Trajneri i Chelseat, Enzo Maresca, ka kritikuar ashpër vendimin e gjyqtarit për të përjashtuar Moises Caicedon gjatë barazimit 1–1 ndaj Arsenalit, duke vënë në dukje mospërputhjet në vendimet e fundit arbitrale.

Maresca tha për Sky Sports se vendimi për ta përjashtuar mesfushorin ekuadorian ishte i pashmangshëm sipas rregullores, por ai theksoi se standardet e arbitrimit ndryshojnë ndjeshëm nga ndeshja në ndeshje.


Për të argumentuar këtë, trajneri italian solli në vëmendje një episod të mëparshëm nga ndeshja kundër Tottenhamit, ku Rodrigo Bentancur nuk mori karton të kuq pas një kontakti të fortë me kapitenin e Chelseat, Reece James.

“Një përjashtim është, sipas çdo përkufizimi, përjashtim”, ka thënë Maresca.

“Nuk arrij të kuptoj pse këto vendime trajtohen ndryshe. Mjafton të krahasojmë rastin e Bentancur me atë të James, pse një ndërhyrje konsiderohet e denjë për të kuqe dhe tjetra jo?”.

Maresca theksoi se, sipas tij, kartoni i kuq i dhënë ishte i drejtë, por ai nguli këmbë se problemi qëndron tek mungesa e qartësisë dhe koherencës në interpretimin e rregullave.

“Për mua, përjashtimi i Caicedos ishte i padiskutueshëm. Por kjo ngre pyetjen thelbësore, ku është logjika në vendime kaq kontradiktore? Kjo është ajo që shqetëson më shumë", përfundoi Maresca.

Deklaratat e Marescës pritet të nxisin debat të mëtejshëm mbi teknologjinë VAR dhe mënyrën se si gjyqtarët anglezë po interpretojnë episodet e diskutueshme në fushë. /Telegrafi/

telegrafi sport app