Macron ia tregon Trumpit rrugën se si mund të fitojë Çmimin Nobel për Paqe

Presidenti francez, Emmanuel Macron, në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, deklaroi se, nëse presidenti amerikan, Donald Trump dëshiron vërtet të fitojë Çmimin Nobel për Paqe, atëherë duhet të ndalojë luftën në Gaza.
Ai shtoi se vetëm Trump ka fuqinë për të ushtruar presion mbi Izraelin që të ndalojë luftën.
"Ka vetëm një person që mund të bëjë diçka në këtë drejtim, dhe ai është presidenti amerikan. Arsyeja pse ai mund të bëjë më shumë se ne është se ne nuk furnizojmë me armë që mundësojnë zhvillimin e luftës në Gaza. Ne nuk furnizojmë me pajisje që mundësojnë këtë luftë. Shtetet e Bashkuara e bëjnë këtë", tha lideri francez.
Mon discours aux Nations Unies : https://t.co/x7HL9G4Pti
— Emmanuel Macron (@EmmanuelMacron) September 23, 2025
Në fjalimin para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Trump refuzoi qëndrimin e vendeve perëndimore për të mbështetur shtetin palestinez, duke thënë se kjo është një shpërblim për Hamasin.
"Duhet të ndalim menjëherë luftën në Gaza. Duhet të nisim menjëherë negociatat për paqe", deklaroi udhëheqësi amerikan.
Macron komentoi edhe deklaratën e Trumpit, "e shoh presidentin amerikan të angazhuar, i cili nga foltorja mëngjesin e sotëm përsëriti: ‘Dua paqe. Kam zgjidhur shtatë konflikte’, dhe që dëshiron Çmimin Nobel për Paqe. Ky çmim është i mundur vetëm nëse ndaloni këtë konflikt".
Ai përmendi gjithashtu përpjekjet diplomatike në mbështetje të Ukrainës "pikërisht për shkak të refuzimit të standardeve të dyfishta, Franca do të qëndrojë krah për krah me Ukrainën, ashtu siç bëjmë edhe për paqen në Lindjen e Mesme".
Ndryshe, Franca është në mesin e disa shteteve që këtë javë e kanë njohur shtetin e Palestinës. /Telegrafi/
















































