LAJMI I FUNDIT:

Lirohen nga akuza për korrupsion Pal Lekaj dhe të tjerët

Lirohen nga akuza për korrupsion Pal Lekaj dhe të tjerët

Ish-kryetari i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtari komunal, Ismet Isufi dhe zyrtari Gani Rama, në rigjykim, të premten, janë liruar nga akuzat për korrupsion. Nga akuza për mashtrim me subvencione është liruar edhe biznesmeni Veli Hajdaraga.

Pal Lekaj akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për kohën sa ka qenë në krye të kësaj komune. Për keqpërdorim pozite akuzoheshin edhe ish-zyrtari Isufi dhe zyrtari komunal Rama, ndërsa për mashtrim me subvencione akuzohej biznesmesni Veli Hajdaraga, raporton “Betimi për Drejtësi”.


Aktgjykimi ndaj të lartpërmendurve është shpallur të premten, nga trupit gjykues i kryesuar nga gjykatësi Shaqir Zika, me anëtarë të trupit gjykues, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Sipas gjykatësit Zika, gjykata pas analizimit të provave ka ardhë në përfundim se i akuzuari Gani Rama, urdhërpagesën e ka nënshkruar në cilësinë e zyrtarit administrativ dhe se nuk është vërtetuar se i njëjti i ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete apo për të tjerët.

Ndërsa, sa i përket të akuzuarit Pal Lekaj, sipas trupit gjykues, bordin e drejtorëve e ka kryesuar Lekaj dhe se vendimet gjatë vitit 2008-2011, i ka lëshuar duke u bazuar në një rregullore të UNMIK-ut.

Tutje, gjykatësi tha se vendimet tjera ai i ka lëshuar në bazë të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, dhe se në atë kohë nuk kishte pasur ligj që rregullonte ndarjen e subvencioneve, por ishte në kompetencë e bordit të drejtorëve.

Sipas trupit gjykues, nuk është vërtetuar se cila është kundërligjshmëria e këtyre vendimeve dhe nuk është vërtetuar tejkalimi i kompetencave apo mospërmbushja e detyrave zyrtare.

Tutje, sipas gjykatës, vendimi i fundit i marrë nga i akuzuari Lekaj është në shtator të vitit 2011, kurse prokuroria pretendon se është në vitin 2014.

Ndërsa, sa i përket të akuzuarit Isufi, gjykatësi Zika tha se grupi i ekspertëve bazuar në dokumentacionin që është ekzaminuar në shkresa të lëndës, ka ardhur në përfundim se nuk ka arritur të vërtetohet se është dëmtuar buxheti i Komunës së Gjakovës.

Edhe për të akuzuarin Hajdaraga, gjykata arsyetoi se gjatë shqyrtimeve gjyqësore nuk është vërtetuar se i njëjti ka përfituar ndonjë dobi pasurore pasi nuk ka qenë përfitues i subvencioneve, por ka shpërndarë subvencioneve mbi bazën e listës së përfituesve.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2021, Gjykata Themelore në Gjakovë, e kishte dënuar Lekajn me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Të akuzuarin Rama e kishte dënuar me 1 vit burgim me kusht, ndërsa i akuzuar Isufi ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim me kusht. Ndaj tyre ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues, që përfshinte ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike ose në shërbime publike në kohëzgjatje prej 2 vitesh, shkruan Betimi për Drejtësi.

Ndërsa, ndaj të akuzuarit Veli Hajdaraga për mashtrim me subvencione dhe shmangie nga tatimi ishte shqiptuar dënimi unik me gjobë në shumën prej 8 mijë euro, si dhe dënimi me burgim me kusht prej 1 viti. Po ashtu, ishte obliguar që në emër të dëmit të shkaktuar t’ia kompensojë ATK-së shumën totale prej 24 mijë e 718 euro e 59 centë.

Katër të akuzuarit ishin obliguar që Komunës së Gjakovës t’ia kompensojnë dëmin në shumën prej 69 mijë e 786 euro.

Mirëpo, Apeli e ka prishur këtë aktgjykim të gjykatës së shkallës së parë dhe e ka kthyer rastin në rigjykim.

