LAJMI I FUNDIT:

​Maqedonci: Vendi në rrezik nga kërcënimet e Serbisë

​Maqedonci: Vendi në rrezik nga kërcënimet e Serbisë

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci deklaron se vendi është në rrezik nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, pasi kjo e fundit po mbështet grupet e armatosura paramilitare.

Maqedonci thotë se Serbia ka dislokuar tri brigada ushtarake në jug të territorit të saj dhe përgjatë vijës kufitare me Kosovën ka vendosur 48 baza operacionale.


Në intervistën për kp, ai deklaron se Bashkimi Evropian po heziton të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit. Më tej, flet edhe për furnizimin me armatim dhe pajisje ajrore, për çka thotë se blerja e helikopterëve është paraparë në periudhën 2025-2028.

Maqedonci thotë se i gjithë zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po bëhet në përputhje me standardet e NATO-s. Ai shprehet optimist se Kosova është afër anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake.

“Në aspektin e mbrojtjes, në aspektin e përgatitjes të fushës së mbrojtjes, ne me të vërtetë mund të them lirisht që jemi shumë afër NATO-s. Mirëpo, dihet që vendimi për të qenë pjesë e NATO-s është vendim politik dhe që ndërlidhet me hezitimin e disa vendeve mos-njohëse të Republikës së Kosovës për të përkrahur këtë iniciativë.

Megjithatë, vlerësoj që duke qenë që kemi mbështetjen e partnerëve kryesor strategjik, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe vendeve të tjera të NATO-s, vlerësoj që ne do të jemi pjesë e NATO-s në një kohë kur do të shmangim apo do të zgjidhim edhe këtë problemin e vendeve mos-njohëse”, deklaron Maqedonci.

Teksa flet për 24 shtatorin, ai thekson se sulmi në Banjskë të Zveçanit ka qenë i mbështetur nga strukturat shtetërore të Serbisë. Sipas tij, qëllimi ka qenë për shkëputjen e asaj pjese të territorit të Kosovës. Ai vlerëson se ende ka rrezik e kërcënim për përsëritje të këtij rasti.

“Vlerësojmë që rreziku vazhdon të mbetet prezent përderisa mbetet prezente qasja hegjemoniste e Serbisë në raport jo vetëm me Kosovën, por edhe me fqinjët tjerë. Pra është qasja hegjemoniste që njëfarë forme drejton gjitha këto aktivitete që pastaj rrezikojnë sigurinë edhe stabilitetin në rajon.

Dhe kësaj i shtojmë mbështetjen që fatkeqësisht strukturat shtetërore po i japin këtyre grupeve të armatosura të uniformuara paramilitare, por edhe për shkak që vetë Serbia ka dislokuar në jug të territorit të saj tri nga katër brigadat ushtarake, me qëllim që të mbajë nën presion Republikën e Kosovës dhe duke i shtuar kësaj edhe 48 bazat e përparme operacionale i ka vendosur përgjatë vijës kufitare me Republikën e Kosovës. Me të vërtetë e gjithë kjo gjendje na jep të dimë që ka rrezik dhe gjithmonë vendi ynë është nën kërcënim”, deklaron Maqedonci.

Megjithatë, ministri i Mbrojtjes zotohet se kanë marrë të gjitha masat që vendi të jetë i gatshëm të përballet me këto kërcënime, në koordinim me KFOR-in dhe partnerët tjerë.

Futja e armatimit nga terroristët serbë në Kosovë, Maqedonci thotë se është bërë në dy vjetët e fundit. Sipas tij, KFOR e ka të pamundur që të kontrollojë gjithë hapësirën kufitare me Serbinë.

“Vlerësoj që KFOR-i në mandatin e tij ka ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe në këtë aspekt është duke kryer dhe ka kryer detyrat e tij. Normalisht gjithë hapësira prej 381 kilometra kufi me Republikën e Serbisë është e pamundur të kontrollohet dhe të vëzhgohet. Dhe këto grupe nuk është që kanë shfrytëzuar vetëm këto dy vitet e fundit atë territor për ta furnizuar me pajisje dhe sisteme të armatimit.

