LAJMI I FUNDIT:

Maqedonia dhe Izraeli nuk kanë çështje të hapura, vetëm miqësi

Maqedonia dhe Izraeli nuk kanë çështje të hapura, vetëm miqësi

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev në shoqërim të delegacionit në përbërje të Ministrave të punëve të brendshme, Oliver Spasovski, ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave, Ljupço Nikollovski dhe zëvendëskryeministrit për çështje ekonomike Koço Angjushev, sot realizoi takim pune me Kryetarin e Izraelit, Reuven Rivlin, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Në bisedë është konstatuar miqësia e sinqertë ndërmjet dy shteteve, por edhe ndërmjet vetë qytetarëve të dy vendeve. Maqedonia dhe Izraeli nuk kanë çështje të hapura dhe për këtë shkak ka mundësi për intensifikim të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.


Kryetari i Izraelit, Rivlin përshëndeti ndryshimet demokratike në Maqedoni dhe përcaktimet reformatore të Qeverisë së re, që hapin mundësi të reja për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.

Siç informojnë nga Shërbimi i qeverisë, Zaev ka theksuar se përvojat e Izraelit në planin ekonomik dhe të sigurisë janë shumë të vlefshme dhe do të konsiderohen nga Qeveria e re e Maqedonisë./Telegrafi/