Apeli e kishte lënë në fuqi vetëm pjesën e dënimit për shmangie nga tatimi për të akuzuarin Veli Hajdaraga, duke ia vërtetuar dënimin prej 3 mijë euro gjobë dhe 1 vit burgim me kusht, si dhe e ka obliguar t’ia kompensojë dëmin e shkaktuar ATK-së.

Në aktgjykimin e Apelit thuhej se ka paqartësi për kohën se kur janë kryer veprat penale të pretenduara nga ana e ish-kryetarit të Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ish-zyrtarëve komunal, Gani Rama dhe Ismet Isufi dhe të akuzuarit Veli Hajdaraga.

Në gusht të vitit 2019 lënda e të akuzuarit Gani Rama ishte bashkuar me lëndën e Pal Lekajt dhe të tjerëve pas propozimit që kishte bërë prokurori special, Atdhe Dema që këto dy lëndë të bashkoheshin me arsyetimin se këto çështje janë të njëjta dhe të ndërlidhura.

Kjo është hera e tretë që rasti ndaj të akuzuarit Rama është kthyer në rigjykim, pasi që Gjykata Themelore në Gjakovë, atë dy herë e kishte liruar nga akuza.

Gjykata Themelore në Gjakovë më 13 shkurt 2017, e kishte liruar nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetimin se nuk është arritur të provohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, pas ankesës së Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata e Apelit rastin ndaj të akuzuarit Rama e kishte kthyer në rigjykim.

Pas rigjykimit, Gjykata Themelore në Gjakovë, me aktgjykimin e 9 shkurtit të vitit 2018, e kishte liruar përsëri nga akuza të akuzuarin Rama, me arsyetim se nuk është arritur të provohet se ai e ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Mirëpo, më pas, Gjykata e Apelit më 1 nëntor 2018, e ka kthyer rastin përsëri në rigjykim, duke e aprovuar kështu ankesën e PSRK-së.

Sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Gjakovë ishte i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Në arsyetim Apelit thuhet se gjykata e shkallës së parë aktgjykimin e ka mbështetur tërësisht në mendimin e ekspertit financiar, mirëpo sipas Apelit, eksperti nuk ka dhënë mendim të qartë dhe konkret lidhur me pozitën që ka mbajtur dhe kompetencat që ka ushtruar i akuzuari Rama.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e ngritur  më 26 maj 2016, Gani Rama, akuzohej për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Në aktakuzë thuhet se gjatë periudhës kohore 2008 – 2012, Gani Rama, në cilësinë e personit zyrtar, financiar në Komunën e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për vete ose për personin tjetër, apo që t’i shkaktojë dëme personit tjetër, kishte lejuar alokimin dhe aprovimin e mjeteve monetare.

Sipas aktakuzës, kjo kishte të bënte me pagesat që i janë bërë biznesit “DPT Union-VL”, me pronar Veli Hajdaraga, për shpërndarjen e subvencioneve pa asnjë procedurë, pa kontratë si dhe pa pasur fatura të rregullta.

Sipas prokurorisë shuma e keqpërdorur pretendohej të jetë 218 mijë e 956 euro e 67 centë.

Ndërkohë, Prokuroria Speciale e Kosovës aktakuzën ndaj Pal Lekajt dhe të tjerëve e kishte ngritur më 10 prill 2016.

Në trend Lajme

Më shumë
BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

BE-ja mbështet Serbinë për muri - nëse e pengon Kosovën në organizatat ndërkombëtare, do t'i bllokohet procesi i anëtarësimit

Lajme
Macron ia konfirmon Kurtit mbështetjen për Kosovën në KiE - kërkon formimin e Asociacionit

Macron ia konfirmon Kurtit mbështetjen për Kosovën në KiE - kërkon formimin e Asociacionit

Lajme
U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

U tregua e ashpër ndaj Vuçiqit në Këshill të Sigurimit - reagime të shumta në mbështetje të përfaqësues së Maltës

Lajme
Zgjidhen dekanët e rinj në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës

Zgjidhen dekanët e rinj në 14 fakultete të Universitetit të Prishtinës

Arsim
Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Osmani: Drafti i statutit të Asociacionit do të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese

Lajme

"Nënat e Srebrenicës" falënderojnë presidenten Osmani: Një fjalim i tillë do të mbahet mend ndër breza

Lajme
Kalo në kategori