LAJMI I FUNDIT:

Maestro Janaq Paço

Maestro Janaq Paço

Nga: Nadire Buzo

Teksa shekulli XX po trondiste botën pamore me këndvështrimet e ndryshme mbi nudot, me Pablo Picasso-n, Henri Matisse-n, Aristide Maillol-in, Antoine Bourdelle-in, Pierre Bonnard-in, Henry Moore-in dhe Francis Bacon-in, në Shqipëri burgoseshin, vriteshin dhe kërcënoheshin artistët. Në një rrugë në qendër të Tiranës, në studion e tij të rrënuar, skulptori Janaq Paço thyente nudot “e turpshme”. Ishte koha kur vritej bukuria, kohë e helmët e plenumeve të zinj me gjarpërinjtë e mbledhur kutullaç mbi gurët e rëndë të piramidës së Keopsit. Këta gjarpërinj kishin helmuar shumë artistë, edhe atë vetë.

Paço ishte themeluesi i skulpturës dhe i shkollës së nudos në Shqipëri. Kontributi i tij në edukimin artistik dhe estetik të brezave qe i veçantë. Shpirti i tij ishte universal në lidhje me historinë, filozofinë, moralin dhe religjionin në artin e tij.

Ai u lind, më 14 mars 1914 në Konicë, ku prej vitesh punonte i ati i ardhur familjarisht nga fshati Badëlonja i Përmetit. Në vitin 1925, familja e tij do të kthehej në Shqipëri dhe do të vendosej në Tiranë. Në fëmijëri do të binte në sy për talentin e tij. Teksa shokët dhe vëllezërit luanin me top lëndinave, Janaqi i vetëm rrinte me orë të tëra buzë lumit, duke bërë figura prej balte, ndodhte dhe ja prishnin figurinat që ai të shkonte e të luante me ta. Ndoshta ky qe dhe fati që do ta ndiqte edhe shumë vite më pas punën e tij. Nuk tërhiqej ai nisi të shkëlqente në vizatime dhe modelimin e figurave të ndryshme në argjilë, madje kur u kthye në Tiranë ai u shqua në një ekspozitë të hapur në “Kafe Kursal”, midis nxënësve të tjerë pjesëmarrës.

Një tregtar nga Selaniku, mik i babait, e morri me vete djalin e talentuar, i cili do të mbaronte shkollën e mesme artistike në qytetin e Selanikut. Në vitin 1933, do të fitonte konkursin e pranimit në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë. Atje i vazhdoi studimet për skulpturë nën drejtimin e drejtorit të Akademisë së Arteve Kostandin Dimitriadhis, nxënës dhe adhurues i skulptorit të madh francez Augusto Rodenit. Duke parë talentin dhe karakterin e Janaq Paços, drejtori i akademisë jo vetëm e cakton si asistent, por e mban në atelie dhe e trajton si birin e tij djalin e ndrojtur me një vizion të rrallë për artin. Skulptori i ri Paço shkëlqen në punën e diplomës, duke fituar çmimin e parë midis studentëve të Akademisë, me portretin në mermer të shoqes së tij Trilivia. Edhe mbas përfundimit të studimeve, vazhdonte të punonte në studion e Konstantin Dimitriadhisit. Në vitin 1941, lufta dhe kriza e rëndë ekonomike që pushtoi vendin fqinj, e detyron të kthehej në Shqipëri. Me vete merr Trilivian e mermertë të cilën e ndaluan në postën kufitare duke menduar se ishte një skulpturë antike nga muzeumet e Athinës. Skulptorit të ri iu desh të priste me ditë të tëra ne kufi për të rimarrë Trilivian e tij, e cila sot ndodhet ne Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë.

Mbas kthimit në Tiranë, punoi si mësues vizatimi në gjimnazin ne të cilin kish filluar studimet e shkollës së mesme. Gjatë kësaj periudhe ai punon pa reshtur dhe në një konkurs të organizuar në ato vite, ai fiton çmimin e parë me “Kokën e Angjelinës”, motrës së tij të bukur, të cilën e bleu një italian i mrekulluar nga punët e skulptorit. Pas çlirimit të vendit, së bashku me Odhise Paskalin ishin themeluesit e degës së skulpturës në Liceut artistik. Janaq Paço punoi si mësues në Lice, derisa doli në pension. Mësimdhënia në Liceun Artistik është puna pasionante që bënte në edukimin e dhjetëra brezave, me shijet artistike dhe estetike larg ideologjizmave të kohës.

Legjenda Paço morri dhenë për mjeshtërinë që tregoi në realizimin e monumentit të Heroit tonë Kombëtar, Skënderbeut. Në vitin 1948, fitoi konkursin midis shume konkurrentëve të huaj dhe vendas. Kjo kishte qenë ëndrra e tij e vjetër, atëherë kur qe larg me studime.

