LAJMI I FUNDIT:

MAGNETOFONI

MAGNETOFONI

Tregim i shkurtë nga: Dino Buzzati
Përktheu: Pëllumb Kulla

Ai i pat thënë asaj (me zë fare të ulët), i qe përgjëruar, mos bëj zhurmë, të lutem, magnetofoni po regjistron nga radioja, mos qit zë, ti e di që unë kam merak, po regjistroj “Mbretin Artur” të Parselit, një gjë e mrekullueshme, një kryevepër. Po ajo kërma, si për inat, sillu lart e poshtë, ec e përpiq takat, vetëm e vetëm që atij t’i hipnin xhindët, pastaj kollitej (enkas) dhe më pas ja shkrepte gazit me vete dhe ndizte shkrepsen paf-puf, për të bërë sa më shumë zhurmë. E ndërkaq Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina, mjeshtrit e muzikës së përkryer, qiellore shkonin dëm. Ajo maskaresha, grerëza, tartabiqja, brenga e vazhdueshme e jetës… Kështu nuk shtyhej më.

Tani, pas kaq vitesh, ai ka vënë e po dëgjon atë të shkretë shirit, ka vënë bobinën me mjeshtërit, me majat, me Parselin, Moxartin, Bahun, Palestrinën.

Ajo nuk është më aty, ka ikur. Ajo e ka braktisur. Ajo e gjeti zgjidhjen, e la. Ai nuk e ka idenë se ku ka përfunduar ajo.

Ja, tani, Parseli, Moxarti, Bahu, Palestrina tingëllojnë si pa shije, të vjen për të vjellë, katrahurë, të mallkuarit…

Ja, ja ai trokthi lart e poshtë, ja trokitja e takave, ja të qeshurat (e dyta sidomos), ja kruajtja e fytit, kolla. Kjo po, kjo është muzikë qiellore.

Ai ka vënë veshin e dëgjon. Nën dritën e abazhurit është ulur e dëgjon. Si i ngurosur në kolltuk, katandisur keq e më keq, ai dëgjon. Pa lëvizur as edhe muskujt më të vegjël të gjymtyrëve, ai rri me veshin nga magnetofoni: ja zhurmat, ja pëshpëshet, ja kolla! Këta tinguj të adhuruar, madhështorë. Që nuk i ka më, që nuk do t’i ketë kurrë më. /Revista “Nëntori” numër 4, 1988/