LAJMI I FUNDIT:

Luftë vrastare në Ukrainë, e zgjoi Gjermaninë

Luftë vrastare në Ukrainë, e zgjoi Gjermaninë

Nga: Helene von Bismarck / The Guardian (titulli origjinal: Why did it take a murderous war on Ukraine for Germany to wake up to the threat from Russia?)
Përkthimi: Telegrafi.com

Nën lustrën e unitetit perëndimor që i jep mbështetje Ukrainës, reagimet për luftën – në të gjithë Evropën – bazoheshin në informatat e marra nga leximet e historisë nëpër vende të ndryshme, nga konfliktet e mëparshme në kontinent dhe nga konceptet e shteteve për karakterin kombëtar të Rusisë. Për mësimet nga e kaluara, nuk ka konsensus automatik brenda shoqërive demokratike dhe madje as nuk duhet të ketë. Kujtesa shpeshherë është selektive dhe rruga përpara i përfshin diskutimet rreth asaj që shkoi keq më parë.


Për t’i kërkuar vendimet e duhura për të ardhmen – pas pushtimi rus – askund si në Gjermani nuk ka qenë i ngarkuar ky proces i rishikimit të së kaluarës. Gjatë 16 muajve të fundit, vendi i ka dhënë fund varësisë së madhe nga nafta dhe gazi rus, ka braktisur ngurrimin për të dërguar armë në zonën e luftës dhe – pas ShBA-së – është kthyer në një nga mbështetëset më të rëndësishme ushtarake dhe financiare të Ukrainës. Shumica e gjermanëve tashmë e mbështesin këtë ndryshim politikash – ose Zeitenwende-n (pikën e kthesës), siç e shpreh kancelari Olaf Scholz – por, nuk ka të ndalur debati publik për të ardhmen e politikës së sigurisë së Gjermanisë. Dhe, argumentet rreth historisë këtu luajnë rol të rëndësishëm.

Brutaliteti i agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, shpërfillja e hapur e Putinit për të drejtën ndërkombëtare dhe kërcënimet e tij të qarta kundër Perëndimit, i kanë detyruar elitat politike dhe intelektuale të Gjermanisë që t’i rishqyrtojnë supozimet e vjetra dhe të përhapura në lidhje me mësimet e Gjermanisë nga Lufta e Dytë Botërore dhe nga Lufta e Ftohtë. Rëndësia e këtij ndryshimi nuk duhet nënvlerësuar dhe as nuk duhet habitur nëse mbetet i pasigurt dhe i kontestuar.

Në tri dekadat pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, politika e Gjermanisë – në Evropën Qendrore dhe Lindore – u ndikua shumë nga leximi i historisë që Rusinë e futi në qendrën e të menduarit gjerman, në lidhje me rajonin, duke i lënë pas dore vendet më të vogla në fqinjësinë e saj. Ky paragjykim që në qendër e ka Moskën, pasqyronte shtrirjen e fuqisë së Rusisë, por ishte gjithashtu – të paktën pjesërisht – për shkak të njohjes nga Gjermania të përgjegjësisë së saj historike në Luftën e Dytë Botërore, e cila në frontin e saj lindor bëri një luftë brutale asgjësimi. Më shumë se 25 milionë ushtarë dhe civilë sovjetikë vdiqën dhe ata luajnë rol të rëndësishëm në kulturën e kujtesës së Gjermanisë.

Gatishmëria për t’u përballur me përgjegjësinë e saj historike për Luftën e Dytë Botërore dhe fokusi për pajtimin dhe për përkujtimin, janë arritje të demokracisë gjermane që u fituan me vështirësi, e që nuk duhen nënvlerësuar. Megjithatë, ajo që mbeti problematike, pas Luftës së Ftohtë, ishte tendenca e përhapur gjermane për ta barazuar Rusinë me Bashkimin Sovjetik, ndërsa politikanët argumentonin se krimet e Gjermanisë naziste e imponuan obligimin e veçantë gjerman për të kërkuar dialog me Rusinë, pa e pasur të njëjtin konsideratë për ish-shtetet e tjera të Bashkimit Sovjetik, si Ukraina. Në fund të fundit, ukrainas ishin afërsisht tetë milionë viktima sovjetike të Luftës së Dytë Botërore, dhe territori ukrainas ishte vendi i betejave brutale dhe i krimeve të papërshkrueshme, sidomos kundër popullsisë hebraike. Nuk ka munguar kërkimi i nuancuar historik përkitazi me këtë, por vetëm tash, pas pushtimit të Putinit, në diskursin publik të Gjermanisë po vlerësohet më gjerësisht dallimi i rëndësishëm midis Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Theksi mbi çmimin e tmerrshëm të luftës me Bashkimin Sovjetik, midis viteve 1941 dhe 1945, rezultoi gjithashtu me mungesën e ndjeshmërisë gjermane në lidhje me marrëveshjet e fshehta gjermano-ruse nga 1939 e deri më 1941, si dhe pasojat e saj afatgjata. Përpara se Hitleri të vendoste të sulmonte Bashkimin Sovjetik, dy vjet më vonë, ai dhe Stalini ranë dakord për paktin Molotov-Ribbentrop të mossulmimit, të vitit 1939, për ta ndarë Evropën Qendrore dhe Lindore në sferat e ndikimit nazist dhe sovjetik. Vendet që e paguan çmimin për këtë okupim brutal, për deportim dhe zhvendosje, e meritonin konsideratën e veçantë të Gjermanisë pas rënies së Perdes së Hekurt, më shumë sesa Rusia. Deri sot, kujtesa për këtë bashkëpunim e ka formësuar thellësisht mendimin e Evropës Qendrore dhe Lindore për të dy vendet, veçanërisht në Poloni dhe në shtetet baltike. Megjithatë, në dy dekadat para luftës në Ukrainë, këndvështrimi i tyre kishte më pak rëndësi për Berlinin sesa për Moskën.

