LAJMI I FUNDIT:

BKS: Ka vetëm një pengesë që e lë Kosovën jashtë ‘Kartonit të Gjelbër’

BKS: Ka vetëm një pengesë që e lë Kosovën jashtë ‘Kartonit të Gjelbër’

Mos anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) paraqet pengesën kryesore të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Byrove Evropiane.  Rrjedhimisht vendi ynë vazhdon ta ketë të pamundur të jetë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër.

Kështu tha drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit (BKS), Sami Mazreku i cili konsideron se janë plotësuar të gjitha kushtet teknike nga ana e Kosovës.


“Byroja e Kosovës i ka të rezervuara rreth 7 milionë euro edhe pse kjo shumë është më e madhe se ajo që kërkohet nga Këshilli i Byrove, mirëpo duke qenë se nuk jemi pjesë e OKB-së nuk po mundemi të bëjmë zgjidhje për sa i përket Kartonit të Gjelbër”, tha Mazreku.

Ai shtoi se është tentuar përmes një shteti tjetër për të qenë pjesë e sistemit të Kartonit të Gjelbër, por nuk ka qenë e mundur për shkak të problemeve politike.

“Ne kemi tentuar përmes një shteti tjetër mirëpo Këshilli i Byrove po thotë ju keni probleme politike”, shtoi ai.

Sipas Mazrekut, Kosova në këtë mënyrë mbetet vendi i vetëm në Evropë që nuk është anëtare e Këshillit të Byrosë Evropiane, edhe pse i ka plotësuar kushtet teknike.

“Duke qenë se Kosova është shtet i ri dhe ka probleme me mosnjohje nga disa shtete përreth po ashtu ka probleme politike të cilat nuk e kanë mundësuar që Kosova të jetë pjesë e OKB-së. Ne jemi angazhuar që gjatë këtyre dy viteve ato që janë teknike t’i plotësojmë”, tha ai.

Mazreku më tej tha se tashmë janë duke pritur një raport nga Këshilli i Byrove. Ai u shpreh se duhet gjetur ndonjë variant tjetër për të qenë pjesë e këtij Këshilli. Kartoni i Gjelbër është një certifikatë ndërkombëtare e sigurimit të automjeteve, e cila pranohet nga autoritetet e të 47 vendeve, ku Kartoni i Gjelbër është i vlefshëm. /RTK/