Lamine Yamal ishte tema kryesore e El Clásicos për ditë të tëra — para, gjatë dhe sidomos pas ndeshjes — për shkak të përplasjes që shpërtheu pas përfundimit të saj.

Disa lojtarë të Real Madridit reaguan ndaj komenteve të tij kritike për “klubin mbretëror”, e përshëndetën me ftohtësi pas ndeshjes dhe madje u përplasën me të. Edhe tribunat e Santiago Bernabéu nuk ia falën deklaratat, në të cilat ai kishte akuzuar Realin për “vjedhje” dhe për ankesa të vazhdueshme ndaj gjyqtarëve.


Megjithatë, siç shkruan Marca, anësori i ri i Barcelonës nuk u trondit aspak nga stuhia që shkaktoi. Ai mbeti plotësisht i qetë dhe i palëkundur, sikur asgjë të mos kishte ndodhur.

I mësuar me presionin

Burime pranë klubit katalanas tregojnë se Yamal nuk shqetësohet nga kritikat. Ai është mësuar me presionin që në moshë të vogël. Për shumëkënd, përplasja në Bernabéu mund të ishte një mësim, por në Barcelonë mendojnë ndryshe: “Nëse dikush mendonte se kjo ndeshje do ta ndryshonte, gabon”, thonë burime nga klubi.

Ata kujtojnë se Lamine nuk u ndikua as nga polemikat për festën e ditëlindjes së tij, as nga akuzat pas dëmtimit me ekipin kombëtar, kur u tha se po kufizonte paraqitjet për shkak të pubalgjisë. Kjo lëndim vazhdon ta pengojë të jetë 100% në formë, siç u pa edhe në El Clásico, por Yamal është i fokusuar plotësisht në rikuperim.

Pjekuri e jashtëzakonshme për moshën

Në moshën vetëm 18-vjeçare, Yamal tregon një pjekuri dhe karakter të jashtëzakonshëm. Në Barcelonë besojnë se as fishkëllimat, as kritikat nuk do ta ndryshojnë, pasi vetëbesimi dhe guximi janë pjesë e identitetit të tij. Ai është rritur në një mjedis të vështirë, ku, siç ka thënë vetë, “e lashë frikën shumë kohë më parë në parkun Mataró.” Pikërisht kjo e ka formuar si një personalitet të fortë dhe të qëndrueshëm.

Pas ndeshjes në Madrid, ai u kthye në Barcelonë me qetësi të plotë — sikur konflikti në Bernabéu të mos kishte ndodhur kurrë.

yamal Yamal telegrafi.com

Këshilla për ekspozimin publik

Megjithëse klubi ka besim të plotë në profesionalizmin e tij, Barcelona e këshillon rregullisht për sjelljen dhe ekspozimin publik, sidomos në rrjetet sociale. Agjenti i tij, Jorge Mendes, dhe drejtuesit e klubit e paralajmërojnë të jetë më i kujdesshëm me jetën private, për të shmangur polemikat.

Megjithatë, ata e pranojnë se energjia dhe sinqeriteti i tij janë pjesë e karakterit që e bën të veçantë. “Ai nuk ka thyer asnjëherë kodin e brendshëm të klubit – është gjithmonë i disiplinuar, i kujdesshëm me dietën, orarin dhe stërvitjet,” thanë burime nga Barça.

Mbështetje e plotë nga dhoma e zhveshjes

Në dhomën e zhveshjes së Barcelonës, Yamal ka përkrahje të plotë. Shokët e skuadrës e kuptojnë, e pranojnë dhe e mbrojnë. Ata besojnë se deklaratat e tij para El Clásico-s u frynë më shumë se ç’duhej, vetëm sepse ai është në qendër të vëmendjes.

Frenkie de Jong madje ka theksuar publikisht se lojtarët e Real Madridit, veçanërisht ata që janë shokë të tij në kombëtare, mund ta kishin zgjidhur situatën përmes një bisede private.

Në fund, mesazhi nga brenda Barçës është i qartë: konflikti me Real Madridin është mbyllur – dhe Lamine Yamal është gati të ecë përpara, me të njëjtën qetësi që e karakterizon. /Telegrafi/

telegrafi sport app