LAJMI I FUNDIT:

LVV nuk ndryshon qëndrim për Trustin, Muja: Tërheqja e mjeteve krijon një precedent të rrezikshëm

LVV nuk ndryshon qëndrim për Trustin, Muja: Tërheqja e mjeteve krijon një precedent të rrezikshëm
Armend Muja, deputet i LVV-së

Deputet i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), njëherit kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Financa, Armend Muja gjatë intervistës për Telegrafin, në emisionin “Përballje”, ka thënë se tërheqja e mjeteve nga Trusti do të krijonte një precedent të rrezikshëm.

Muja thotë se tërheqja e këtyre mjeteve do të shkatërronte skemën pensionale të Kosovës dhe se LVV-ja nuk do të ndryshojë qëndrimin sa i përket Trustit.

“Nuk do të ketë ndryshim të qëndrimit. Këtë qëndrim e kemi marr në vitin 2020 edhe kur ka qenë tërheqja e parë edhe e dyta, pikërisht me këto arsyetime, se në rast se krijohet mundësia, hapet dritarja që të tërhiqet njëherë ajo krijohet një precedent i rrezikshëm, i cili në tërësi e shkatërron skemën pensionale të Kosovës. Skema pensionale e Kosovës i ka dy shtylla. Një pensionist e ka shtyllën 0, që normalisht qeveria i jep minimalisht 100 euro për ta luftuar varfërinë dhe kursimet e tij në fondin pensional për ta krijuar një pagesë për ta jetuar një pleqëri normale, gjë që nuk ka ndodhur në Kosovë, pasi në të kaluarën fondi jonë pensional është vjedhur nga Serbia, kurse një pjesë e tyre s’kanë kursyer mjaftueshëm dhe për pasojë sot ke shtresa mbi 240 mijë pensionistë që sot jetojnë keq. Kursimi është detyrim nuk është opsionale”, ka thënë Muja.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja gjatë intervistës për Telegrafin me kryeredaktorin, Muhamet Hajrullahu /Foto: Ridvan Slivova

Muja theksoi se propozimi për tërheqjen e mjeteve nga Trusti ka ardhur me argumentin se mjetet do t’i ndihmojnë qytetarëve, mirëpo ai pyet se cilës kategori?

Opozita nuk ka pse të frikësohet, Muja i bindur që Projektligji për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të kalojë
Lexo po ashtu Opozita nuk ka pse të frikësohet, Muja i bindur që Projektligji për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme do të kalojë

“Nëse thonë që kjo po bëhet për t’iu ndihmuar qytetarëve, çështja është cilës kategori? Propozimi si i tillë kur ka ardhur, ka qenë i dizajnuar me këto klishe që po i ndihmon qytetarëve. Kur e kemi marr dhe e kemi studiu propozimin, ideja ka qenë që në fakt Kosova i ka 1.2 milionë njerëz të aftë për punë, nga të cilët gjysma e tyre kanë një llogari në Trust. Gjysma prej tyre nuk kanë. Pesë përqindëshi i popullsisë mund të tërheq diçka dhe mund të ketë një domethënie të shpenzimeve të tyre. Në vitin 2020, kur u bë tërheqja e pareve, ishte një kontekst i vështirë në atë kohë, sepse kishte tkurrje ekonomike, rënie të vendeve të punës”, tha ai.

Muja po ashtu shpjegoi se shpenzimi i mjeteve të Trustit do të përkeqësojë situatën e inflacionit në vend.

Deputeti i LVV-së, Armend Muja gjatë intervistës për Telegrafin /Foto: Ridvan Slivova

Ai gjithashtu theksoi se sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga muaji janar i këtij viti inflacioni është rritur për 9 për qind.

Nuk miratohet Projektligji që lejon tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti
Lexo po ashtu Nuk miratohet Projektligji që lejon tërheqjen e kursimeve pensionale nga Trusti

“Shpenzimi i këtyre mjeteve e përkeqëson situatën e inflacionit në vend. Nuk është kjo politikë fiskale për ta luftuar çmimin. E gjithë tërheqja hahet për shkak të inflacionit. Shpenzimi i tepërt në këtë kohë, paradoksalisht e stimulon importin, i cili transmetohet në tërësi në Kosovë dhe i varfëron dhe shtresat që janë më së keqi aktualisht. Nuk mund të themi që gjendja është e njëjtë. Prej janarit e deri më tash vlerësohet mesatarisht që inflacioni është rrit 9 për qind. Kështu thotë ASK-ja. Nëse i shikon rrogat e sektorit privat, sipas ASK-së, janë rritur 13 për qind që do të thotë pak përtej shkallës së inflacionit”.

Të gjitha shpenzimet që i ka bërë qeveria, sipas deputetit të LVV-së, i ka bërë për ta minimizuar efektin e inflacionit. /Telegrafi/