Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha të premten se qeveria e tij po bënte çmos për ta shmangur një bllokim tjetër mbarëkombëtar në vend, për shkak të pandemisë së coronavirusit.

“Ne po bëjmë gjithçka për ta shmangur një bllokim tjetër mbarëkombëtar”, u shpreh Macron, raporton Reuters.

“Gjatë kësaj pandemie kemi mësuar se asgjë nuk mund të përjashtohet, megjithatë ne po punojmë që ta parandalojmë një gjë të tillë”, ka thënë ai.

Rritje të rasteve janë parë kohëve të fundit në Francë, pasi vetëm të enjten vendi raportoi 6,111 raste të reja nga coronavirusi.

Ndërkohë, numri i përgjithshëm i të prekurve në vend ka shkuar në 297 mijë, ndërsa rreth 30 mijë persona kanë ndërruar jetë, bazuar në të dhënat zyrtare. /Telegrafi/