LAJMI I FUNDIT:

Malisheva alarmon, diga e liqenit të Mirushës kërcënon me shembje

Malisheva alarmon, diga e liqenit të Mirushës kërcënon me shembje

Autoritetet komunale të Malishevës, të hënën, kanë adresuar edhe një herë shqetësimin, lidhur me gjendjen aktuale të digës në liqenin e Mirushës. Në mbledhjen e fundit të Ekzekutivit lokal, drejtorët e linjës, kanë theksuar se kjo strukturë është dëmtuar jashtë mase dhe se duhet gjetur një zgjidhje të shpejtë, në mënyrë që të mos rrezikohen qytetarët dhe pronat e tyre përgjatë lumit, shkruan sot “Koha Ditore”.

Pak muaj më parë, kërkesat në këtë drejtim ishin paraqitur te kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë vizitës së tij në Malishevë, por që prej asaj kohe nuk ka pasur ndonjë intervenim konkret në këtë pjesë. Diga në liqenin e Mirushës qe dëmtuar mjaft gjatë vërshimeve të dimrit.


Sipas njoftimit të Zyrës së informimit të Komunës së Malishevës, në mbledhjen e Qeverisë lokale, drejtori i Shërbimeve Publike, Milazim Morina, dhe ai Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Sejdi Paçarizi, kanë pohuar se gjendja në digën në liqenin Mirusha nuk është e mirë.

Morina, teksa ka paraqitur shqetësimin në këtë drejtim, ka theksuar se “duhet të intervenohet urgjentisht”.

Ndërsa Paçarizi ka pohuar se nëse nuk intervenohet urgjentisht, atëherë duhet “të shterohet gradualisht liqeni, pasi vërshimet e dimrit, e kanë dëmtuar jashtë mase digën dhe ekziston rreziku për çarje më të mëdha në digë, që mund të jenë me pasoja, për të gjithë ata që jetojnë përgjatë lumit, sidomos në fshatin Mirushë”.

Kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, në fund të muajit mars e pati paraqitur këtë problem te kryeministri Isa Mustafa, duke kërkuar mbështetje financiare për intervenim. Gjatë vizitës së Mustafës, kryetari Begaj pati pohuar se “dëmet nga vërshimet kanë qenë të mëdha dhe se duhet intervenim emergjent, sidomos në digën e liqenit Mirusha, por edhe në shtratin e lumit, në mënyrë që të evitohen përmbytjet dhe vërshimet e tjera, në të ardhmen”.

Duke folur për problemet me vërshimet, Begaj pati shprehur besimin se Qeveria e Kosovës do të ofrojë ndihmë për eliminimin e dëmeve të shkaktuara.

“Me një investim mund të jemi më të sigurt në të ardhmen. Kemi problem me digën, urën, lumin”, pati thënë Begaj.

Ndërkaq kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, më 25 mars të këtij viti, gjatë qëndrimit në Komunën e Malishevës, së bashku me kryetarin Begaj, patën vizituar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e dimrit në fshatin Banjë dhe në digën afër liqenit Mirusha.

Mustafa pati theksuar se do të ndahet një fond për intervenimet emergjente me qëllim të evitimit të dëmeve, ndërkohë që kishte potencuar edhe nevojën për rregullimin e shpejtë të dëmeve në digë, në mënyrë që mos të rrezikohen qytetarët.

“Ka nevojë që disa probleme të cilat po paraqiten në mënyrë të vazhdueshme t’i evitojmë. Është fjala për shtratin e lumit të cilin ose do ta bëjmë vetë, ose do ta bëjmë me përkrahje të Bashkimit Evropian, sepse kam edhe një premtim të Bashkimit Evropian që do të ndihmojnë në evitimin e pasojave nga vërshimet dhe në evitimin e mundësive që edhe më tutje të ndodhin këto pasoja. Është diga për të cilën foli kryetari e të cilën duhet ta sanojmë shpejt, sepse nuk guxojmë ta lëmë, sepse mund të paraqesë rrezik për qytetarët”, pati deklaruar Mustafa. /Telegrafi/