Furnizimi vlerësoj që është bërë shumë më herët, duke pasur parasysh ekzistencën e strukturave paralele në veri të vendit për një kohë të gjatë dhe ekzistencën e grupeve të organizuara si Mbrojtja Civile dhe Brigada e Veriut që tashmë janë shpallur organizata terroriste nga Qeveria e Kosovës. Ekzistenca e tyre për një kohë të gjatë dhe furnizimi nuk vlerësoj që është bërë në një afat të shkurtër, është bërë për disa vite me radhë”, shprehet ai.

Pavarësisht aktit të agresionit, ku rreshteri Afrim Bunjaku mbeti i vrarë, Bashkimi Evropian nuk ka sanksionuar Serbinë. Maqedonci konsideron se vendet e bllokut po hezitojnë të veprojnë.

“Ende Bashkimi Evropian heziton që të veprojë. Unë besoj që janë në pyetje shumë aspekte pse. Mund të jetë edhe aspekti i vlerësimit të tyre për ta mbajtur Serbinë brenda domenit të ndikimit të Bashkimit Evropian, apo largimit prej ndikimit rus, që vlerësoj që nuk është forma e duhur për të bindur një vend për t’u larguar prej ndikimit rus duke e mbështetur. Për shkak që vlerësojmë që Serbia shfrytëzon mundësinë që të qëndrojë në dy karrige me qëllim të shtyrjes përpara të interesave të saj.

Pra duke qenë nën influencën ruse, mban nën kërcënim Bashkimin Evropian dhe duke qenë afër Bashkimit Evropian mban nën tension Federatën Ruse për ta mbështetur me sistemet e armatimit. Vlerësoj që kjo është një prej arsyeve, mund të ketë edhe arsye tjera. Me të vërtetë është e domosdoshme që Serbia, institucionet qeveritare në Serbi të marrin përgjigjen e merituar për mbështetjen që i kanë bërë sulmit në Banjskë”, thekson Maqedonci.

Në intervistë Maqedonci përmend edhe ushtrimin “Defender Europe”.

“E vetmja gjë që nuk është realizuar është dita e vizitorëve, dita ku prezantohen të gjitha aktivitetet që janë realizuar dhe ky prezantim bëhet para mediave. Këtë ditë është bërë pezullimi, siç jeni të informuar, i këtij aktiviteti. Mirëpo, të gjitha aktivitetet tjera në kuadër të ushtrimit ‘Defender Europe 23’ janë realizuar sipas planit.

Dhe si rezultat kemi edhe një regjiment të këmbësorisë që e kemi validuar gjatë vitit 2023…. Gjatë muajit shtator ne kemi dërguar një ekip i cili ka marrë pjesë në konferencën planifikuese të ushtrimit ‘Defender Europe 25’. Vendi ynë, Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë pjesë e ushtrimit ‘Defender Europe 25’, me gjitha kapacitetet që kanë qenë gjatë ushtrimit ‘Defender Europe 23’, duke përfshirë edhe kapacitete shtesë, të cilat do të ndërtohen duke pasur parasysh planin gjithëpërfshirës të tranzicionit”, tha ministri i Mbrojtjes.

Në fillim të vitit të kaluar është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë për të kryer detyra luftarake. Këtë vit do të validohet regjimenti i dytë, po ashtu edhe gjatë vitit 2025 në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 25”, me çka do të përmbyllet faza e dytë e tranzicionit të Forcës.

Ministri Maqedonci flet edhe për furnizimin me kapacitete ajrore, ku tregon se kur Kosova do të ketë helikopter.

“Faza e paraparë për furnizim, plotësim me kapacitete ajrore është faza e tretë që nënkupton nga viti 2025 deri në vitin 2028. Në këtë aspekt, ne kemi bërë tashmë blerje të kapaciteteve ajrore, duke përfshirë dron Bajraktar, por edhe dron të prodhuesve të tjerë. Që veç ka filluar ndërtimi i këtyre kapaciteteve. Mirëpo, për helikopterët është planifikuar faza e tretë që do të na mundësojë zhvillimin e kapaciteteve ajrore me helikopterë dhe besoj që kjo do të përmbyllet sipas afateve të përcaktuara.

Në këtë aspekt, ne në vazhdimësi koordinohemi me KFOR-in edhe në aspektin e fluturimeve. Edhe tani kur ne kemi në dispozicion dronët Bajraktar, kemi koordinim me KFOR-in për operim me to. Më saktësisht për testim edhe trajnim me këta dronë”, deklaron Maqedonci.