Konkursi i parë i organizuar në vitin 1937 ishte fituar nga kroati Antun Augustinçiq, kryetar i Akademisë së Zagrebit, për të cilin nuk ra dakord opinioni vendas. Më pas iu besua Italianit Romano Romanelli. Monumenti i realizuar prej tij ndodhet sot në Romë, në sheshin Albania. Tashmë heroi kombëtar mbante firmën e një tjetër legjende shqiptare, e quajtur Janaq Paço. Me një përkushtim dhe mjeshtëri të rrallë do të punonte për 10 vjet rresht deri në inaugurimin e tij më 27 nëntor 1959, në qytetin e Krujës. Monumenti është derdhur në bronz në Budapest, i asistuar nga vetë autori.

Monumenti i Skënderbeut në Krujë është i paarritshëm deri më sot. Konfiguracioni artistik i kapur në një moment të caktuar, duke shkaktuar efektin estetik më të thellë të një luftëtari. Dinamika e veprës e vendosur në konturat tredimensionale, me proporcione të estetikës klasike dhe kohë-ekzistenca e kësaj vepre madhështore, midis reales dhe joreales, figura tranhistorike që i rezistoi kohës dhe civilizimeve. Mbijetesë e heshtur nën një vepër madhore.

Monumenti i Krujës entuziazmoi të gjithë shqiptarët, por tronditi botën artistike. Me sa duket, takimi i dy legjendave kishte dhënë efektin e duhur. Noli i shkruante nga Kisha Autoqefale e Bostonit, një letër falënderimi ku theksohej: “Janaq Paço është një eminencë e skulpturës. Monumenti i Skënderbeut ishte ai i përfytyrimit të të gjithë Shqiptarëve”. Në respekt të kësaj figure, në vitin 1960 ai përfundon dy buste të peshkopit demokrat, Fan Noli.

Vite më pas do të punonte si bashkautor me Odhise Paskalin dhe Andrea Manon për realizimin e monumentit të Skënderbeut në qendër të Tiranës, i cili përfundoi në vitin 1968. Megjithëse punuan tre mjeshtër të skulpturës për realizimin e tij, monumenti nuk pati jehonën e atij të Krujës. Sheshi i madh i kryeqytetit mban emrin e heroit dhe është një simbol kombëtar. Për ne shqiptarët, figura e Skënderbeut duke qenë e bukur dhe e madhërishme është arketip. Është nënvetëdije kolektive, përjetësi, figurë që mbijeton kohën, figurë transhistorike.

Në vitin 2001, pas 500 vjetësh udhëtimi, Monumenti i Skënderbeut apo monumenti i Paços do të mbërrinte në Prishtinë… Ishte një entuziazëm i pazakontë: Skënderbeu hyri në Prishtinë ashtu mbi kalë i zbuluar; s`patën kohë për ritet e përurimit; populli po e priste kahherë. Porse Ibrahim Rugova, legjendari i paqes, do të bënte ritin e lashtë shqiptar: për mbarësi do të vendoste në bazamentin ku do ngrihej monumenti, një pllakë floriri nga miniera e Trepçës, mbështjellë me një cohë të kuqe si gjaku si flamuri. Bijtë e tij të mirë, Dorina dhe Kliti, miqtë dhe familjarët e skulptorit të madh, u ndjenë tepër krenarë, porse edhe shpirti i Janaq Paços ndihej i lehtësuar: pllakëza e floririt qe si një medaljon i artë për veprën e tij.

Në vitin 1960 Janaq Paço hap ekspozitën e parë vetjake, ku spikasnin skulpturat për piktorin Vangjush Mio, shkrimtarin Sterjo Spasse, portreti i përsosur i një filozofi ku artistikisht shprehet forca e mendimit filozofik, portrete të fëmijëve, portrete artistësh ku shkëlqen skulptura e Aleksandër Moisiut, aktorit të madh shqiptar me fame botërore në interpretimin e monologut Hamletian. Në vitin 2004, pas shumë vitesh, nga koha kur ishte punuar vepra për Moisiun e madh, busti u vendos në qytetin e Kavajës atëherë kur Janaq Paço nuk iu gëzua dot veprës së tij punuar me shumë dashuri e mjeshtëri. Kjo skulpturë tredimensionale, me proporcione të skulpturës klasike dhe me një plastikë impresioniste, do të mahniste pjesëmarrësit vendas dhe të huaj, ku së bashku me figurën perceptohet një lëvizje dinamike te rolit dhe të shpirtit aktorial, si dhe forca e mendimit filozofik. Lida Paço ishte më tepër se kurrë e emocionuar: një nga amanetet e shokut të saj të jetës, kishte shkuar në vend.

