LAJMI I FUNDIT:

Mallkimi i pllakës Ouija, të paktën 28 ​​nxënëse përfunduan në spital pasi u përpoqën të komunikonin me shpirtrat në Kolumbi

Mallkimi i pllakës Ouija, të paktën 28 ​​nxënëse përfunduan në spital pasi u përpoqën të komunikonin me shpirtrat në Kolumbi

Të paktën 28 ​​nxënëse nga shkolla “Instituto Educativo” në Galeras, Kolumbi, u shtruan në spital pasi dikush organizoi thirrjen e shpirtrave duke përdorur një tabelë Ouija, njoftuan mediat lokale.

Vajzat u dërguan në spital me shenja kriza paniku, disa edhe pa ndjenja, dhe këtë informacion e konfirmoi për mediat kreu i institucionit arsimor Hugo Torres, transmeton Telegrafi.


Ato janë shtruar në spital të shoqëruara nga prindërit dhe mësuesit e tyre, por ende nuk ka të dhëna nëse janë shëruar dhe cilat kanë qenë diagnozat e mjekëve.

Pllaka Ouija konsiderohet nga spiritualistët si një mjet komunikimi me të vdekurit, dhe versioni modern i pllakës u prezantua para publikut nga Elijah Bond më 1 korrik 1890.

Në fillim u konsiderua një lojë e pafajshme që nuk kishte lidhje me okultizmin, por ky nocion ndryshoi pasi spiritualisti amerikan Pearl Curran, popullarizoi përdorimin e pllakës si një mjet hamendjeje gjatë Luftës së Parë Botërore.

Sigurisht, që në ditën e parë, komuniteti shkencor hodhi poshtë çdo mundësi që pllaka të ketë fuqi të veçanta, apo ndonjë qëllim në kontekstin e komunikimit me të vdekurit, megjithatë komunitetet fetare ende sot e konsiderojnë atë një praktikë satanike dhe madje pretendojnë se mund të çojë në pushtim demonik.

Historia e vajzave kolumbiane u bë publike vetëm dy javë pasi të paktën gjashtë nxënës të klasës së pestë në shkollën fillore Ernesto González Lachapelle në Republikën Dominikane, përfunduan në spital me simptoma të ngjashme. /Telegrafi/