Manchester United po përgatitet për një lëvizje të madhe në tregun e transferimeve, me synimin për ta rindërtuar skuadrën për të ardhmen dhe jo vetëm për zgjidhje afatshkurtra.

Trajneri Ruben Amorim dëshiron të formojë një ekip konkurrues për vitet e ardhshme, me theks të veçantë te futbollistët ofensivë që mund të rriten dhe të marrin role udhëheqëse në dekadën e ardhshme.


“Djajtë e Kuq” kanë qenë aktivë këtë verë, duke përforcuar repartin ofensivë me emra si Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Benjamin Sesko. Megjithatë, ambiciet e klubit nuk ndalen me kaq.

Tani, Manchester United ka vënë në shënjestër një futbollist që po monitorohet prej kohësh edhe nga Arsenali, i cili e sheh atë si një zgjidhje afatgjatë për sulmin. Sidoqoftë, klubi nga “Old Trafford” është i gatshëm të veprojë me vendosmëri dhe ta lërë pas rivalin e brendshëm me një ofertë që pritet të tronditë Evropën.

Sipas raportimeve nga Fichajes dhe gazetari Ben Jacobs, Manchester United është i gatshëm të ofrojë deri në 100 milionë euro për ta siguruar shërbimin e Kenan Yildiz nga Juventusi.

Sulmuesi 20-vjeçar i “Zonjës së Vjetër” ka qenë një nga lojtarët më të spikatur të Serie A këtë sezon, duke udhëhequr skuadrën si për gola ashtu edhe për asistime. Paraqitjet e tij të shkëlqyera kanë bërë që shumëkush ta krahasojë ngritjen e Yildiz me atë të një legjende të Juventusit dhe futbollit botëror, Cristiano Ronaldos.

Yildiz po tregon vazhdimësi të lartë në Itali, duke shënuar gjashtë gola dhe duke dhuruar gjashtë asistime në 21 paraqitje në të gjitha garat këtë sezon.

Me kontratë të vlefshme deri në vitin 2029, Juventusi nuk ka asnjë detyrim ta shesë talentin turk. Megjithatë, një ofertë prej 100 milionë eurosh mund të hapë debate serioze brenda klubit torinez./Telegrafi

telegrafi sport app