Malisheva hap konkursin për regjistrimin e fëmijëve në çerdhen “Zërat e Ëmbël” dhe paralelen në Kijevë


Drejtoria për Arsim dhe Edukim në Komunën e Malishevës ka shpallur konkursin për pranimin e fëmijëve në Institucionin Parashkollor “Zërat e Ëmbël” në Malishevë dhe në paralelen e këtij institucioni në Kijevë për vitin shkollor 2026/2027.
Sipas njoftimit zyrtar, në çerdhen “Zërat e Ëmbël” në Malishevë janë të lira 12 vende për grupmoshën 9 muaj deri në 2 vjeç dhe 14 vende për grupmoshën 2 deri në 3 vjeç.
Ndërkaq, në paralelen e Kijevës janë shpallur 10 vende për fëmijët e moshës 9 muaj deri në 3 vjeç, tetë vende për grupmoshën 3 deri në 4 vjeç dhe katër vende për fëmijët e moshës 5 deri në 6 vjeç.
Sipas kritereve të përcaktuara nga Drejtoria për Arsim dhe Edukim, të drejtë aplikimi kanë vetëm fëmijët e prindërve që janë banorë të Komunës së Malishevës.
Dokumentacioni i nevojshëm për aplikim përfshin fletëregjistrimin, ekstraktin e lindjes, kopjen e librezës së vaksinimit, dëshminë mjekësore për gjendjen shëndetësore të fëmijës, kopjen e kontratës së punës së prindërve, pasqyrën e trustit për gjashtë muajt e fundit, si dhe dokumente të tjera që dëshmojnë kategoritë përfituese nga lirimet e pagesave.
Dokumentet për regjistrim duhet të dorëzohen në Institucionin Parashkollor “Zërat e Ëmbël” në Malishevë, ndërsa për paralelen në Kijevë ato dorëzohen në Kijevë.
Drejtoria ka bërë të ditur se dokumentacioni i pakompletuar nuk do të pranohet.
Konkursi për regjistrimin e fëmijëve do të jetë i hapur nga 26 qershori deri më 17 korrik 2026.
Po ashtu, autoritetet komunale kanë njoftuar se prindërit, pas pranimit të kërkesës për regjistrimin e fëmijës në çerdhe me qëndrim ditor, para nënshkrimit të kontratës duhet të sigurojnë analizat e fytit, të hundës dhe analizat për parazitë nga Enti Higjienik në Gjakovë. /Telegrafi/

































