LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, vetëm 9 milionë denarë për Malin Sharr

Maqedoni, vetëm 9 milionë denarë për Malin Sharr

Parku kombëtar Mali Sharr, është i pari që themelohet pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut, sepse tre parqet tjera janë krijuar në kohën e ish-Jugosllavisë. Ka një marrëveshje, që në tre vitet e para, qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndihmojë këtë ndërmarrje deri sa e njëjta të mund të mbijetojë vetëm.

Pas shumë kohësh që nga themelimi i Ndërmarrjes Publike “Parku kombëtar Mali Sharr“ , tashmë kjo ndërmarrje ka filluar të funksionojë, ndonëse me kapacitete jo të plota. Tetë të punësuar janë vendosur në një zyrë, që me propozim të qeverisë dhe në marrëveshje me Elem Tursin, i takojnë kësaj ndërmarrje, pohon drejtori i parkut kombëtar në Malin Sharr, Ibrahim Dehari. “Sigurisht se një kohë të gjatë unë mbeta i vetëm në këtë institucion si drejtor por pas asaj periudhe, erdhi moment që të bëjmë edhe punësimet e para. Kështu që kemi dy drejtues në administratë, jurist, ekonomist, dy të tjerë që janë një inxhinier pylltarie por kemi edhe katër renxherët e parë, pra mund të themi se kemi filluar të funksionojmë me këta kapacitete njerëzore që kemi. Ne jemi të gatshëm që të ofrojmë shërbimet për qytetarët, banorët rezident dhe për kërkesat dhe nevojat tjera që i kanë qytetarët”, thotë Ibrahim Dehari, drejtor i Ndërmarrjes Publike “Parku kombëtar Mali Sharr”.


Pjesëtarët e kësaj ndërmarrje janë në terren për të dhënë edhe informacione për aktivitet e lejuara dhe të ndaluara në parkun kombëtar, për çka është duke u përgatitur edhe material informues. Por, sikurse çdo fillim edhe kjo ndërmarrje ka problemet dhe sfidat me të cilët duhet të ballafaqohen drejtuesit e saj. Ndërkaq pjesa tjetër e hapësirave ende nuk është rregulluar. “Ne kemi adaptuar këtë zyrë që jemi të gjithë në një vend, të gjithë të punësuarit jemi këtu, sepse hapësirat tjera që na janë ndarë me propozim të qeverisë dhe marrëveshje me Elem Tursin, ende nuk janë adaptuar. Sigurisht se na duhet një kohë e caktuar që ne të mund të adaptojmë hapësirat dhe të shpërndahemi, për funksionim normal”, shprehet Dehari.

Parku kombëtar Mali Sharr, është i pari që themelohet pas pavarësimit të Maqedonisë së Veriut, sepse tre parqet tjera janë krijuar në kohën e ish-Jugosllavisë. Ka një marrëveshje, që në tre vitet e para, qeveria e Maqedonisë së Veriut të ndihmojë këtë ndërmarrje deri që e njëjta të mund të mbijetojë vetëm. Përmes dy donatorëve janë siguruar mjete për të rregulluar zyrat dhe për të vendosur tabelat informuese nëpër pyje. Vitin e kaluar qeveria kishte ndarë gjithsej 6 milionë denarë edhe për punësime edhe për harxhime tjera.

“Janë mjete të pakta, të vogla dhe jo të mjaftueshme për funksionim dhe kjo na orienton që të krijojmë politika zhvillimore për të tërhequr donatorë të jashtëm. Na kemi arritur të nënshkruajmë marrëveshje me Pont-Gjermani, të cilët janë prezent në Maqedoninë e Veriut, kanë mbështetur Parkun e Galiçnikut, dhe tash na mbështesin edhe neve. Kemi mbështetje edhe nga ana e Global Conversation-SHBA, që na mbështesin në mënyrë financiare, dhe ata janë duke ndihmuar për të rregulluar këta zyra. Për këtë vit janë ndarë 9 milionë denarë nga qeveria për 10 punësime të reja , por ende nuk kanë arritur ata mjete”, shprehet drejtori Dehari.

Problem në vete është se ende Ministria e Ekologjisë, respektivisht Ministri në dorëheqje Naser Nuredini nuk e ka nënshkruar planin për menaxhim për Malin Sharr dhe pa atë plan nuk mund të merren hapa konkret. Pritet që me ardhjen e ministrit të ri, ky problem të tejkalohet, ndërsa në tavolinën e ish ministrit për nënshkrim ky plan ka qenë që në muajin tetor të vitit 2022. (koha.mk)