Maqedonci në Forumin e Sigurisë në Varshavë: Inteligjenca artificiale dhe dezinformimi, sfidat kryesore të sigurisë digjitale

Në ditën e dytë të punimeve të Forumit të Sigurisë në Varshavë, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë si folës në panelin me temën “Të lidhur, por të mbrojtur: Shtylla digjitale e demokracisë moderne”.
Në këtë panel, ku morën pjesë ministra dhe zëvendësministra nga Polonia, Danimarka, Ukraina, Shqipëria, si dhe drejtues nga Ministria e Forcave të Armatosura të Francës, u diskutua për sfidat dhe mundësitë që paraqet epoka digjitale në fushën e sigurisë.
Sipas njoftimit thuhet se Maqedonci theksoi rëndësinë e mbrojtjes gjithëpërfshirëse në aspektin ushtarak, si dhe rolin aktiv që qytetarët duhet të kenë në këtë proces.
“Ai veçoi si sfidë kryesore rritjen e përdorimit të inteligjencës artificiale dhe rreziqet që sjellin dezinformimi dhe ndërhyrjet e jashtme keqdashëse në ambientin digjital”, thuhet në njoftim.
Panelistët nënvizuan se, edhe pse vendet e Evropës kanë qasje të ndryshme ndaj këtyre sfidave, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe shkëmbimi i përvojave janë thelbësore për të garantuar sigurinë dhe mbrojtjen digjitale në një botë gjithnjë e më të lidhur. /Telegrafi/










































