Malisheva me rënien më të madhe të daljes në votime, pasuar nga Prizreni e Prishtina


Zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit kanë shënuar një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes së qytetarëve në votime, krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.
Sipas të dhënave preliminare, në zgjedhjet e fundit kanë votuar rreth 725 mijë qytetarë, përballë 906 mijë votuesve në procesin e mëparshëm, që përbën një rënie prej rreth 20 për qind.
Komunat me tkurrjen më të madhe të pjesëmarrjes në votime rezultojnë Prizreni, Prishtina dhe Malisheva.
Në Prizren është regjistruar rënia më e madhe në numër absolut të votuesve, me 17.523 qytetarë më pak. Në Prishtinë janë shënuar 14.187 votues më pak, ndërsa në Malishevë 11.370 më pak.
Në përqindje, Malisheva prin me rënien më të theksuar prej 41.60 për qind, e ndjekur nga Rahoveci me 36.97 për qind dhe Mamusha me 33.20 për qind.
Rënia e pjesëmarrjes ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në rezultatin e partive kryesore në këto komuna.
Në Prizren, Lëvizja Vetëvendosje ka regjistruar 12.481 vota më pak, PDK 3.530 më pak, ndërsa AAK 432 vota më pak. E vetmja parti që ka shënuar rritje është LDK me 568 vota më shumë.
Në Prishtinë, Vetëvendosje ka humbur 11.536 vota, PDK 2.906, ndërsa LDK 582 vota më pak. AAK në këtë komunë ka shënuar rritje prej 941 votash.
Në Malishevë, Vetëvendosje është e vetmja nga katër partitë kryesore që ka pësuar rënie, duke humbur 4.630 vota, ndërsa PDK është rritur për 1.379 vota, AAK për 352 vota dhe LDK për 321 vota.
Votat e diasporës
Votat ende të panumëruara të diasporës pritet të kenë peshë më të madhe dhe të jenë përcaktuese në formimin e institucioneve të reja të Kosovës, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), 104 mijë e 480 votues ishin regjistruar për të votuar përmes postës, ndërsa në 30 përfaqësitë diplomatike të Kosovës në mbarë botën kanë votuar 22 mijë e 414 persona.
Por, për të kuptuar numrin e saktë të votave nga jashtë vendit, duhet që fillimisht ato të verifikohen, proces që nisi pasditen e së martës.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), thotë se numri i madh i votave që pritet të konfirmohen si të vlefshme – që ai vlerëson se mund të jenë mbi 100 mijë – do të kenë ndikim “tejet domethënës” në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve dhe rrjedhimisht në ndarjen e mandateve në Kuvendin e Kosovës prej 120 karrigesh.
“Nëse i marrim parasysh trendët e viti 2025, përkatësisht ato të dhjetorit, dhe duke supozuar që Lëvizja Vetëvendosje do të performonte njëjtë, ky subjekt mund të shkojë deri në 53 mandate, që nënkupton një rritje prej pesë mandatesh, që në suaza normale do t’i merrte dy nga Partia Demokratike e Kosovës, dy nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe një nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, por gjithmonë në varësi të performancës së vetë këtyre subjekteve politike”, thotë Cakolli.
Në bazë të rezultateve preliminare – ku përfshihen vetëm votat e rregullta – Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 42.95 për qind të votave apo 48 mandate, Partia Demokratike e Kosovës 21.14 për qind të votave apo 24 mandate, Lidhja Demokratike e Kosovës ka fituar 17.60 për qind të votave apo 20 mandate dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – subjekt që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave apo tetë mandate./Telegrafi.




