Edhe sa i përket furnizimit me armatim, Maqedonci thotë se janë para planit dhe se janë pajisur me sistemet më moderne për ndërtimin e një ushtrie profesionale.

Ai deklaron se prioritet mbetet ndërtimi i kapaciteteve për mbrojtjen e vendit dhe kapaciteteve ushtarake për mbështetje të autoriteteve civile.

“I kemi mbi 600 rekrutë, të cilët janë rekrutuar në Forcën e Sigurisë së Kosovës gjatë vitit 2023 dhe këta rekrutë do të fillojnë punën nga fillimi i vitit 2024, si pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Duke iu falënderuar mbështetjes së vazhdueshme të kryeministrit Kurti dhe Qeverisë së Kosovës, ne kemi bërë blerje të vazhdueshme të sistemeve të armatimit dhe pajisjeve, me qëllim që të përmbushim edhe pjesën e aspektit logjistik të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Dhe në këtë aspekt ne kemi bërë blerje strategjike, duke përfshirë dronët Bajraktar dhe sisteme të ndryshme moderne të armatimit, sisteme të cilat janë plotësisht në përputhje me standarde të NATO-s dhe sistemet, të cilat hyjnë në funksion të rritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës për të përmbushur misionin e saj, më saktësisht detyrat në kuadër të misionit të saj”, deklaron Maqedonci.

Në intervistë, Maqedonci flet edhe për bashkëpunimin ndërkombëtar dhe aktivitetet e përbashkëta.

“Nga data 13 deri më 18 dhjetor kam qenë në vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dy takimet e para kanë qenë takimet në institucionet qeveritare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më saktësisht më datën 13 kam qenë në vizitë në Departamentin e Shtetit ku jam takuar me asistent sekretarin për Evropë dhe Euroazi, James O’ Brien dhe më të cilën kemi pasur një takim me të vërtetë konstruktiv dhe ku kemi diskutuar edhe për bashkëpunimin e mëtejshëm në mes të dyja vendeve, por në veçanti për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për fushën e mbrojtjes. James O’ Brien ka rikonfirmuar përkushtimin e SHBA-së që të thellojë partneritetin me Republikën e Kosovës dhe me theks të veçantë për mbështetjen e kapaciteteve të mbrojtjes së Kosovës, duke dhënë gjithashtu edhe një mesazh për ne që SHBA do të mbështesë integrimin e Kosovës në strukturat euro-atlantike, me theks të veçantë në programin e Partneritetit për Paqe dhe NATO”, shprehet ministri i Mbrojtjes.

Maqedonci thekson si të arritur të vitit të kaluar edhe funksionalizimin dhe punën e Qendrës Kombëtare të Kërkim Shpëtimit, që është pjesë e gardës kombëtare të FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes deklaron se gjatë vitit 2023 nuk ka pasur largime apo dorëzim të uniformës, në dy rastet që përmend thotë se janë për shkaqe personale e të cilët kanë dorëzuar arsyetim.

Në trend Lajme

Më shumë
Pahor po përgatit një draft për dialogun Kosovë-Serbi, fillimisht dëshiron të koordinohet me Borrellin dhe vendet e QUINT-it

Pahor po përgatit një draft për dialogun Kosovë-Serbi, fillimisht dëshiron të koordinohet me Borrellin dhe vendet e QUINT-it

Lajme
“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

“Kursi më i vështirë i ushtrisë, stërviten deri në rraskapitje”, oficeri i FSK-së përfundon me sukses trajnimin Ranger në ShBA

Siguri
Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Në sy të mbesës 8-vjeçare, çifti i të moshuarve nga Kosova arrestohen sapo zbresin në Gjermani

Lajme
Mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta, Rohde thotë se në tri vitet e fundit nuk është bërë asnjë progres si shkak i bllokadës politike

Mbi 1600 persona të zhdukur nga lufta, Rohde thotë se në tri vitet e fundit nuk është bërë asnjë progres si shkak i bllokadës politike

Lajme
Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Sa realist është anëtarësimi i Kosovës në KiE?

Lajme
Masakra në Mejë “Srebrenica e Kosovës” - thirrja më e fuqishme e Kosovës për drejtësi

Masakra në Mejë “Srebrenica e Kosovës” - thirrja më e fuqishme e Kosovës për drejtësi

Lajme
Kalo në kategori