Disa nga veprat e skulptorit ndodhen të vendosura në parqe apo vende historike, por më së shumti veprat e tij janë të shpërndara: një pjesë janë në familjen e tij, tek miqtë, të afërmit, apo në ndonjë strehëz dashamirëse. Vetëm ato pak veprat që ndodhen në galerinë kombëtare janë të ekspozuara, apo të përkujdesura…

Në agun e një mëngjesi të zymtë, skulptori me flokët e hirtë dhe pamje fisnike, pas një traume psikologjike dhe me heshtjen që e pllakosi për një kohë të gjatë, i dërmuar nga ankthi dhe pagjumësia, do të gjente forcë të thyente 15 nga kryeveprat e tij. Nudot femërore, një përsosmëri e artit klasik dhe modern evropian, sjell prej tij në Shqipëri. Ditë të tëra zërat e çjerrë të kasnecëve të shiut ulërinin në memorien e artistit: Ç’janë këto femra të zhveshura, që ke bërë, hë… pse hesht? Kujt do t’ia hedhësh? A mund të rinë bashkë heronjtë me këto lavire lakuriqe prej allçiu? Tani, do t’i thyesh vetë me dorën tënde, pa t’u dredhur dora fare…. se ndryshe do t’i thyejmë ne, dhe po i thyem ne do të thyejmë dhe kokën bashkë me to…

Këto qenë fjalët që zhurmonin në hetuesin e Tiranës, nga persekutorët të cilët më vonë u hoqën më të persekutuar se viktimat e tyre.

Për një çast iu drejtua heroit kombëtar, i kërkoj ndihmë forcës së tij, por ai nuk mundi, përveçse i fali nga lavdia e tij (në një çast iu duk sikur pëshpëriti, “atdheu është atdhe edhe kur të vret”… dikush tjetër, artist si ai, Mitrush Kuteli i madh, e kish thënë se edhe atë e kishin vrarë bashkë me veprën). Pranë Moisiut të madh iu kujtuan vargjet monumentale, “të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çështja”. Tashmë ai s’kishte frikë nga vdekja; shpeshherë e kish pasur pranë, por fëmijët e tij duhet të jetonin… Një zhurmë e fortë do të gjëmonte brenda atij tempulli të bardhë. Por, askush nuk dëgjoi nga jashtë; asnjeri nuk pa ç`u bë në këtë studio të mënjanuar; nuk doli asnjë klithme e mbytur larg, veç mjegullës që u krijua prej pluhurit të bardhë të allçisë. Klithmat e statujave të përkora femërore i dëgjoi vetëm ai, ndërsa vajin e tij të brendshëm s’e dëgjoi askush përveç krijesave të tij të copëtuara, këmbë e duar, copëza hijesh dhe kurbash të lakuara femrash të hijshme të brishta, e të pafajshme njësoj si modelet e tyre. Ai i kishte prekur, punuar, përsosur me duart e tij dhe tani gjendeshin të shpërndarë në çdo kënd të studios. Thyerja e veprave po me dorën që i ngriti, ishte vetëvrasja më e rëndë që mund t`i ndodhë një artisti atë mëngjes të 23 qershorit të vitit 1977. Pas kësaj gjëme të denjë për një muzeum holokausti komunist të artit, artisti mundi të shpëtonte vetëm disa nga kokat e tyre, pjesën më të pafajshme – fytyrat engjëllore, si nëna, motra, Afërdita, artistet, gruaja, perëndeshat e tij.

Lida, një vajzë e bukur e shkathët dhe energjike, rridhte nga një familje artistësh e cila në shkollën “Nëna Mbretëreshë” do të shkëlqente mes shoqesh edhe si balerinë, ndaj më pas do të studionte në Santa Çiçilia të Italisë për balet dhe piano. Kur u kthye në atdhe, kishte nisur lufta. Më tej, vetëm motra e saj, pianistja Lola Gjoka do të vazhdonte karrierën artistike. Lida do të njihej me Janaqin, më pas do të martoheshin dhe e gjithë jeta e saj do t’i përkushtohej familjes dhe njeriut të saj të dashur. Lida jeton në apartamentin e saj të vogël, e rrethuar nga skulpturat, e vetmja pasuri që i la shoku i jetës. Mes kujtimeve të shumta dhe një jete të vështirë, herë pas here tregon vuajtjet shpirtërore që përjetoi artisti deri në çastet e fundit të jetës. Janë tepër të dhimbshme.

