LAJMI I FUNDIT:

Maas flet për Procesin e Berlinit, kërkon bashkëpunim më të madh ekonomik mes vendeve të Ballkanit

Maas flet për Procesin e Berlinit, kërkon bashkëpunim më të madh ekonomik mes vendeve të Ballkanit

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Heiko Maas ka kërkuar bashkëpunim më të madh ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Në një konferencë për media, të cilën e mbajti pas takimit virtual që pati me ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian, Heiko Mass tha se integrimi në BE, sundimi i ligjit dhe përmbushja e reformave të kërkuara janë hapa që duhet të merren seriozisht nga vendet e Ballkanit, nëse duan anëtarësim në familjen evropiane.


“Si hap të ardhshëm synojmë njohjen e kualifikimeve akademike dhe profesionale në rajon. Po ashtu i kemi udhëtimet si dhe lirinë e lëvizjes, e cila duhet t’u bëhet më e lehtë qytetarëve. Secili nga këta janë hapa të qëndrueshëm drejt integrimit, nga çka ka përfitim tërë rajoni. Shoqëria civile ka luajtur një rol kyç në këtë proces dhe kohëve të fundit ka qenë mjaft aktive. Vitin e kaluar ka qenë historike marrëveshja e planveprimit për krijimin e një tregu të përbashkët rajonal. Tregu ekonomik është një hap shumë i rëndësishëm drejt perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo perspektivë do t’i trajtonte gjërat më seriozisht dhe secili vend do t’i plotësonte kërkesat për procesin e negocimit. Kjo është arsyeja se pse jemi të përkushtuar që gjatë presidencës tonë në Këshill të fillojmë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë, nëse ka të dhëna nga rajoni se integrimi, sundimi i ligjit dhe reformat po merren seriozisht. Kështu ne do të lëvizim drejt qëllimeve të përbashkëta dhe procesi i Berlinit do ta përmbushë misionin e tij për përafrim të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian”, ka thënë Maas.

Tutje, ai deklaroi se nuk beson se konferencat e para ndërqeveritare për anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në BE do të hapen gjatë presidencës portugeze të BE-së.

Nis konferenca e ministrave të jashtëm të Ballkanit, merr pjesë edhe Gërvalla
Lexo po ashtu Nis konferenca e ministrave të jashtëm të Ballkanit, merr pjesë edhe Gërvalla

Sipas tij, nëse vendet e Ballkanit Perëndimor i plotësojnë kushtet e kërkuara, atëherë nuk ka pse të ngurrohet me fillimin e negociatave.

“Jemi në dialog të ngushtë me Slloveninë dhe Portugalinë, në kuadër të presidencës treshe të Këshillit të BE-së, por edhe me Komisionin e BE-së, në mënyrë që të krijojmë premisat që me çdo kusht të hapen konferencat e para ndërqeveritare për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Unë jam optimist se këtë do ta realizojmë, edhe pse është e vështirë dhe po zgjat më shumë se ç’duam”, tha shefi i diplomacisë gjermane Heiko Maas.

Në takimin e sotëm virtual mes ministrave ka marrë pjesë edhe ministrja e jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla – Schwarz. Po ashtu, në takim morën pjesë edhe komisionari i BE-së për Zgjerim, Oliver Varhelyi dhe sekretari i përgjithshëm i Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian, Stefano Sannino.

Konferenca e sotme i parapriu samitit të ardhshëm me kryeministrat e Ballkanit, i cili pritet të zhvillohet gjatë muajit korrik, nën drejtimin e kancelares gjermane, Angela Merkel.

Kujtojmë se me qëllim të përmirësimit të bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor, Merkel krijojë Procesin e Berlinit si nismë më 2014. Ndër të tjerash, nisma synon edhe mbështetjen e procesit të anëtarësimit në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën. /KP/Telegrafi/