LAJMI I FUNDIT:

Mazreku: Më 28 korrik në Bruksel do të diskutojmë për Kartonin e Gjelbër

Mazreku: Më 28 korrik në Bruksel do të diskutojmë për Kartonin e Gjelbër

Më 28 korrik do të diskutohet në Bruksel për Kartonin e Gjelbër.

Kështu u tha sot në tryezën e organizuar nga Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) me temën “Veturat e paregjistruara dhe të pasiguruara si sfidë për anëtarësim në sistemin e Kartonit të Gjelbër”.


Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi tha se Qeveria ka marrë me seriozitet zgjidhjen e çështjes së Kartonit të Gjelbër.

“Informatat e para janë shumë shpresëdhënëse, kjo masë por jo vetëm kjo por edhe masat tjera të cilët ndërmerren menjëherë ka rënë numri i automjeteve të paregjistruara jam i bindur që kur të përfundojë cikli prej 12 muajsh në këtë kriter teknik do ta kemi të plotësuar dhe na mbetet t’i zgjidhim këto problemet politike dhe ta tejkalojmë këtë situatë përmes shteteve tona mike që të bëhemi pjesë e Kartonit të Gjelbër edhe pse nuk jemi anëtare e Kombeve të Bashkuara”, u shpreh Durmishi.

Drejtori Ekzekutiv i Byrosë Kosovare të Sigurimit, Sami Mazreku u shpreh se automjetet e paregjistruara nuk janë sfidë vetëm për Kosovën.

Ai bëri të ditur se më 28 korrik në Bruksel janë të ftuar për të diskutuar për Kartonin e Gjelbër.

“Për 21 vjet, BKS-ja ka mbyllur 34.756 lëndë që kanë qenë nga viti 2002 deri në maj 2022. Në 15 muajt e fundit kemi mbyllur 9.980 dosje… Jemi duke parë një alternativë sa i përket zgjidhjes së Kartonit të Gjelbër. Më 28 korrik, bashkë me Bankën Qendrore jemi ftuar në Bruksel që të diskutojmë modalitetet dhe ta prezantojmë një para-konfirmim që e kemi nga një shtet mik, emrin nuk mund ta them sot për shkaqe teknike. Dhe nëse shkon gjithçka në rregull në korrik, besoj që shumë shpejt duke mos vendosur datë, është e mundshme që edhe ne si BKS-së, sepse kemi problemi politik pasi nuk jemi pjesë e OKB-së të bëjmë zgjidhje sa i përket Kartonit të Gjelbër”, tha ai.

Drejtoresha e Departamentit të Mbikëqyrjes së Sigurimeve në Bankën Qendrore të Kosovës, Ramize Ramadani tha se si institucion vazhdimisht janë angazhuar për stabilitetin financiar dhe mbrojtjen e polisa-mbajtësve, raporton kp.

Sipas saj krahas lehtësirave për regjistrim të veturave duhet të merren masa më drastike penalizuese në raport me të pasiguruarit.

“Sektori i sigurimeve është sektori që preket më së shumti nga këto automjete dhe ato kanë një humbje të dyfishtë jo vetëm nga pamundësia e mbledhjes së primit në rast se këto mjete kishin qenë të siguruara, por edhe nga detyrimin ligjor për t’i paguar këto dëme… Efekti i humbjeve nuk ndalet vetëm te sektori i sigurimeve, por dëmtohet edhe buxheti i vendit për shkak se jemi në dijeni që produktet të sigurimit iu nënshtrohen TVSH-së, pra shteti humb një pjesë të TVSH-së… Duhet të veprojmë në dy drejtime jo vetëm duke lehtësuar qasjen për regjistrim të automjeteve, por edhe të marrim masa më drastike penalizuese në raport me të pasiguruarit”, u shpreh ajo.