Ekspozita e hapur tek Piramida në fillimet e demokracisë në vitin 1993, ishte një sfidë që i bënte skulptori dhe arti i tij diktaturës dhe diktatorëve, të cilët zhduken dhe harrohen një ditë por arti dhe artistët, kurrë. Nudot ishin fotografuar nga Pleurat Sulo, me dijeninë e vetë skulptorit. Edhe pas thyerjes së tyre, Janaq Paço e thirri përsëri ish-nxënësin e tij profesionist, të fotografonte nudot e thyera. Janaq Paço, kërkoi t’i kishte vetëm fotot e nudove të plota; fotot e tjera i duheshin të tjerëve, që të kënaqnin egon e tyre. Ka zëra që thonë se studion e Sulos e bastisën dhe e kontrolluan imtësisht punonjësit e sigurimit te shtetit, ndaj disa prej artistëve dhe njerëzve të fotografuar prej tij u thirrën dhe u kërcënuan në bodrumet e tmerrshme të hetuesisë. Ndoshta kanë ndodhur aty fotot që ia tundën në fytyrë Janaq Paços; ndoshta diçka tjetër ndodhi. Ai që di të vërtetën, mbase do ta marre me vete në botën tjetër. Ndokush do të rrëfehet një ditë përpara frymës së fundit. Një gjë është e sigurt: Janaq Paço, student perëndimor artist dhe njeri i rrallë, sigurisht që survejohej. Heshtja e tij ende akuzon. Shumë nga enigmat Janaq Paço i morri me vete në parajsë se ferrin e jetoi në tokë…

Janaq Paço dinte të ngrihej nga hiri dhe të punonte përsëri, kësaj here temat ishin kooperativistet dhe punëtorët, heronjtë të cilëve u përpoq t’u jepte mirësinë njerëzore duke i trajtuar me dashuri. Tashmë pashallarët ishin qetësuar disi, vjedhësit e ëndrrave po ashtu. Ata mendonin se ai kish hequr dorë nga “marrëzitë”, nuk qe më ai i pari, energjiku dhe liriku profane.

Përtej perdes së pluhurosur, krahas veprave të shumta, prej kohësh skulptori punoi me një përkushtim të madh për realizimin e dy gladiatorëve gjigantë mbi tre metra të lartë. Me mendimin dhe dëshirën për t’u vendosur në hyrjen e Amfiteatrit të Durrësit. Për të treguar kështu qytetërimin e lashtë ilir të vendit të tij, për kohën kur në botë vetëm në tre teatro antike të saj bëheshin gara fituesish mes gladiatorësh, në amfiteatrin grek, romak dhe në atë të Durrësit. Por, edhe ata do të pësonin odisenë e gjatë pa mbërritur ende në Itakën e tyre.

Janaq Paço do të jetonte një gjendje ankthi të vazhdueshëm dhe do t’i fillonte sëmundja e Parkinsonit, megjithatë duart e tij të dridhura nuk mund të rinin pa punuar. Si dhe vlerat e skulptorit të madh nuk mund të mohoheshin nga askush; ata e dinin mirë se askush si Janaq Paço nuk mund ta realizonte grupin e madh skulpturor “Skënderbeu me Popullin”, vepër e realizuar me bashkautor Gëzim Hajdarin, i cili është vendosur në hyrje të muzeut të Krujës dhe prezanton fuqishëm madhështinë e atij muzeu.

Në vitin 1984, në moshën 70 vjeçare, Janaq Paço, dekorohet me medaljen “Skulptor i Popullit”. Për veprat e tij flitej me madhështi, për Paçon vetë nuk dihej nëse ishte a s`ishte në këtë botë. Duart e fuqishme të Paços filluan të dobësoheshin. Çdo ditë e më shumë ato e humben forcën fuqinë, megjithatë nuk pushoi së modeluari. Në vitet e fundit ai punoi statueta të vogla të mrekullueshme, me një tjetër stil kontemporan; skulptura të vogla lirike, në pozicione dhe lëvizje të ngrohta. Për nudot e thyera nuk foli kurrë; ajo ishte një humnerë që nuk përsëritej më…

Në korrikun e nxehtë të vitit 1991, duart e tij të ftohta ngrinë. Ashtu të ngrira ato do të mbeten si skulptura më e rrallë në epokën kur vritej bukuria. Dhe… legjenda vazhdon. Heshtja e tij e gjatë akuzon. Kujdes! Jetojmë në epokën kur asgjësohen kombe dhe kultura. Janaq Paço me jetën dhe veprën e tij e vendosi veten në panteonin kombëtar, po ne ç’bëmë për atë që ringjalli Skënderbeun, Isa Boletinin, Moisiun, Mion… Vitet ikin bashkë me ne, legjendat mbesin… Na ishte njëherë një artist i madh, një njeri i veçantë, një skulptor gjigant, të cilin njëherë e një kohë, mamuthët e kombit e detyruan të thyente statujat e veta femërore të krijuara vite me parë, nga dashuria e madhe për artin dhe atdheun e tij. Ai është Janaq Paço.