Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe tensionet mes Izraelit, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit mund të kenë ndikim edhe në Ballkan, veçanërisht nëse akterë të caktuar përpiqen të shfrytëzojnë momentet kur vëmendja e komunitetit ndërkombëtar është e përqendruar në kriza të tjera globale.

Kështu vlerëson ish-ambasadori i Kosovës në Japoni dhe njohësi i çështjeve gjeopolitike, Leon Malazogu, në një diskutim në “Përballje Podcast” në Telegrafi.



Sipas tij, rajoni vazhdimisht është përballur me rreziqe të brendshme dhe me akterë që nuk e kanë pranuar realitetin e kufijve aktualë në Ballkan.

“Rajoni ynë ka rreziqe të veta dhe ka elemente që haptazi kërkojnë ndryshim të kufijve. Serbia nuk është e kënaqur me kufijtë që ka dhe realisht tenton të destabilizojë edhe Bosnjën, edhe Malin e Zi, edhe Kosovën”, tha Malazogu, shkruan Telegrafi.

Ai theksoi se përpjekje të tilla janë parë edhe më parë dhe se situata ndërkombëtare shpesh përdoret për të krijuar narrativë politike apo propagandë.

- YouTube www.youtube.com

Deklaratat e Vullinit dhe narrativat për Kosovën

Malazogu komentoi edhe deklaratat e fundit të ish-shefit të shërbimit sekret serb, Aleksandar Vulin, i cili ka bërë krahasime mes veprimeve të Izraelit dhe qasjes që, sipas tij, duhet të ketë Serbia ndaj Kosovës.

Sipas Malazogut, deklarata të tilla janë pjesë e një narrative më të gjerë që synon të krijojë paralele të gabuara mes konfliktit në Lindjen e Mesme dhe rastit të Kosovës.

“Ne duhet të shikojmë më shumë se çfarë bëhet sesa çfarë thuhet. Serbia ka tentuar vazhdimisht të destabilizojë Kosovën dhe rajonin”, u shpreh ai.

Rasti i Banjskës si shembull i përpjekjeve destabilizuese

Malazogu përmendi edhe sulmin në Banjskë si shembull të përpjekjeve për të ndryshuar situatën në terren në veri të Kosovës.

Sipas tij, kjo ngjarje dëshmon se përpjekjet për destabilizim në rajon nuk janë vetëm retorikë politike, por kanë marrë formë edhe në veprime konkrete. Destabilizimi nuk është risi. Rasti i Banjskës realisht ishte një tentim për ta ndryshuar situatën në terren”, tha Malazogu shkruan Telegrafi.

Ai shtoi se krizat ndërkombëtare dhe momentet kur vëmendja globale është e përqendruar diku tjetër mund të shihen nga akterë të caktuar si mundësi për të provuar lëvizje destabilizuese në rajon.

Sipas Malazogut, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq shpesh përpiqet të krijojë krahasime mes zhvillimeve globale dhe çështjes së Kosovës, për ta rikthyer temën e Kosovës si kontest të papërmbyllur.

“Serbia mundohet të krijojë paralele me raste të ndryshme ndërkombëtare për ta paraqitur Kosovën si çështje të hapur dhe për ta rikthyer këtë temë në diskutimet ndërkombëtare”, tha Malazogu shkruan Telegrafi.

Megjithatë, ai vlerëson se Kosova duhet të jetë e përgatitur jo vetëm në aspektin e sigurisë, por edhe në planin diplomatik dhe politik për të kundërshtuar narrativat që synojnë të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e saj.


Diskutimi për ndikimin e krizave globale në rajon ishte një nga temat kryesore të episodit më të fundit të “Përballje Podcast”, ku u analizua edhe se si zhvillimet në Lindjen e Mesme mund të reflektohen në Ballkan dhe në politikën rajonale. /Telegrafi/.