ndodhi, ndodhi. Ishte një vendim i marrë nga klubi dhe ne duhet ta respektojmë. Tani kemi një trajner të ri dhe kjo është përvoja e tij e parë profesionale. Ne do ta ndihmojmë”.
Mbappe zbuloi gjithashtu se ka komunikuar personalisht me Xabi Alonson pas largimit të tij.
“Fola me të kur ndodhi e gjitha. Kam një marrëdhënie të mirë me të. Folëm për jetën dhe doja ta mbështesja. Nëse është e drejtë apo e padrejtë, nuk është përgjegjësia ime”, deklaroi sulmuesi francez. /Telegrafi/





















