Një tjetër kapitull përcaktues në historinë e Gjermanisë, që po ashtu tash po rishqyrtohet, është “Ostpolitika” e famshme e kancelarit të Luftës së Ftohtë, Willy Brandt. Deri më 24 shkurt 2022, kjo kishte vend qendror në mendimin gjerman për Rusinë. Në fund të viteve 1960 dhe në fillim të viteve 1970, Brandt dhe partia e tij Socialdemokrate (SPD) e ndoqën një politikë dialogu me Bashkimin Sovjetik, me shpresën për t’i stabilizuar marrëdhëniet e Gjermanisë Perëndimore me Evropën Lindore. Besimi i tij – 25 vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – ishte se një strategji e “ndryshimit nëpërmjet afrimit”, do t’i reduktonte tensionet Lindje-Perëndim dhe se ndoshta do të ndihmonte në ndryshimin e Bashkimit Sovjetik nga brenda. Afrimi e përfshinte tregtinë me Bashkimin Sovjetik.

Nuk është e nevojshme të jesh anëtar i SPD-së për të qenë krenar për Brandtit, apo për ndonjë arsye tjetër. Ai është më i famshëm për gjunjëzimin që ka bërë në vitin 1970, para memorialit të Kryengritjes së Getos së Varshavës, një gjest i paparë dhe jashtëzakonisht i rëndësishëm për turpin dhe pendesën për krimet e luftës dhe të Holokaustit të Gjermanisë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se ndjekja e dialogut të Brandtit me Bashkimin Sovjetik, bëhej nga pozicioni i fuqisë. Shpenzimet e mbrojtjes të Gjermanisë Perëndimore ishin në tre përqind të PBB-së, për çdo vit gjatë kohës së tij si kancelar, shumë kjo më e lartë edhe nga ajo që parashikohet në strategjinë e parë të sigurisë kombëtare të Gjermanisë, të botuar më 14 qershor.

Por, politika e Gjermanisë për Rusinë e humbi rrugën pas Luftës së Ftohtë, pasi pjesë të mëdha të SPD-së e mbajtën një lidhje naive ndaj parimit të “ndryshimit përmes tregtisë”, ndërsa e kujtonin ose e riinterpreton politikën e Brandtit në mënyrë selektive. Disa dekada pas Brandtit, Gerhard Schröder, një tjetër kancelar i SPD-së, akuzohet se e ka kthyer këtë traditë të dashur dhe të idealizuar në një justifikim të përshtatshëm për t’u dhënë përparësi interesave të biznesit gjerman në Rusi e jo shqetësimeve gjeopolitike të aleatëve të Gjermanisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, në NATO dhe në BE. Në librin e tyre të fundit, Lidhja e Moskës, Reinhard Bingener dhe Markus Wehner paraqesin një përshkrim të detajuar dhe gjykues se si Rusia e Putinit i kaloi dekadat duke u ballafaquar me elitat politike gjermane dhe me opinionin publik, duke treguar se është bazik debati rreth vlerësimeve rusocentrike të Gjermanisë.

Mbështetja e Gjermanisë për Ukrainën, që nga pushtimi, paraqet një thyerje të qartë të politikës së saj ndaj Rusisë. Qeveria Scholz i ka djegur urat lidhëse me Putinin dhe i ka braktisur parimet e kahershme të cilat deri në shkurtin e vitit 2022 kanë rezonuar te shumë gjermanë. Kjo nuk ishte e lehtë. Por, pyetja thelbësore nuk është nëse premtimi i Zeitenwende-s i Scholzit vërtet po ndodh, por pse u desh një luftë vrastare në Ukrainë që ajo të fillojë.

Gjermania e ndryshoi mendjen për Rusinë, por më mirë vonë se kurrë. Sapo ka filluar hetimi i nevojshëm dhe i mundimshëm se pse ndodhi ndryshimi, i cili nga këndvështrimi i qeverisë gjermane është i rëndësishëm, madje drastik, por i vonuar dhe shumë i ngadalshëm në sytë e shumë aleatëve të saj. Kritika është e vlefshme. Është urgjenca e gjendjes së vështirë të Ukrainës ajo që duhet të përcaktojë ritmin e përgjigjes së Gjermanisë ndaj kësaj krize katastrofike të sigurisë evropiane – jo hulumtimi i brendshëm shpirtëror. /Telegrafi/