Në sesionin e parë të mbledhjes së përbashkët të Këshillit Veri-Atlantik, i dedikuar për operacionet dhe misionet e Aleancës, ministrja e Mbrojtjes Radmilla Sheqerinska, ka realizuar takim me homologët e saj nga Greqia Nikos Panagiotopulos dhe Estonia, Juri Luik.

Në takim me ministrin estonez të Mbrojtjes, Sheqerinska e ka falënderuar për ratifikimin e shpejtë të protokollit për anëtarësim në NATO dhe ka thënë se ky proces do të vazhdojë të lëvizë me shpejtësi edhe në parlamentet e vendeve që nuk e kanë ratifikuar, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Luik ka thënë se Estonia pret që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s, ndërsa në kontekst të vendimit të BE-së, ai tha se shteti është dashur të merr vendim pozitiv dhe se kjo fazë do të tejkalohet.

Ndërsa në takim me ministrin grek të Mbrojtjes, Sheqerinska ka thënë se të dy shtetet duhet të vazhdojnë të ndërtojnë marrëdhënie dypalëshe dhe bashkëpunim në sferën e mbrojtjes.

Ndryshe, takimet e ministrave të mbrojtjes në Bruksel, në të cilat merr pjesë edhe Sheqerinska do të vazhdojnë gjatë ditës së sotme./Telegrafi/